Në fillim të muajit mars, grupi parlamentar demokrat me në krye Rudina Hajdarin kërkoi shkarkimin e deputetes Fatjona Dhimitrit si kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit dhe zëvendësimin e saj me deputetin Halil Jakimi. Megjithatë, Fatjona Dhimitri rezulton se ka marrë pjesë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të datës 29 prill 2020, pra rreth dy muaj më vonë, si kryetare e Komisionit të Edukimit. Por, gjatë kësaj mbledhje, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka pohuar se deputetja Dhimitri është zëvendësuar nga grupi i saj. Balla ka zbardhur edhe prapaskenat e largimit të Dhimitrit. Sipas Ballës, deputetja ka bllokuar në Komision plotësimin e vakancave në AMA-s dhe miratimin e strukturës dhe organikës së Akademisë së Shkencave. Dhimitri e ka konsideruar si abuzive strukturën e Akademisë së Shkencave, ndërsa ka shtuar se ndaj saj po zbatohen politika kërcënuese.
Diskutimet në Konferencën e Kryetarëve
-Taulant Balla: Lidhur me kryetaren e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ky është i vetmi komision që nuk funksionon në këtë kohë të vështirë. Të them të drejtën, di që Grupi Parlamentar Demokrat ka propozuar zëvendësime të drejtimit të këtij komisioni. Unë mendoj se është e domosdoshme që ky komision të rivendoset në punë me të njëjtin ritëm të komisioneve të tjera parlamentare. Në një kohë kaq të vështirë Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik duhet të kishte qenë një dritare kuptimplotë për të bërë sa më shumë thirrje për fëmijët, që të ndjekin arsimin në televizion apo arsimin online dhe problematika të tjera të rëndësishme, që lidhen me detyrat që mbulon ky komision i përhershëm i Kuvendit. Megjithatë, nuk është koha për të bërë debat për këto çështje, por dua të ritheksoj sërish që Kuvendi i Shqipërisë kurrsesi nuk mund të bëhet pengesë për të vijuar axhendën legjislative dhe detyrat e rëndësishme që ka Kuvendi.
-Fatjona Dhimitri: Në përgjigje të z. Balla për mungesën apo mosfunksionimin e Komisionit të Edukimit, dua t’ju bëj me dije se në kalendarin e këtij komisioni kanë qenë të parashikuara seanca dëgjimore për sa u përket plotësimit të vakancave në RTSH apo të AMA-s, miratimi i strukturës dhe organikës së Akademisë së Shkencave, strukturës abuzive apo vjedhjeve të saj, çka janë publikuar nga unë këto ditë dhe kjo ka qenë një ndër arsyet përse unë jo e kam penguar, por jam ndalur në zhvillimin e seancave të tilla dëgjimore. Për sa i përket pjesës së parashikuar lidhur me miratimin e strukturës dhe organikës së Akademisë së Shkencave, kemi marrë edhe përgjigjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila e hedh poshtë këtë lloj strukture. Pra, mund të themi se i gjithë ky kalendar ka qenë për t’u realizuar, por kemi qenë në pritje të disa përgjigjeve. Unë nuk i kam zhvilluar për arsye të prioritetit që u kam dhënë masave kundër COVID-it, masave për dhënien frymëmarrje jetës së qytetarëve. Por kjo nuk do të thotë që unë i kam anashkaluar detyrat dhe funksionet e mia, ashtu sikundër po thotë edhe zoti Balla. Të tilla politika kërcënuese të zëvendësimit apo të gjyqit politik që zoti Balla kërkon të më bëjë mua vetëm e vetëm për të më ndaluar....
-Taulant Balla: Grupi parlamentar ju ka zëvendësuar.
-Fatjona Dhimitri: Të lutem shumë, më lër të flas! Ndaj të tilla fakteve, të cilat unë i kam denoncuar dhe i kam bërë publike, të lutem shumë, ndalu! Kjo nuk ka lidhje fare me mosfunksionimin e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Gjithashtu, kam parashikuar seanca dëgjimore me ministren e Arsimit, por kam qenë në pritje deri në masën që ajo do të marrë, se çfarë do të bëhet me maturat, me klasat e nënta dhe më pas unë të zhvilloj seanca dëgjimore. Z. Balla, politika të tilla kërcënuese mos zbato ndaj meje! Në qoftë se juve nuk ju pëlqen zbardhja e fakteve, zbardhja e abuzimeve që unë kam bërë qoftë nëpër medie ndaj qeverisë suaj, qoftë edhe në komision, z. Balla, atëherë kjo është puna juaj, jo imja!