Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Lezhë, Pashk Palokaj thotë se shqetësim kryesor për biznesin është mungesa e infrastrukturës rrugore, konkretisht rruga nga Miloti në Shëngjin, e cila shkakton trafik të rënduar gjatë verës. Gjithashtu, mungesa me furnizimin e ujit të pijshëm në disa zona të Shëngjinit.
“Ne kemi shumë vite që diskutojmë. Me rritjen e fluksit të turistëve, normalisht që çështja e trafikut është parësore dhe imediate. Mungesa e infrastrukturës dihet nga të gjithë ne, rruga nga Miloti në Shëngjin është një katastrofë, sepse është një rrugë e ngushtë, një rrugë e vogël që nuk I përgjigjet as trafikut norma të sezonit dimëror e jo më fluksit të turizmit”, tha Pashk Palokaj.
Sigurimi i krahut të punës është problemi kryesor i biznesit, kryesisht për kamarier, banakier dhe kuzhinier, paga mesatare e të cilëve shkon edhe në 500 euro. Gjatë sezonit veror në Lezhë hapen afro 20 mijë vende pune.
“Çështja e krahut të punës është problem, është problem pasi në drejtim të krahut të kualifikuar ne po ndeshim pengesa çdo ditë e më tepër. Duke qenë se kërkesa është e madhe dhe mungesa është pothuajse e madhe”, tha Pashk Palokaj.
Shëngjini, Rana e Hedhun ka një kapacitet akomodues prej 30 mijë shtretërish. Përveç 2 viteve të errëta të pandemisë së Covid-19, numri i pushuesve në plazhe dhe pika të tjera turistike të Lezhës ka ardhur në rritje duke kapur shifrën e një milion vizitorë gjatë sezonit të kaluar.