Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, prezantoi në Komisionin për Politikën e Jashtme projektbuxhetin për vitin 2024, i hartuar në funksion të aktivitetit diplomatik dhe konsullor.
Planifikimi ka në themel objektivat e përcaktuara të Programit të Qeverisë Projektbuxheti i MEPJ për vitin 2024 është rreth 3.2 miliard lekë.
Ky buxhet mundëson zbatimin e strategjive, politikave dhe objektivave të shërbimit të jashtëm.
Krahasuar me buxhetin e vitit 2023, ka një rritje prej 9%.
Shtesa e buxhetit konsiston në rritjen e pagave të personelit të shërbimit të jashtëm. Numri i punonjësve të MEPJ për vitin 2024 do jetë 561 punonjës.
Integrimi evropian mbetet objektivi kryesor sipas ministrit të jashtëm…
“Integrimi Evropian, si drejtim strategjik i Politikës së Jashtme. Konsolidimi i kontributeve dhe rolit aktiv të Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare. Marrëdhëniet dypalëshe, si komponent i pazëvendësueshëm për promovimin e interesave të vendit. Forcimi i diplomacisë ekonomike në përmbajtje dhe me mekanizma të reja. Zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Diasporës Shqiptare 2021-2025. Në fokus edhe modernizimi i shërbimeve konsullore”- është shprehur Hasani.
Komisioni, ndryshe nga herët e tjera zhvillua online në platformën zoom, vendim i marrë nga Kryesia e Kuvendit, një ditë pas situatës kaotike të krijuar nga deputetët e Rithemelimit, e cila ka vijuar edhe ditën e sotme.