Pr/buxheti 2021, Angjeli: Është plan anti-krizë, por rrezikohet nga zgjedhjet e 25 prillit dhe COVID (VIDEO)

28 Tetor 2020, 14:11| Përditesimi: 28 Tetor 2020, 15:43

  • Share

TIRANË- Projektbuxheti i vitit 2021 është anti-krizë por sipas ish ministrit të Financave Anastas Angjeli cenohet nga dy rreziqe kryesore.

“Synimi kryesorë është që të jetë një buxhet anti-krizë, anti recesion dhe është një buxhet i rimëkëmbjes ekonomike, për t’ju rikthyer edhe një herë pyetjes tuaj një rimëkëmbje ekonomike, një rigjallërim i ekonomisë pas rënies ekonomike në përgjithësi. Dy janë rreziqet kryesore: I pari është risku që vjen si rrjedhojë e faktorit elektoral. Rreziku elektoral qëndron jo thjeshtë nga përdorimi i buxhetit për efekte elektorale por edhe nga situata dhe klima politike e krijuar. Klima politike në periudha elektorale ndikon në ekonomi, natyrisht jo për mirë për fat të keq. Rreziku i dytë është pandemia, të cilin e konsiderojmë një ekuacion me shumë të panjohura dhe që di do të vejë ashtu do të reflektojë në ekonomi”, tha për Report TV Anastas Angjeli.

Në një intervistë për Report TV, relatori i projektbuxhetit Angjeli thotë se pavarësisht mbështetjes buxhetore të orientuar tek pasojat e pandemisë COVID-19, nuk mund të flasim për rigjallërim ekonomik pa u mposhtur pandemia.

“Megjithëse jemi në një situatë të jashtëzakonshme të COVID-19 shuma e parashikuar ka marrë parasysh të gjithë skenarët e mundshëm të përmirësimit dhe përkeqësimit të situatës, që përfshin infrastrukturën shëndetësore, medikamentet vaksinën e mundshëm, ju është bëre e njohur një kontratë që është lidhur për 1.4 milionë vaksina dhe ne të njëjtën kohë edhe për pajisjet e nevojshme për spitalet edhe sikur të kemi një variant të përkeqësimit të krizës. Nuk do të ketë një rigjallërim ekonomik pa u mposhtur pandemia, prandaj vëmendja dhe kujdesi për mposhtjen e pandemisë edhe në këtë projekt është shumë e madhe sepse është e qartë që pa e mundur këtë pandemi nuk mund të fillojmë rigjallërimin e ekonomisë”, u shpreh Angjeli.

Pavarësisht kësaj pasigurie të shkaktuar nga pandemia deputeti socialist thotë se dy janë levat kryesore të 2021 për kapërcimin e situatës së krijuar ekonomike.

“Masat që janë marrë për biznesin e vogël dhe të mesëm do të kompensohen me hapësirat e reja fiskale që do të krijojë investimi në infrastrukturë dhe zhvillimi e ringritja ekonomike si dhe rindërtimi që merr një shumë të konsiderueshme, nga 34 miliardë lekë që mori në këtë vit, në 28 miliardë në vitin që vjen dhe po të konsiderojmë edhe bonueset që vihen në dispozicion të pastrehëve dhe po të konsiderojmë edhe mbështetjen e donatorëve, janë dy leva të fuqishme, dy instrumente të fuqishëm për ti dhënë xhiron e parë të fortë rigjallërimit ekonomik”, tha deputeti i PS-së.

Në rast të një goditje të dytë vendi është më i përgatitur sipas ish ministrit, dhe përsëri mbështetja sociale dhe ekonomike do të fokusohej tek garancitë sovrane, subvencionimi i pagave, si dhe krijimi i hapësirave fiskale.

Intervista me Anastas Angjelin
Zoti Angjeli kemi miratuar një projektbuxhet në kushte të pazakonta dhe pandemie në vlerën e 479 miliardë lekëve. Disa nga ekspertët e konsiderojnë të guximshëm sepse mbështet disa projekte infrastrukturore dhe disa të tjerë e konsiderojnë elektoral. Cili është komenti juaj?

