Tani që u zgjodh, urimet “punë të mbarë” për Presidentin e Republikës, Bajram Bega, janë jo vetëm kërkesë e etikës dhe kortezisë, por edhe dëshirë e çdo shqiptari që dëshiron një kryetar shteti të aftë, që do të dijë t’i japë një kornizë të qëndrueshme institucionit akoma flu të Presidentit të Republikës sonë Parlamentare. I mbetet kohës të tregojë sa do t’ja dalë. Arsye për paragjykime nuk ka. Përkundrazi. Detyra e lartë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm që mbante deri të shtunën paradite është dëshmi e karrierës së tij të suksesshme profesionale në lidhje të ngushtë me vlerat e ushtarakut atdhetar.
Përtej personit, mbetet gjithësi një anomali tipike e zoti Rama nxjerrja e emrit të kandidatit favorit për President si e asit nga mënga. Kur ishte e udhës t’i jepej kohë e mundësi zotit Bega, për vetë karakteristikat që ka, të kërkonte mbështetje edhe nga opozita. Një anomali tjetër mbetet befasimi i mjedisit publik dhe ndoshta edhe i vetë kandidatit që nuk e priste. Në një kohë kur posti shumë i lartë i Presidentit të Republikës është më shumë se CV dhe përtej CV-së. Por s’kemi ç’të bëjmë. Në këtë pikë kemi ardhur tani. Qytetarët jo e jo, por as shumica e politikanëve dhe madje as vetë kandidati nuk e di deri në çastin e fundit se është projektuar për ta bërë President.
Zoti Bega u zgjodh me shumicë të thjeshtë nga një palë. Njëlloj si Presidentët e mëparshëm Nishani dhe Meta. Në pikëpamje të legjitimitetit, zgjedhja si fakt i kryer i sfumon numrat. Kudo dhe veçanërisht në Shqipëri ku palët kundërshtare s’po arrijnë më as të mblidhen në një sallë e jo më të zgjedhin me një shumicë traversale Presidentin e Republikës, siç ndodhi kohët e fundit në Itali me rizgjedhjen e Presidentit model të një Republike Parlamentare, Sergio Matarela.
Arsyet pse ndodh kështu në Kuvendin e Shqipërisë janë disa. S’është rasti t’u rikthehemi me radhë. Në thelb, jeta politike në nivelin e krerëve të partive kryesore vazhdon të jetë në kthetrat dhe në inercinë e pluralizmit të simuluar që ushqehet si i tillë me një konfliktualitet kryesisht të kërkuar për qëllime të rrotullimit të pushtetit brenda së njëjtës kaste politike plurale që ka bërë e shpreson të vijojë të bëjë teatrin e demokracisë në Shqipërinë tonë.
Në këtë atmosferë, duke e paraqitur qëllimin si prudencë po të dojë, Rama ka bërë kujdes që veç vetes që është e natyrshme, t’i lerë të kënaqur apo t’i sajdisur të tërë , ca shumë e ca nga pak, me zgjedhjen e tij.
Ata që kanë kërkuar, kanë dashur e duan një President euroatllanist, në marrëdhënie bashkëpunimi të ngushtë me SHBA dhe BE- dhe këta janë shumicë absolute në Shqipëri-, kanë arsye të besojnë e të thonë: “Në rregull zoti Bega e plotëson këtë kërkesë shumë të rëndësishme ”. Veçanërisht në kontekstin sureal të mosshkeljes për një kohe jo të shkurtër të zyrtarëve amerikanë në zyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Vizita e zotit Bega në Pentagon pak ditë para zgjedhjes President mund të jetë një koiçidencë. Sikurse ka qenë një fakt për shkak të detyrës ekspozimi dhe protagonizmi i tij përkrah aleatëve strategjikë amerikanë në stërvitjen e madhe “Defender Europe, 20 21” vitin e shkuar. Euroatllantizmi dhe proamerikanizmi nuk shfaqen thjesht me vizita, takime, foto, veprimtari, shtrëngime duarsh.
Në kushtet e sotme, në vendin tonë proamerikanizmi shfaqet parasëgjithash me mbështetjen e fuqishme të Drejtësisë së re dhe me luftën brenda kuadrit institucional përkatës kundër korrupsionit në sferat e larta. Antikorrupsioni është sot interes kombëtar shqiptar. Njëherësh është përparësi e politikës së jashtme amerikane dhe interes kombëtar amerikan gjithashtu. Këtu do të jetë guri provës për Presidentin e ri. Impulset që ai dhe zyra e tij do t’i japin betejës historike “askush mbi ligjin”, të promovuar nga ambasada e SHBA-e në Tiranë, do të jenë veç të tjerash tregues i integritetit të Presidentit të ri në raport me qeverinë që është “ prodhuesja” numër një e korrupsionit në vend. Nëse e kalon këtë provë- dhe shpresojmë e besojmë se do ta kalojë- do të kemi pse të themi se në krye të shtetit kemi një atdhetar euroattlantist, proamerikan dhe proeuropian me akte.
Në zgjedhjen e zotit Bega kryeministri Rama u ka dhënë vetvetiu Berishës dhe Metës një mesazh detante në raport me mesazhin që do t’u kishte dhënë nëse do të kishte avancuar me kandidaturën e Dvoranit. Duket qartë se Rama ka dashur të shmangë provokimin e tyre.
Në të njëjtën kohë, ai ka bërë kujdes të reflektojë edhe paketën shtesë, përtej kërkesave kushtetuese, të Alibejt, ku në një pikë kërkohej ndalimi i ish anëtareve të Byrosë Politike. Nga të dhënat, duket se prej tyre jetojnë akoma në pleqërinë e thellë Muho Asllani dhe Lenka Çuko.
Kombinimi i një numri të madh meraqesh, që edhe vetë të ndihet mirë, edhe kundërshtarët t’i sajdisë ngapak, vështirë të lejojë e mundësojë që zgjedhja e Presidentit të bjerë mbi figura publike që kanë luftuar kauza, që mbajnë qëndrime, që u dihen pikëpamjet ndër vite, e tjerë. Në fund të fundit mesazhi që u dha është se angazhimi publik nuk vlen për të bërë karrierë në nivele të larta; sa më pak të biesh në sy aq më mirë është. Këtë mesazh Rama e ka dhënë disa herë më parë me caktimet dhe selitjet e befasishme, providenciale, të mjaft personave në poste ministrash e zyrtarësh të lartë. Kësaj radhe e përforcoi. Në këto kushte, zgjedhja e Presidentit nga populli, pa ndryshuar natyrën e Republikës, është bërë një imperativ.