Prapaskenat e Festivalit të Këngës: Dy të deleguarit e Komitetit Qendror ndalonin komunistët para se të hynin në sallë dhe u thonin nën zë se Nefo Myftiu dhe Todi Lubonja…

9 Nëntor 2023, 07:28| Përditesimi: 9 Nëntor 2023, 07:33

  • Share

Është e katërta herë që po shkruaj për Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, (22-25 dhjetor 1972), aq sa ç’kam shkruar para disa kohësh për Konferencën e Tiranës, (16-20 prill, 1956). Edhe këtë radhë për të njëjtën arsye: për mungesën e saktësie historike të disa ngjarjeve që lidhen me këtë festival, të cilat Ramiz Alia, ish-sekretar i parë i parë i PPSh-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës, i përshkruan në librin e tij të fundit “Jeta ime” (2010), ndonëse në të ka pohime objektive, të sinqerta, sidomos  kur ai dëshmon  për gabimet e rënda që sollën në dështimin e sistemit komunist në Shqipëri, të drejtuar nga Enver Hoxha, ku edhe kërkon falje.

Por në përshkrimin e figurës së tij, Ramiz Alia është shpesh herë kontradiktor, sidomos në kapitullin; “Lufta kundër liberalizmit”, ku ndalet te Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (22-25 dhjetor 1972).

Enver Hoxha nis sulmin…!

15 mars 1973. Në mbledhjen e përgjithshme të komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, për dhënie llogari dhe zgjedhje, Enver Hoxha mbajti një fjalim të ashpër, ku sulmoi hapur Fadil Paçramin. “Këta shokë, -tha ai midis të tjerash, – duan që ne të pohojmë se liberalizmi, nuk qenka armiku kryesor. Kjo është teza e armikut. Ne bëjmë pyetjen: Ju jeni me tezat e Partisë, apo me tezat e armikut”? (Enver Hoxha, vepra 50, faqe 297, 1986). Ta analizojmë me vëmendje këtë shprehje. Pra, këta shokë, (kuptohet Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja), na kundërvihen, duke na thënë me veprimtarinë e tyre, se liberalizmi nuk është kaq i rrezikshëm sa konservatorizmi.

(Dhe këtë Fadili, e kishte treguar me prirjet e tij që të zëvendësonte, të paktën në fushën e artit, elementë me vjetërsi pune, qoftë edhe me përvojë, me të elementë të rinj, siç bëri, po të marrim një shembull të thjeshtë, në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku disa artistë e artistë, i detyroi të largoheshin nga skena). Kishte gabuar. Kishte mbiquajtur Teatrin “Migjeni”, Teatri “Bogdani”, se kishte mbetur disi prapa me ritmet e kohës…! Por me gabime si ky, Paçrami paskësh dashur t’i imponojë Partisë, prirjet e tij liberale, aq sa ta detyrojë Enver Hoxhën, të pohojë se kjo na qenkësh teza e armikut? Pra, del se ai qenkësh armik, siç e shpalli pak më vonë? Gjepura!

Enver Hoxha kërkonte koka për të prerë dhe sajonte të tilla situata paradoksale. Si pasojë, Fadil Paçrami, si shumë të tjerë, që kishte ndërprerë studimet e larta në Itali, që ishte bashkuar me partizanët në male, e kishte luftuar, që kishte vënë kokën në rrezik, ai, që pas Luftës, ishte emëruar në poste të larta në qeveri e parti, që ishte bërë edhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë… shndërrohej kështu në armik për të… me ashtuquajturat veprime liberale! Ta zëmë se kjo ishte e vërtetë, por për këto veprime, ai mund të shkarkohej nga sekretar i Partisë së Rrethit të Tiranës, të mbetej komunist i thjeshtë e të punonte diku, qoftë dhe mësues, redaktor, a korrektor letrar…!

