Partitë e opozitës dhe pozitës parlamentare në Maqedoninë e Veriut, sot janë ulur në një tryezë të përbashkët në qytetin e Korçës ku fokusi ishte minoriteti maqedonas në Shqipëri. Akuza të forta u hodhën për shtetin shqiptar ku ndër më kryesoret ishte ajo që institucionet e Shqipërisë po lejojnë Bullgarinë të asimilojë maqedonasit e minoritetit.
Ndërsa Vasil Sterjovski kryetar i Aleancës Maqedonase për Integrimin Europian, deklaroi se së shpejti do t’i drejtohen institucioneve të drejtësisë për këtë çështje pasi sipas tij nga bashkitë janë falsifikuar vërtetimet e banimit për shtetasit maqedonas që kanë marrë shtetësinë bullgare.
"Mekanizmat janë të shumëfishta, në 2017 nëpërmjet presionit me "Veton Bullgare" të rrugës shqiptare drejt anëtarësimit në BE u njoh një minoritet jo ekzistent bullgar i cili në 100 vitet e shtetit shqiptar asnjë banor nuk ishte vetëdeklaruar bullgar dhe në asnjë raport ndërkombëtar nuk figuronte që në Shqipëri ekziston një minoritet bullgar të cilit i janë mohuar të drejtat. Pasi u njoh një minoritet i tillë filloi presioni bullgar në këto 7 vite, të lejuar edhe nga shteti shqiptar për krijimin e një minoriteti artificial bullgar. Një nga metodat ka qenë dhënia e pasaportave bullgare e cila është një pasaportë europiane dhe u pranua masivisht nga shteti shqiptar të kombësive të ndryshme. Kush kishte fonde paguante dhe e merrte këtë pasaportë, është një biznes fitimprurës në Shqipëri i paligjshëm sepse ambasadat bullgare qoftë edhe shoqatat që i krijuan në Shqipëri janë ndërmjetësuesit e këtij biznesi të paligjshëm dhe nëpërmjet tyre dhe donacioneve të ndryshme u krijua një grup i strukturuar kriminal në institucione lokale dhe shtetërore me agjentë për asimilimin e komunitetit maqedonas. Në këtë mënyrë ia arritën qëllimit sidomos gjatë Censusit duke instaluar anketues dhe kontrollorë nga INSTAT-i të cilët raportonin direkt në Bullgari dhe 90 % të rasteve ata vetë i kanë regjistruar si bullgarë. Kërkojmë që ky grup i strukturuar kriminal që ka edhe axhendë politike për zgjedhjet parlamentare që të ndiqet penalisht dje të gjithë ata që ndërhyjnë edhe në Punët e Brendshme të Shqipërisë por që shkelin edhe ligjin të dalin para drejtësisë."
Bullgaria shfrytëzon edhe situatën e dobët ekonomike në zonat ku jeton komuniteti maqedonas, kushtet janë vërtet skandaloze pasi ka mungesë gjatë këtyre 30 viteve nga çdo qeveri në infrastrukturë, në mbrojtjen shëndetësore dhe duke parë këtë situatë Bullgaria përpiqet që nëpërmjet investimeve të bindë këta banorë që ata i përkasin komunitetit bullgar. Ajo që kërkojmë ne nga qeveria shqiptare e maqedonase është që të bëjnë projekte zhvillimore për zhvillimin e këtyre zonave dhe më pas mbështetjen për mësimin në gjuhën maqedonase në ato zona ku ka kërkesë përveç zonës së Prespës ku mësohet gjuha maqedonase. Kërkojmë edhe mbështetje edhe për iniciativave kulturore për mbrojtjen e identitetit dhe Maqedonia ka shumë përgjegjësi për të ndihmuar në një strategji afatgjatë së bashku me Shqipërinë për ruajtjen e identitetit të kominitetit maqedonas. Kjo strategji duhet të vazhdojë derisa vendi jonë të bëhet anëtar i BE-së sepse në këtë mënyrë merr fund edhe problemi i dhënies së pasaportave.
Autoritetet shqiptare kanë lejuar të gjitha këto aktivitete të paligjshme të cilat ndodhin në vendin tonë. Prej më shumë se 30 vitesh? Bullgaria u kërkon një vërtetim autoriteteve lokale për aplikuesit e pasaportave dhe kjo kompetencë nuk është në dorën e qeverisjes lokale por kryetarët e bashkive japin vërtetime të tilla false kundrejt korrupsionit dhe parave. Sipas statistikave bullgare, mbi 3 mijë shtetas në vit aplikojnë për pasaportë bullgare. Në këto 7 vite mund të jenë mbi 20 mijë shtetas shqiptarë që do të thotë mbi 20 mijë vërtetime false. Ne kemi bërë të gjitha denoncimet për këto aktivitete të paligjshme, kemi njoftuar qeverinë, institucionet shqiptare, ambasadat e huaja. Për të gjitha këto ne po përgatisim kallëzim penal, sidomos për Censusin që u lejua nga shteti shqiptar që të instalohen anketues që të bëjnë atë falsifikim që bënë me rezultatet”, theksoi ai.
