Prangosje e bujshme në Malin e Zi, arrestohet ish-kryetarja e Gjykatës Supreme

18 Prill 2022, 23:28| Përditesimi: 18 Prill 2022, 23:33

  • Share

Ish-kryetarja e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica, është arrestuar në aeroportin e Podgoricës ku më pas është dërguar në polici. Ndalimi është bërë për shkak të dyshimeve të bazuara për dy vepra penale, përkatësisht krijimin e organizatës kriminale dhe ndikim të paligjshëm, siç raportojnë mediat malazeze, duke cituar informacionin e policisë.

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviç, Filip Axhiç, krahas tekstit për arrestimin e saj, ka shkruar po ashtu në Facebook se "nuk ka më të paprekshëm" në Mal të Zi. 

“Drejtësia do të trokasë në derën e të gjithëve. Ne do të krijojmë një vend me mundësi të barabarta për të gjithë, një vend të drejtësisë dhe institucioneve të forta, civile dhe evropiane. Mali i Zi mundet!”, shtoi më tej Axhiç.

Në fillim të prillit, portali Libertas publikoi transkriptet e Europol-it, të cilat iu dorëzuan policisë malazeze. Aty ishin biseda telefonike të përgjuara midis saj dhe të birit, Milosh Medenica, i cili dyshohet se e lidhte atë me kontrabandën e cigareve dhe trafikun e drogës. Por nënë e bir, Vesna dhe Milosh, dhe i mohuan akuzat.

Sipas shtypit Libertas, Millosh Medenica ka bërë kontrabandë përmes policit Darko Laloviç, i cili është arrestuar më 15 dhjetor 2021 dhe akuzohet për krijimin e një organizate kriminale, si dhe dyshohet për trafik droge.

Lalovicc është ende në paraburgim, ndërsa me vite ka qenë në krye të sigurimit të Vesna Medenica-s si pjesëtar i Sektorit për sigurinë e personave të mbrojtur të Drejtorisë së Policisë.

Gjithashtu thuhet se Millosh Medenica është larguar nga Mali i Zi menjëherë pas arrestimit të policit Laloviç në fund të vitit 2021 dhe deri më sot nuk është thirrur në polici apo në prokurori.

Në transkriptet e bisedave të përgjuara, Milosh Medenica deklaron se nëna e tij është e njohur me punët e tij dhe se do t’i mbrojë nëse është e nevojshme.

“Sepse ajo i di të gjitha që në fillim, sepse, Zoti na ruajt, është një proces që duhet të na mbrojë”, janë fjalët e Millosh Medenicës.

I pyetur për këtë rast, presidenti malazez Milo Gjukanoviç tha më 12 prill se ai e sheh rastin “Medenica” si një sfidë për organet shtetërore – prokurorinë dhe gjyqësorin, dhe se nuk ka dyshim se ata do ta bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, do të hetojnë të gjitha rrethanat dhe të informojë publikun malazez për sjelljen e tij në atë rast.

Që nga viti 2003, Vesna Medenica ka mbajtur dy nga postet më të rëndësishme në gjyqësor.

Ajo ka qenë Prokurore e Lartë e Shtetit e Malit të Zi për katër vjet, dhe më pas ka drejtuar Gjykatën Supreme për tre mandate nga viti 2007 deri në dhjetor 2020, kur dha dorëheqjen.

Mandati i saj i shumëfishtë në krye të Gjykatës së Lartë është kritikuar nga një pjesë e opinionit ndërkombëtar dhe vendas për shkak se ekziston një dispozitë kushtetuese që i njëjti person mund të zgjidhet në atë post jo më shumë se dy herë. 

G.B./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?