Madje, edhe kjo do të ishte e rëndë. Por veprime të tilla absurde, mund të bënte vetëm Enver Hoxha. Por dihet se ai e kishte vënë prej vitesh në shënjestër Fadil Paçramin, madje i kishte tërhequr vëmendjen se më shumë merrej me veprat e tij letrare, kur duhej t’i kushtohej më shumë punëve të partisë, vërejtje të cilat “…Fadili, – siç pohon Marash Hajati, në librin e tij, “Dera e prapme e shtypit”, i kishte pritur me indiferentizëm”. (faqe 80).

Me sa mbaj mend, në atë kohë, kur ai ishte kritikuar edhe sepse, si sekretar partie, që mbulonte edhe artin dhe kulturën, duhej të kishte mbajtur përgjegjësi për Festivalin e 11-të, ai ishte përgjigjur se; RTSh-ja varej nga Drejtoria e Shtypit dhe jo nga Komiteti i Partisë së Tiranës. Pra, tërthorazi, sipas pohimit të tij, përgjegjësia binte mbi Komitetin Qendror, që udhëhiqej… prej vetë Enver Hoxhës! Dhe nëse është kështu, atëherë ai ishte treguar përsëri i hapur, se thoshte një të vërtetë. Natyrisht, këtë diktatori nuk mund ta kapërdinte.

Dihet, gjithashtu, që ai e kishte thirrur në zyrë, ku kishte pasur në krah edhe Hysni Kapon dhe kishte biseduar me të. Dhe Fadili kishte bërë autokritikë, duke nxjerrë nga xhepi një bllok, ku kishte shënuar pikat kryesore të kësaj autokritike. Por kjo nuk i kishte pëlqyer “udhëheqësit tonë të madh”.

Doemos, Paçramit i duhej të vinte me një autokritikë shumëfaqëshe, në të cilën ta dërmonte veten e, mbase, edhe kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për diktatorin, siç nuk kishte qenë më vonë autokritika prej 25 faqesh e Mehmet Shehut, ku edhe sikur ta kishte quajtur veten pleh, kjo mbase nuk do ta kënaqte Enver Hoxhën. Dhe diktatori niste kështu sulmin ballor, ndaj Fadil Paçramit.

Po le të kthehemi tek mbledhja, duke u bazuar përsëri në librin e Marash Hajatit, “Dera e pasme e shtypit: “Në të ashtuquajturën mbledhje – shkruan ai, – nuk pati asgjë tjetër, as referate, as diskutime. Bile, as nuk u kërkua të bënte dikush pyetje, apo sqarime. Aty pati vetëm heshtje. Dhe këtë heshtje, e theu ngritja nga vendi me shumë burrëri e Fadil Paçramit dhe largimi nga salla”. (faqe 80). Është e kuptueshme se pyetja: “Ju jeni me tezat e Partisë, apo me tezat e armikut”? i drejtohej edhe Todi Lubonjës. Kështu filloi edhe sulmi i Enver Hoxhës ndaj tij.

“Edhe unë, – shkruan ai në librin “Jeta ime”, – u gjenda në pozitë të vështirë. Isha në postin e sekretarit të Komitetit

Qendror të PPSh-së dhe përgjigjesha për fushën  e propagandës e të kulturës. Pra kritikat që bëheshin, kishin të bënin drejtpërdrejt edhe me veprimtarinë time. Duhet të them se në fillim, nuk mendoja se kjo “fushatë” do të kishte ato pasoja që pati, sidomos për disa shokë, si për Todi Lubonjën, ose për Fadil Paçramin. Nuk mund të them se isha kundër diskutimeve që bëheshin, por nuk më pëlqenin disa ekzagjerime që viheshin re sidomos kur disa nga “kritikët” njiheshin si njerëz pa karakter, ose pa kulturë. Megjithatë edhe unë, sido që pa shumë entuziazëm u përfshiva në këtë front të luftës ideologjike”. (faqe 264).

Pohim vërtet i vonuar, por i sinqertë. Pra Ramiz Alia pranon ato që më thoshte Todi Luboja, kur gjatë vizitës në malin e Dajtit, aty nga dhjetëditëshit i parë i marsit të vitit 1973, siç kam shkruar më sipër, përpiqej ta qetësonte, duke  shpjeguar se kritikat e Enver Hoxhës për Festivalin e 11-të, nuk do të shkonin më tutje. Por ndodhi krejt e kundërta…!