Padyshim që ambienti ekonomik i jashtëm dhe i brendshëm në të cilin diskutohet ky projektbuxhet dhe do të miratohet është një ambient i njohur dhe i pranuar. Një ambient i vështirë një ekonomi globale, evropiane, rajonale, dhe brenda vendit në recesion. Në të njëjtën kohë në një ambient që kërkon një vëmendje të madhe në politikat buxhetore dhe fiskale, kështu që parë nga ky këndvështrim dhe sesi qeveria e ka parë buxhetin, synimi kryesorë është që të jetë një buxhet antikrizë, anti recesion dhe është një buxhet i rimëkëmbjes ekonomike, për t’ju rikthyer edhe një herë pyetjes tuaj një rimëkëmbje ekonomike, një rigjallërim i ekonomisë pas rënies ekonomike në përgjithësi, kërkon padyshim politikat e investimeve ekonomike me qëllim që politika fiskale të krijojë hapësirë fiskale për më shume investime dhe ky ka qene synimin. A është ky një buxhet elektoral? Viti që vjen është elektoral ndërsa buxheti nuk mund te konsiderohet elektoral për dy arsye. Së pari me ligjin e ri elektoral janë vendosur barriera dhe kufizime që të mos kryhen veprime që mund ti shërbejnë ne mënyrë buxhetore dhe fiskale zgjedhjeve elektorale. Së dyti  po ti hidhni një vështrim projektit të paraqitur duket mjaft qartë që në përgjithësi, qe edhe pse shuma e investimeve mund t’ju ketë bëre përshtypje është përgjithësisht në funksion në elementëve të krizës, dhe për të rigjallëruar ekonominë është fokusuar tek projektet në vazhdim dhe jo tek projektet e reja. Kështu që projekteve të vazhduara dhe kalimi me fondeve buxhetore të investimeve në ketë fushë është një mbështetje ashti sikurse edhe mbështetja e rindërtimit për ta rigjallëruar ekonominë. Synimi është i qartë instrumentet që janë përdorur unë mendoj që janë të drejtë.

Në fakt jemi në një situatë pandemisë dhe te gjithë prisnin një projektbuxhet që shkonte kryesisht tek situata e pandemisë dhe buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, por ka ndodhur e kundërta edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka buxhetin më të lartë rritja më e madhe e fondeve u bë tek Ministria e Infrastrukturës. Mendoni ju se buxheti e mbështet mjaftueshëm kapërcimin e pandemisë?

Unë besoj se gjatë këtij viti kemi qenë shumë të vëmendshëm për të përballuar pasojat sociale, humanitare dhe shëndetësore si pasojë e pandemisë COVID- 19. Ju e dini që gjatë periudhës qe kaloi kur startoi dhe kur arriti kulmin në pranverë, shumë mbështetje financiare ju dhanë ministrisë së shëndetësisë për ta përballuar, duket se kjo politikë po vazhdon deri në fund të vitit dhe do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, kjo duket nga buxheti që ju dha ministrisë së shëndetësisë prej 6 miliardë lekësh dhe në të njëjtën kohe pa përfshirë këtu edhe mbështetjen financiare që do të jepet për rritjen e pagave për personeli parësor dhe dytësorë të shëndetësisë. Nuk mund të krahasosh shifrat e shëndetësisë dhe të infrastrukturës sepse janë objekte të pakrahasueshme. Megjithëse jemi në një situatë të jashtëzakonshme të COVID-19 shuma e parashikuar ka marrë parasysh të gjithë skenarët e mundshëm të përmirësimit dhe përkeqësimit të situatës, që përfshin infrastrukturën shëndetësore, medikamentet vaksinën e mundshëm, ju është bëre e njohur një kontratë që është lidhur për 1.4 milionë vaksina dhe ne të njëjtën kohë edhe për pajisjet e nevojshme për spitalet edhe sikur të kemi një variant të përkeqësimit të krizës. Nga ana tjetër duhet të kuptoni që pasojat e krizës COVID-19, reflektohen menjëherë në ekonomi sikundër edhe u reflektua dhe vijon të reflektohet sidomos në çështjen e mbylljes së bizneseve dhe të mbylljes së vendeve të punës. Kështu që ka një korrelacion shumë te fortë midis pandemisë dhe rigjallërimit ekonomik. Nuk do të ketë një rigjallërim ekonomik pa u mposhtur pandemia, prandaj vëmendja dhe kujdesi për mposhtjen e pandemisë edhe në këtë projekt është shumë e madhe sepse është e qartë që pa e mundur këtë pandemi nuk mund të fillojmë rigjallërimin e ekonomisë. Punojmë paralelisht në mënyrë që të krijojmë hapësirën e nevojshme fiskale për të investuar në ekonomi dhe për ta ringjallur atë.

