Tirane - Komisioni Hetimor për koncesionet në shëndetësi nuk mundi sot ta marrë dëshminë e Gjergji Kojës, ish-drejtues i monitorimit të infeksioneve spitalore.
Pavarësisht insistimit të socialistëve, ai deklaroi se nuk e lidhte asgjë me koncesionin e sterilizimit apo check up.
"Nuk kam asnjë lidhje me objektin e komisionit tuaj parlamentar qoftë për check up qoftë për sterizilimin. Në atë kohë që kam qenë unë bënte monitorime, jo inspektime. Inspektimi është atribut i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor"
Komisioni pritet të vijojë menjëherë me marrjen në pyetje të disa zyrtarëve të cilët kanë qenë pjesë e komisionit të vlerësimit të ofertave dhe që kanë përcaktuar kompanitë fituese.
Personat e parë janë në masë sigurie nga SPAK, me detyrim paraqitje, pasi edhe Prokuroria e Posaçme po heton sterilizimin. Më pas do të pyetet më 3 tetor edhe Ilir Beqaj, ish ministër shëndetësie. Ai është aktualisht në paraburgim, bashkë me dy dëshmitarët e tjerë zëvendësministrin Klodjan Rrjepaj dhe biznesmenin përfitues, Ilir Rrapaj.
Marrja e tyre në pyetje përmes Skype, apo me prani fizike në Komision nuk mund të bëhet veçse me lejen e SPAK.