Sulm i hapur kundër Todi Lubonjës në RTSh

Në javën e fundit të marsit të atij viti, në një mëngjes të ngrysur, në sallën e madhe të Orkestrës së Radio-Televizionit, u bë mbledhja e përgjithshme e organizatave të partisë së Radios së Brendshme, të Radios së Jashtme, të Televizionit, të sektorit teknik dhe administratës së RTSh-së, me rreth 100 komunistë. Rendi i ditës, dihej: Pak a shumë-gabimet e Todi Lubonjës, sidomos në organizimin e Festivalit të 11-të.

Së bashku më dy shokë, redaktorë, kaluam urën që lidh ndërtesën e TV-së me atë të Radios dhe qëndruan një çast në mesoren e katit të tretë, nga dritaret e së cilës, duket oborri brendshëm i Radios. Ajo që na bëri përshtypje, ishte vetëm se për të marrë pjesë në këtë mbledhje, kishin ardhur dy të deleguar nga Komiteti Qendror i Partisë, por sepse ata, siç na tha pastaj nën zë një shok komunist, në hyrje të sallës së madhe të orkestrës simfonike të Radios, ku do të zhvillohej mbledhja, ndalnin komunistët dhe u jepnin këtë porosi: “Në diskutimet tuaja, bëni dallim midis Nefo Myftiut dhe Todi Lubonjës, që është përgjegjës për gjithçka që ndodhin në festival”!

Në të vërtetë, nuk ishte kështu: siç dihet, është drejtoria e Radio Tiranës, nga e cila varet dhe Orkestra, që merret me organizimin e festivalit, që nga caktimi një komisioni për zgjedhjen e këngëve, redaktimin e teksteve, regjisorin… e gjithçka tjetër. Sigurisht që edhe drejtori i përgjithshëm, jep orientimet e duhura, të cilat atëherë merreshin drejtpërdrejt nga Komiteti Qendror. Dhe në këtë rast, Todi Lubonja, siç më thoshte në takimet tona, kishte dhënë porosi kryesisht që festivali, të përshkohej nga këngë edhe më të gjalla, me tekste më të goditura, të ndjehej, kështu, që ndodheshim në një shfaqje të këndshme kënge, shkurt, të bëhej një hop edhe më i madh, në ngritjen e cilësisë artistike të tij. Dhe këto porosi, ai i kishte marrë edhe nga drejtoria e propagandës e Komiteti Qendror, që drejtohej nga Pirro Kondi dhe, sigurisht edhe nga Ramiz Alia, që të dy, shokë lufte të tij.

Mirëpo, me këto porosi të shokëve të Komiteti Qendror, që morën pjesë në atë mbledhje, kuptohet se Nefoja, si gruaja e Manush Myftiut, anëtar i Byrosë Politike, nuk do të goditej si Todi Lubonja. “Ne, komunistët, – më thoshte pastaj shoku që mori pjesë në atë mbledhje, – qemë të detyruar, që të gjitha shigjetat e kritikave tona të ashpra, t’i drejtonim kështu ndaj Todi Lubonjës. Por, të them të drejtën, me përjashtim të ndonjë elementi karrierist, nuk na bënte zemra të kritikonim Todi Lubonjën.

E kuptonim se me Festivalin e 11-të, po teprohej qëllimisht dhe në mënyrë tendencioze, drejt e nga Enver Hoxha. Por, nuk kishim nga t’ia mbanim. Dhe Todi Lubonja, në diskutimin e tij, të gjitha përgjegjësitë, i mori mbi shpatullat e tij, edhe për të lehtësuar Nefon, me të cilën ishte në marrëdhënie shumë të përzemërta”. Në pushimet midis mbledhjes. e pashë Todin, të zhytur në mendime, i vetmuar dhe i ulur në një stol të gjatë, aty ku zakonisht uleshin orkestrantët. Çfarë mendonte vallë?! Që do të largohej nga RTSh-ja, këtë e dinte, po si do të përfundonte pastaj ky kalvar?!