Janë disa litarë të shpëtimit, që ishin dhe do të jenë në vëmendjen e qeverisë dhe janë edhe në këtë projekt për tu përgatitur për çdo skenar për të pasur paketat e mbështetjes të cilat janë të inkluduara në projektbuxhet nëse do të detyrohemi, nëse skenarët do të jenë jo siç është parashikuat deri më tani, do të përdoren ato.

Cilët janë këto litarë?

Janë Garancia sovrane, është subvencionimi i pagave siç u bë dy herë gati do të jetë nëse do të jetë e nevojshme, është dhe krijimi i hapësirave fiskale me qëllim që të kemi mundësi të investojmë në infrastrukturë, në digjitalizim, të investojmë gjithashtu edhe në shëndetësi dhe arsim.

Zoti Angjeli, të gjitha këto nisma qe ju i përmendet që mund të ndërmerren në rast të një goditje të dytë, të cilat janë zbatuar edhe në karantinën e parë por përsëri bizneset kërkuan një paketë rimëkëmbje. I konsideronin të mjaftueshme paketat ë miratuara meqë kemi në horizont edhe një garanci të tretë ?

Përderisa u përdorën të gjitha paketat, një sërë akte normative që u fokusuan jo vetëm në protokollet që kishin të bënin vetëm me pikëpamjen shëndetësore anti-COVID por kishte edhe lehtësi fiskale dhe duhet të kuptoni që këto lehtësi fiskale nuk përfundojnë, këto vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Madje dy të fundit fillojnë në vitin e ardhshëm, kjo do të thotë që efekti i paketës fiskale është në vijimësi edhe për vitet e ardhshme për sektorët e goditur, jo vetëm për turizmin, jo vetëm për shërbimet por edhe për sektorët e tjerë të cilët rezultuan të goditur siç janë fasonët, siç mund të jenë edhe sektorë të tjerë të bujqësisë aq sa është goditur. Pra janë element funksional në vazhdimësi në varësi dhe të situatës. Paketat aq sa kishte mundësi dhe mbante hapësira fiskale buxhetore dhe mbështetja që iu dha nga donatorët është përdorur maksimalisht dhe do të vazhdojë të përdoret si rrjedhojë e zbatimit të legjislacionit, ndryshimeve dhe lehtësirave që ju bënë por edhe të projektit të ri të buxhetit që do të miratohet në parlament.   

Zoti Angjeli këto dy nismat e fundit që janë edhe shumë ambicioze për biznesin e vogël duke rritur pragun e TVSH-së në 10 milionë lekë dhe duke hequr tatim-fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë. Por nëse do të shikojmë zërat buxhetor të projektbuxhetit të ardhurat nga këto zëra janë përsëri në rritje, konkretisht + 3 miliardë lekë për tatim-fitimin dhe -13 miliardë lekë për TVSH-në. Si mund ta argumentojmë këtë fakt?

Padyshim që një projekt si ky i paraqitur i cili do të fokusohet në disa karakteristika themelore siç është rritja ekonomike prej 5.5%, në një kohë që kemi një tkurrje të ekonomisë këtë vit me -6.1% pra kemi një rritje të krahasueshme me rezultatin plus tkurrjen, duhet ta vlerësoni drejt edhe rritjen. Vjen mbi bazën e një prognozomi dhe parashikimi të situatë së COVID në mënyrë globale, evropian dhe rajonale. Po të shikoni të dhënat e ekonomisë globale, rezulton që tkurrja e ekonomisë globale do të jetë 4.4%, ajo evropiane është 7.8%, eurozona gjithashtu është 8.7%, pra tkurrja është e madhe ndërkohë që janë marrë të gjitha masat, nga institucionet ndërkombëtare, nga eurozona, nga Banka qendrore evropiane që ekonomitë e vendeve të goditura nga kriza të kenë mundësi në bazë të disa programeve të mëdha të furnizohen me para dhe siç e dimë të ardhurat e ekonomisë globale parashikohen të rriten me 9 trilionë dollarë, ekonomia evropiane do të furnizohet gjithashtu deri në 2027 me gati 1.3 trilionë euro, të cilat kanë çuar në mendimin që ekonomitë gjatë vitit të ardhshëm do të rriten mbi 5%. Kështu që edhe ekonomia shqiptare është prognozuar në konsultim me këtë situatë dhe në konsultim me institucionet ndërkombëtare. Rritja e të ardhurave është një korrelacion, që një rritje ekonomike e tillë na çon në një rritje ekonomike të të ardhurave ose anasjelltas. Masat që janë marrë për biznesin e vogël dhe të mesëm do të kompensohen me hapësirat e reja fiskale që do të krijojë investimi në infrastrukturë dhe zhvillimi e ringritja ekonomike si dhe rindërtimi që merr një shumë të konsiderueshme, nga 34 miliardë lekë që mori në këtë vit, në 28 miliardë në vitin që vjen dhe po të konsiderojmë edhe bonueset që vihen në dispozicion të pastrehëve dhe po të konsiderojmë edhe mbështetjen e donatorëve, janë dy leva të fuqishme, dy instrumente të fuqishëm për ti dhënë xhiron e parë të fortë rigjallërimit ekonomik. Padyshim që kanë riskun e vet.