Ndërkohë zv.ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Dimitrovski tha se qeveria shqiptare është në presion nga Bullgaria për shkak të integrimit europian. Sipas tij shteti shqiptar u detyrua të njihte së fundmi bullgarët si minoritet në Shqipëri.
“Ne jemi në dijeni se edhe qeveria shqiptare është në presion të vazhdueshëm nga qeveria bullgare prandaj dhe para disa vitesh qeveria shqiptare ishte e detyruar të njihte një minoritet tjetër “i nënti” pra një minoritet tjetër sipas radhës i nënti në Shqipëri që nuk ekziston me qëllim për të avancuar në proceset e integrimit europian prandaj ne e kuptojmë se në çfarë situate ndodhet qeveria shqiptare.
Ne duam që bashkarisht me qeverinë shqiptare të punojmë për të marrë të gjitha proceset për integrimin europian sidomos edhe për zhvillimin e minoritetit këtu dhe të popullatës shqiptare që jetojnë në Maqedoni domethënë të jetë një urë lidhëse midis dy shteteve.
Shteti maqedonas njihet si një ndër shtetet që i ka dhënë më shumë të drejta në të gjitha minoritetet që jetojnë në Maqedoni. Me qeverinë shqiptare ne deri tani nuk kemi asnjë problem lidhur me njohjen e identitetit të shqiptarëve në Maqedoni. Çështja është që standardet europiane tregojnë diçka tjetër dhe këtë që po e bën bullgaria janë jashtë çdo rregulli të standardeve europiane”, tha ai.
Deputeti i LSDM ne Maqedoninë e Veriut, Metodija Ilievski bëri thirrje qe i gjithë faktori politik maqedonas të bashkohet për të shmangur asimilimin e maqedonasve minoritar në Shqipëri.
“Ne do t’i bëjmë thirrje të bashkohen të gjitha organizatat dhe partitë maqedonase me Shqipëri dhe të kenë të njëjtin synim përpara institucioneve të shtetit shqiptar. Të ndihmojmë të gjitha organizatat maqedonase si qytetarë të Shqipërisë, nëpërmjet institucioneve, me ndihmën ndërkombëtare, për t’i realizuar të drejtat e tyre dhe të mbajnë statusin si minoritet maqedonas në Shqipëri, që njihet edhe nga shteti shqiptar.
Partia që dikur ishte në pushtet, që në momentet e para, bëri një hap serioz në përmirësimin e kushteve të jetesës për maqedonasit e vendosur në Shqipëri dhe atëherë ndihmuam që gjuha maqedonase të jetë në universitetet shqiptare, konkretisht në Tiranë dhe Korçë. Dhe atëherë bëmë për herë të parë marrëveshje për artifaktet, ikonat, ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si një mënyrë që të forcojmë edhe bashkësinë maqedonase në Shqipëri.
Pyetje: Si është kryer asimilimi i maqedonasve në Shqipëri dhe cilat janë masat që do të merren nga ju nga aspekti zyrtar?
Ne nuk mund të themi se çfarë bëjnë shtetet e tjera që futen në Shqipëri. Ne duam të ndërtojmë marrëdhënie të mira, edhe ndërpartiake, edhe ndërshtetërore, për çështjen konkrete, që të ndihmojmë komunitetin maqedonas në Shqipëri.
Ky nuk është një shkak për konflikt midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ne duam vërtet që shqetësimet e minoritetit maqedonas në Shqipëri të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe nëpërmjet institucioneve të vendit”, tha deputeti.
Takimi bëri bashkë deputetë të opozitës dhe maxhorancës maqedonase, ndërsa vet tryeza u organizua për shkak të rezultateve të CENSUS-it të fundit në Shqipëri ku u vu re një rritje e numrit të shtetasve të deklaruar si bullgarë (7057). Gjithashtu edhe për shkak se një pjesë e minoritarëve maqedonas sipas partive politike u detyruan të lenë pasaportat maqedonase për të marrë ato bullgare.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)
Ju na kerkoni gjithe keto,po ju si po i trajtoni shqiptaret e Maqedonise e perdorimin e shqipes atje?! Ata maqedonas qe u vetedeklaruan bullgare e bene vete dhe nga halli,ashtu sic e kane bere shqipot qe bene greke per ca letra e nje pension.Te kishit hyre me pare ne BE, do t'a kishit pare sa /bullgare/ka ne te vertete Shqiperia.S.d.q kjo eshte nje ceshtje qe per mendimin tim nuk zgjidhet duke ju drejtuar vetem drejtesise tone,duhet t'i drejtoheni drejtesise nderkombetare,pasi eshte ceshtje e tille e perfshihen 3 shtete.
Përgjigju