Erdhi dhe muaji prill. Në ditët e para të tij, u bë mbledhja e kolektivit të Televizionit. Këtë radhë, Todi Lubonja u vu përballë nesh, redaktorëve, inxhinierëve, teknikëve. Unë, ato ditë kisha nisur lejen krijuese dhe po punoja në Arkivin e Shtetit, për të grumbulluar materiale për romanin “Atentat në Paris”, që u botua më 1978.  Nuk doja të ndodhesha në atë mbledhje, por, shkova atje, se diç duhej të merrja në zyrë dhe u ndodha vetëm në një seancë. Atje pashë që punonjësit, vërtet kritikonin festivalin dhe Todi Lubonjën që rrinte i ulur, nga fundi i sallës së madhe të regjistrimeve në Televizion.

Por pa mllef. Madje, edhe sekretari i partisë. Pati dhe ndonjë redaktor, që mori guximin edhe diç tha, si për ta mbrojtur Todin. Do ta kishte pasuar më pas, por i doli në mbrojtje një shok tjetër, që i kishte krahët e ngrohta dhe ai, pa filluar ndonjë furtunë, gjeti vend të punonte në një revistë. Me të mbaruar kjo seancë, gjeta rast dhe u largova. Dhe isha i justifikuar, siç thashë se isha me leje krijuese. Por shokët më thane, se Todi Lubonja kishte diskutuar shkurt, e si në mbledhjen e organizatës së partisë, së Radio-Televizionit Shqiptarë.

Kthim në shinat e rrugës së vjetër

Pas disa ditësh, në mëngjesin e 11 prillit, gjithnjë të vitit 1973, kur, ndonëse me leje krijuese, përsëri m’u desh të shkoja në Radio-Telvizion për një punë. Sapo u futa në ndërtesë, një grup shokësh më thanë, kush të mundte më parë: -“A e di kush është caktuar drejtori yni”? –“Jo”! –“Thanas Nano”! Mbeta i drunjëzuar, ashtu siç kishin mbetur edhe ata, kur kishin dëgjuar këtë çudi.

 

Çdo gjë kishim gjykuar, na kishte shkuar mendja te plot njerëz të zot e me horizont, që mund të caktoheshin në këtë detyrë, por kurrë që të kthehej… Thanas Nano, i cilësuar nga Partia, me gojën e Manush Myftiut, në një mënyrë a në një tjetër, si; konservator, në atë mbledhje për të cilën kam shkruar më sipër dhe që duhej zëvendësuar, me një drejtor me më shumë horizont.

Por më mirë po citoj sërishmi, se çfarë shkruan Marash Hajati në librin e tij; “Dera e prapme e shtypit”, i cili në atë periudhë, ishte instruktor shtypi në Komitetin Qendror dhe një vit më pas, në gusht 1973, do të emërohej drejtor i RTSh-së, e më pas drejtor i përgjithshëm, i saj: “Para së gjithash, kërkohej urgjentisht emërimi i drejtorit të përgjithshëm. Kërkime për kandidaturat e mundshme, ndoqën një ‘maratonë’ të paparë zyrash. Nën drejtimin e dy sekretarëve të Komitetit Qendror, u shfletuan shumë dosje, u hartuan shumë karakteristika dhe u formulua relacioni përfundimtar.

Ndihmesa e sektorit tonë të shtypit, për të zgjedhurin në postin e drejtorit të ardhshëm të RTSh-së, ishte modeste, vetëm dhënia e mendimit, nëse ai mund t’i dilte zot asaj detyre, në fushën e gazetarisë. Materiali i plotësuar me një numër kandidaturash, ku rreshtoheshin emra personalitetesh, si anëtarë të Komitetit Qendror, të qeverisë, titullarë dikasteresh, etj., iu paraqit Enver Hoxhës, i cili, mbasi e studioi me kujdes, bëri përafërsisht këtë shënim mbi materialin:

“Në Radio, të kthente Thanasi. Në fushën profesionale, mangësi mund të kemi, ama, proçka si ato të Todit, nuk do të bëjë”, Nënshkrimi, Enver Hoxha. Ky kthim i papritur në “shinat” e rrugës së vjetër, qe një mospërfillje, e gjithë kësaj pune voluminoze që u bë për të nxjerrë në krye të Radio-Televizionit, të paktën një figurë të re. Mirëpo, pranonte Enver Hoxha eksperimente të tjera mbas asaj që kishte ndodhur”?! (faqe 81).