Dy janë rreziqet kryesore: I pari është risku që vjen si rrjedhojë e faktorit elektoral. Gjithnjë edhe pse kemi marrë masat ligjore, edhe pse këto masa janë reflektuar në qëndrimet buxhetore në këtë projekt, përsëri rreziku elektoral qëndron jo thjeshtë nga përdorimi i buxhetit për efekte elektorale por edhe nga situata dhe klima politike e krijuar. Klima politike në periudha elektorale ndikon në ekonomi, natyrisht jo për mirë për fat të keq.

Rreziku i dytë është pandemia, të cilin e konsiderojmë një ekuacion me shumë të panjohura dhe që di do të vejë ashtu do të reflektojë në ekonomi. Por tashmë në ecje e sipër padyshim që të gjithë treguesit do të jenë të monitoruar të mbikëqyrur për të parë ndikimet që krijojnë këto zhvillime.

Në këndvështrimin tuaj do të nisë rënia e borxhit në vitin që vjen?

E gjitha kjo situatë e pazakontë nuk mund të venisë të gjithë atë rezultat që u arrit nga viti 2014-2019 dhe veçanërisht nga viti 2016-2019 i cili vuri në kontroll, si pasojë e një konsolidimi fiskal treguesit financiar, vuri në kontroll deficitin buxhetor, balancën primare e ktheu në pozitive, trajektorja e borxhit pasi kishte arritur kulmin në 78-80% filloi të bjerë dhe arriti në 69%. Tani kemi një rikthim tek borxhi mbi 80% por nuk mund të harrojmë që një nga sfidat e rimëkëmbjes ekonomike është edhe përballja me borxhin e lartë në shkallë globale dhe të eurozonës, por edhe për vendin tonë për arsye se në shkallë globale borxhi do kalojë 100%, dhe padyshim në ato vende ku hapësira fiskale e pranueshme pranohet një borxh i tillë, ndërsa në vendin tonë duhet ti rikthehemi uljes në 2021 për të arritur në 2023, për të startuar nga viti i ardhshëm trajektores në ulje. Sa më e madhe të jetë kjo trajektore në rënie aq më e madhe do të jetë edhe aftësia për të investuar në ekonomi. Unë besoj që ne do të kemi një trajektore në ulje sepse buxheti që ka 2-3 vite që vjen me tregues të harmonizuar me buxhetin 3 vjeçar.

Pyetja e fundit është paksa personale duke qenë se ju e njihni fushën e financave publike. Pavarësisht se është një buxhet anti-krizë siç e konsideruar, ka ndonjë kritikë nga ana juaj, apo ndonjë masë tjetër që duhej të ishte përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2021?

Unë besoj se përgjithësisht se janë ruajtur konturet drejt, ka një projeksion i cili padyshim në varësi të ecurisë COVID duhet të jetë më realist, ajo që ndoshta duhet parë është që të jemi shumë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për minimizimin e rreziqeve që përmenda, sidomos tek të ardhurat me qëllim që paralelisht për të realizuar objektivin në vitin 2021 edhe pse është vit elektoral, ne duhet të fillojmë procesin e fiskalizimit për të pasur një konsolidim modest të paktën me qëllim të arrihen objektivat e rritjes së të ardhurave, dhe në këtë mënyrë të kemi mundësinë për të rritur ekonominë.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?