Në punimet dy ditore të samitit të Partive Popullore Evropiane u miratua edhe një rezolutë për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. E hartuar nga përfaqësuesit e PD në PPE, në rezolutë thuhet se partitë e djathta shprehin shqetësimin për situatën politike në prag të zgjedhjeve që lidhet me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, blerjen e votës dhe shkeljen e fshehtësisë.
“Më shumë se 100 ankesa zyrtare janë paraqitur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në rezolutën që i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe OSBE-së që të nxisin hetimin e krimeve zgjedhore dhe rregulla loje të barabarta.
Mbi 100 ankesa zyrtare janë depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), duke dokumentuar shkelje të dyshuara sistematike dhe të qëllimshme, përfshirë:
Blerjen e votës përmes dhënies së parave në dorë dhe kultivimit të kanabisit;
Punësimet dhe praktikat e prokurimeve elektorale në favor të mbështetësve të Partisë Socialiste;
Abuzimin me funksionet publike dhe mediat;
Emërimin e paligjshëm të Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas arrestimit të Erion Veliajt, pa një proces demokratik, për të kontrolluar burimet bashkiake në funksion të fushatës 2025;
Kërcënime dhe ndjekje penale ndaj kandidatëve të opozitës.
Në rezolutën e votuar në mënyrë unanime, sipas PD, thuhet se Partia Popullore Evropiane (PPE) shpreh shqetësimin e saj për situatën aktuale politike.
“Ndërsa Shqipëria i afrohet Zgjedhjeve Parlamentare të 11 Majit, Partia Popullore Evropiane (PPE) shpreh shqetësimin e saj për situatën aktuale politike. Raportet e lartpërmendura kanë evidentuar shkelje serioze, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, blerjen e votës, shkeljen e fshehtësisë dhe lirisë së votës, si dhe njëanshmërinë mediatike. Vëzhgimet më të fundit dhe burimet e sipërpërmendura përmblidhen në përfundime të qarta: se zgjedhjet po minohen nga manipulimi dhe abuzimi me pushtetin; se pluralizmi politik po shtypet përmes presionit institucional; dhe se sundimi i ligjit nuk po garantohet për shkak të kapjes së sistemit gjyqësor dhe pandëshkueshmërisë”, thuhet në rezolutë.
Po ashtu, në rezolutë thuhet se PPE është e shqetësuar për mungesën e vazhdueshme të progresit në zbatimin e rekomandimeve kyçe të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore.
“PPE është e shqetësuar për mungesën e vazhdueshme të progresit në zbatimin e rekomandimeve kyçe të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore. Institucionet mbeten të cenueshme nga ndikimi politik, duke minuar mbikëqyrjen e paanshme dhe konkurrencën e ndershme elektorale. Qasja në media është e pabarabartë, me transmetuesit publikë dhe mediat e lidhura që favorizojnë partinë në pushtet dhe kufizojnë mbulimin e opozitës. Shkeljet zgjedhore shpesh mbeten të pandëshkuara, duke krijuar një kulturë pandëshkueshmërie për mashtrim dhe manipulim”, thuhet në rezolutë.
Më tej, në rezolutë thuhet se “PPE vëren raporte për përdorimin e administratës publike për qëllime politike gjatë zgjedhjeve”.
“Skemat e punësimit, fushatat propagandistike dhe presioni mbi nëpunësit civilë për t’u angazhuar në aktivitete partizane minojnë neutralitetin e shtetit. Blerja e votës dhe frikësimi, përfshirë përpjekjet për të shtypur pjesëmarrjen e votuesve, janë dokumentuar, me ankesa zyrtare të dorëzuara në KQZ dhe organet e drejtësisë. Mbeten shqetësime serioze mbi lidhjet e pretenduara mes aktorëve politikë dhe rrjeteve kriminale, veçanërisht në emërimet kyçe në polici dhe drejtësi”, thuhet në rezolutë.
Rezoluta i bën thirrje BE-së, OSBE-së dhe Këshillit të Europës që të kërkojnë ndërprerjen e blerjes së votës dhe abuzimit me fondet publike; Dërgojnë vëzhgues shtesë në bashkitë me risk të lartë; Dokumentojnë publikisht dhe të denoncojnë shkeljet zgjedhore.; Zbatojnë mekanizma kushtëzues në procesin e integrimit në BE në rast se shkeljet vazhdojnë.
Në Kongresin e PPE në Valencia të Spanjës, mori pjesë edhe kreu i PD, Sali Berisha.
Kliko këtu për të lexuar rezolutën shqip
Komente

ME POLITIKAN MIZERABEL NUK KA TA SHESESH VENDIN SE TE HUAJVE U PLAS MENDERJA
PërgjigjuNuk ka mundesi, duhet ta kete bere rusi kete deklarate!!
Përgjigju