Turizmi masiv ka detyruar Bashkinë e Pragës të marrë një vendim frenues për vizitorët problematik. Së fundmi bashkia dhe këshilli lokal i Pragës vendosën të ndalojë turet nëpër klube dhe pube, një ritual i turistëve të cilët konsumojnë alkool nga njëri klub nate në tjetrin.
Kjo traditë, është kthyer në shqetësuese për banorët sidomos ata pranë qendrave më të vizituara turistike. Lëvizjet nga një bar në tjetrin janë një aktivitet mjaft i zakonshëm nga turistët e shumtë që mbërrijnë në Pragë të cilët tërhiqen nga fama e jetës së natës së qytetit, por me kalimin e kohës kanë ngjallur shumë ankesa tek banorët.
Kufizimi do të jetë për fashën orare 22:00 deri në orën 6 të mëngjesit, kohë në të cilat baret do të jenë ende të aksesueshme lirisht. Në vendimin e autoriteteve shpjegohet se "konsumimi i paarsyeshëm i alkoolit dhe sjellja zhurmuese e lidhur me këto shëtitje nëpër lokale mund të ketë një ndikim negativ "në perceptimin që turistët, investitorët e mundshëm dhe vetë qytetarët kanë për komunitetin. Nënkryetari i bashkisë Jiří Pospíšil tha gjithashtu se qyteti shpreson të tërheqë turistë "më të kulturuar dhe të pasur", jo ata që vijnë për një kohë të shkurtër vetëm për t'u dehur.
Përveç historisë shekullore të qytetit shumë turistë në Pragë tërhiqen edhe nga çmimi i ulët i birrës i cili në shumë vende kushton aq sa uji ndoshta edhe më pak, dhe në përgjithësi nga reputacioni i qytetit si një vend i mirë për të festuar.
Agjencitë që organizojnë turet në pijetore në Pragë kanë kritikuar urdhërin e ri pasi thonë se nuk janë konsultuar dhe se janë turistët e çorganizuar ata që krijojnë më shumë zhurmë dhe bezdi. Praga ka 1.3 milion banorë dhe është vizituar vitin e kaluar nga 7.3 milion turistë, një rritje me 25 përqind krahasuar me një vit më parë.