Pr.buxheti për shërbimin e jashtëm 3.8 miliardë lekë, Hasani: Më i madhi i alokuar ndonjëherë

13 Nëntor, 15:30| Përditesimi: 13 Nëntor, 15:33

  • Share

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se, projektbuxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025 arrin në shifrat e 3.8 miliardë lekëve dhe është më i madhi i alokuar ndonjëherë për shërbimin e jashtëm, ndërsa mbështet shërbimin e jashtëm dhe angazhimin në nismat rajonale dhe programet e Bashkimit Evropian.

Në prezantimin e projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2025” për MEPJ në Komisionin për Politikën e Jashtme, Hasani u shpreh se, “viti që po mbyllim ka shënuar përparime të rëndësishme në politikën e jashtme të Shqipërisë”.

“Hapja e negociatave për anëtarësimin në BE është një ngjarje historike që ka pasur ndikim të thellë në shërbimin e jashtëm të vendit tonë. Gjatë këtij viti ne kemi forcuar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë dhe kemi rritur angazhimet në organizatat ndërkombëtare duke mbrojtur interesat e shqiptarëve kudo në botë”, tha Hasani.

Këto përpjekje, u shpreh ministri, “kanë kontribuar në konsolidimin e imazhit të Shqipërisë si një faktor stabiliteti si dhe një vend me potenciale për investime të huaja dhe zhvillimin ekonomik”.

Për të mbështetur këto nisma, vijoi ai, “ne kemi rritur praninë tonë diplomatike në rajon dhe vendet e të tjera duke hapur ambasada të tjera në Kiev dhe Baku si dhe Konsullata të Përgjithshme në Strugë dhe Ulqin”.

“Këto hapa janë të rëndësishëm për mbështetjen qytetarëve tanë dhe për avancimin e interesave të Shqipërisë në arenën globale”, tha Hasani.

Kryediplomati shqiptar u shpreh se, viti i ardhshëm pritet të paraqesë sfida të tjera për shërbimin e  jashtëm.

“MEPJ ka hartuar një projektbuxhet prej 3.8 miliardë lekësh. Buxheti më i madh i alokuar ndonjëherë për shërbimin e jashtëm. Ky buxhet do të financojë aktivitete të rëndësishme që lidhen me forcimin e marrëdhënieve me BE-në dhe partnerët strategjikë, angazhimin në nisma rajonale dhe forcimin e diplomacisë ekonomike dhe kulturore”.

Ai u shpreh se, disa nga objektivat kryesore për vitin 2025 përfshijnë avancimin e procesit të integrimit evropian, me qëllim përgatitjen për anëtarësim deri në vitin 20230, nëpërmjet reformave në institucione dhe në procese.

Një tjetër objektiv tha Hasani “është, pjesëmarrja aktive në nisma rajonale, ku përfshihet dhe Procesi i Berlinit apo Plani i Rritjes për të siguruar integrimin gradual të rajonit në BE, por që janë mekanizma që ndërthuren fuqimisht në rrugën drejt Brukselit”.

“Ruajtja e profilit të Shqipërisë në fushën e multilaterlizmit. Angazhimi proaktiv në organizatat ndërkombëtare si anëtare të Këshillit të Drejtave të Njeriut të OKB-së apo në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s’, tha Hasani.

Gjithashtu objektiv kryesorë, u shpreh Hasani është edhe thellimi i marrëdhënieve me partnerët strategjikë si SHBA, MB, BE, Italinë, Greqinë, Turqinë dhe shumë vende të tjera për të forcuar bashkëpunimin në fushat e sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik.

Një tjetër objektiv është forcimi i diplomacisë ekonomike me fokus rritjen e shkëmbimeve tregtare edhe thithjen e investimeve të huaja në mënyrë që të nxitet zhvillimi ekonomik.

Rritja e rolit të diasporës shqiptare si një aset për zhvillim e vendit duke forcuar lidhjet me komunitetet shqiptare jashtë Shqipërie është një tjetër objektiv i MEPJ.

Përmirësimi i shërbimeve për qytetarëve përmes platformave dixhitale, modernizmin e shërbimit konsullor online dhe shërbimin E-Visa, që do të lehtësojnë aksesin në shërbime dhe do të sigurojnë mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit.

Padyshim një tjetër objektiv, theksoi Hasani, është mbështetja për Kosovën në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe forcimin e kohezionit të faktorit shqiptar në rajon.

Për t’iu përgjigjur nevojës për rritjen e shkëmbimeve ekonomike tregtare dhe njerëzore, ne theksoi Hasani, “do të zgjerojmë shtrirjen e rrjetit diplomatik e konsullor në shtete dhe rajone të ndryshme të botës. Kjo do të realizohet vitin e ardhshëm përmes hapjes së ambasadave të reja në Bosnje-Hercegovinë. Nuk jemi në një vend të rajonit prej vitesh. Në Indi, fuqia e 5-të ekonomike në botë, por me projeksion për të qenë e treta. Në Indonezi, një vend shumë i rëndësishëm në Paqësor, vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë. Por ehde në Kenia, pasi që nga rënia e komunizmit Shqipëria është tërhequr nga përfaqësimi në kontinentin Afrikan, por të mos harrojmë dhe faktin që në Najrobi gjendet selia e 4-t e OKB-së, pas Nju Jorkut, Gjenevës dhe Vjenës”.

“Kemi dhe plane për të ngritur Konsullata në destinacione strategjike përfshirë dhe rajonin. Këto hapa do të kontribuojnë në forcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe do të ndihmojnë në realizmin e objektivave tona ambicioze për të ardhmen”, tha ai.

Sipas tij, buxheti 2025 është rritur me 635 milionë lekë, ose 20 për qind më shumë krahasuar me buxhetin aktual.

“Projektbuxheti për shërbimin e jashtëm parashikon një rritje të konsiderueshme, janë 635 milionë lekë rritje, që është 20% më shumë se viti aktual, se viti 2024. Kjo është dëshmi e angazhimit të palëkundur të qeverisë shqiptare për të konsoliduar rolin e diplomacisë në shërbim të interesave të vendit dhe në përmbushje të qëllimeve të politikës së jashtme”, tha Hasani.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?