Ai vazhdonte në traditën e një diktatori, që nuk kërkon mendim nga askush dhe mohon mendimet e kujtdo. A nuk kishte qenë ai, siç e pamë më lart, që kishte urdhëruar që pjesët teatrore; “Rrethimi i bardhë” dhe “Njollat e murrme”, të mos shfaqeshin për gabime për ideore, kur kryeministri Mehmet Shehu, e kishte cilësuar dramën e dytë të shkëlqyer, në trajtimin e problemeve shoqërore?! A nuk kishte qenë ai, që kur Ramiz Alia, kishte thënë si me shaka për këngët e tij, vetëm fjalët; “Mos janë këto bonbone të veshura me sheqer që mbajnë brenda helm”?!, (Todi Lubonja, “Nën peshën e dhunës”, 2010, faqe 303, 304), kurse ai, nuk e kishte pëlqyer dhe për një kohë të gjatë, kishte heshtur!

A nuk kishin qenë Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, siç shkruan Ramiz Alia në librin e tij; “Jeta ime”, që të nesërmen e përfundimit të festivalit, që nuk kishin bërë vërejtjen më të vogël, kurse pas kësaj heshtjeje, Enver Hoxha por kurdiste tërë këtë luftë ndaj tij, me pasoja që ende nuk dihej cilat do të ishin?!

Tanimë, në rastin e mësipërm, po ai, me një të rënë të lapsit, nëpërkëmbte një goxha listë të tërë kandidatësh, për vendin bosh të drejtorit të përgjithshëm të RTSh-së, të miratuar nga dy sekretarë të Komitetit Qendror, një ndër të cilët ishte përsëri, me siguri, Ramiz Alia dhe tjetri, ndoshta, Hysni Kapo, për të rikthyer… Thanas Nanon, në drejtimin e RTSh-së!

A nuk nëpërkëmbte edhe gjykimet e sekretarin e Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, Manush Myftiu dhe zv/kryetarin e Këshillit të Ministrave, Xhafer Spahiu, që i paraqitën kolektivit të RTSh-së Todi Lubonjën, me vizion dhe mendim të ri, që zëvendësonte Thanas Nanon, i cili nuk u përshtatej zhvillimeve të vrullshme të kohës? (Kurse Ramiz Alia, kujtojmë edhe një herë në librin e tij; “Jeta ime”, shkruan se; Enver Hoxha “i dëgjonte shokët dhe merrte vendime kolegjiale”!?).

Pastaj, a nuk kishte qenë ai, që në fjalimet e tij, theksonte se duhej të luftonim njëlloj, si konservatorizmin, ashtu edhe liberalizmin, si dy armiq të egër të shoqërisë socialiste?

Atëherë, nëse e quante Todi Lubonjën liberal, si kthente përsëri në RTSh-ë, konservatorin Thanas Nano?! Dhe i ndërgjegjshëm se nga ana profesionale “mund të kemi mangësi”. Pra, ia njihte aftësitë e kufizuara të tij, por problemi ishte se; “proçka” si ato të Todit, nuk do të lejonte?!

Për Enver Hoxhën, kjo ishte më e kryesorja, të tjerat nuk kishin rëndësi. Se RTSh-ja, mund të mos kishte përmirësime nga ana artistike, kjo duket nuk e shqetësonte. Shqiptarët e shkretë, që me kursime të stërmundimshme, mezi arrinin të blinin një televizor që kushtonte 4.500 lekë (të reja), kur mesatarja e rrogës mujore të tyre, ishte rreth 500 lekë, vetëm proçkat e mësipërme të Todit të mos shihnin?!/Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?