Foto ilustruese

Sociale
Top 24

Pranimet në Universitet, Qeveria vendos notën mesatare

20 Prill 2018, 18:12| Përditesimi: 20 Prill 2018, 18:18

  • Share

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave të zhvilluar në Fier, ekzekutivi ka marrë vendim për notën mesatare, për gjithë ata që duan të ndjekin studimet e larta. Në vendimin e Qeverisë thuhet se do të kenë të drejtë studimi të gjithë ata persona që kanë notë mesatare mbi 6.

Kjo mesatare llogaritet nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë. Gjithashtu edhe nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2018-2019, nota mesatare e përllogaritur, sipas këtij vendimi do të jetë nota 7.

Vendim i Këshillit të Ministrave: 

PËR PËRCAKTIMIN E KRITERIT TË NOTËS MESATARE PËR PRANIMIN E KANDIDATËVE NË PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË PARË DHE NË PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË OSE TRANSFERIMIN E STUDIMEVE NË VITET E NDËRMJETME TË KËTYRE PROGRAMEVE, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2018-2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 74, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose për të transferuar studimet në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.

2. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose për të transferuar studimet në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2018-2019, të jetë nota 6 (gjashtë). Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si më poshtë vijon:

a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë.

b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

3. Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2018-2019, nota mesatare e përllogaritur, sipas këtij vendimi, të jetë nota 7 (shtatë). Programet e studimit të fushës së mësuesisë përcaktohen në shtojcën 1, që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi. Nota mesatare për pranimin në programet e mësuesisë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve të përcaktuar në shkronjat “a” e “b”, të pikës 2, të këtij vendimi.

4. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi.

5. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.

6. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas përcaktimeve të pikës 2, të këtij vendimi. Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat te njësia arsimore përkatëse.

7. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Komento

Komente

  • Injoranca: 21/04/2018 15:49

    Vëreni mesataren 4 kështu harxhojnë 5-6 vjet te jetës së tyre e mbesin më kunguj se më përpara. Sa për punë pastaj kriter janë instagrami etj....kush e nxjerr më bukur...morali i fabulës 30 vjeçare që me sa duket do vazhdojë edhe 50 vjet të tjera kemi një vend pa të ardhme sepse është kalbur bima që në rrënjë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Trump tarifa doganore 10 për qind Shqipërisë, sa ndikon në ekonomi?