Vendi ynë ka krijuar tashmë një traditë të sondazheve politike gjatë fushatave elektorale. Por kanë munguar sondazhet që fotografojnë pëlqyeshmërinë e partive dhe drejtuesve të tyre nga java në javë, nga muaji në muaj.
Kohët e fundit kjo praktikë e njohur në vendet e lira e matjes në kohë reale të rritjes, rënies apo qënndimit në vendnumëro të partive ka nisur të eksperimentohet edhe në Shqipëri.
I tillë është sondazhi mujor që ka nisur të bëjë për televizonin “Report TV” i mirënjohuri Eduard Zaloshnja, i cili e ka fituar “patentën” e profesionistit duke iu afruar apo duke i rënë në kokë, brenda marshit të gabimit, rezultateve reale të zgjedhjeve shqiptare gjatë pesëmbëdhjete viteve të fundit. Ku ka konkurruar në një nivel me kompani të njohura italiane, greke apo angleze. Pavarësisht diferencës së madhe me to në mjete dhe forca njerëzore.
Në sondazhin e tij të radhës, publikuar të enjten në mbrëmje në “Report TV”, rezulton se nga java e dytë e shtatorit në javën dytë të tetorit PS në pushtet dhe kreu i saj Edi Rama vazhdojnë të jenë në vend të parë, dukshëm të shkëputur nga ndjekësit, me 36 ,8 përqind të pëlqyeshmërisë. Që sipas llogarive të autorit të sondazhit përkthehet në 750 mijë vota të totalit të zgjedhësve në vend. Në vend të dytë është elektorati që nuk zgjedh asnjë prej partive dhe drejtuesve me 30,4 përqind, që përkthehet në 620 mijë vota. Në vend të tretë Rithemelimi i Berishës me rreth 20 përqind, që përkthehet në 405 mijë vota. Në vend të katërt PD e Bashës, me 5,1 përqind, e barabartë me rreth 105 mijë vota. Në vend të pestë PL e Metës me 3,7 përqind ose 75 mijë vota. Vijojnë partitë e tjera të vogla majtas e djathtas që marrin së bashku 85 mijë vota.
Në krahasim me sondazhin e mëparshëm të muajit shtator, Rama si individ është rritur me rreth dyzet mijë vota, Berisha me Rithemelimin ka humbur po aq, PD dhe Basha kanë shtuar pesë-gjashtë mijë vota.
Sondazhi fotografon një skenë përgjithësisht të ngrirë sa i takon atij që duhet të ishte rivaliteti dinamik mes partive të opozitës në një anë dhe partisë së shumicës në anën tjetër. Nuk shihet të ketë garë. Njëlloj si në zgjedhjet reale për kryetarin e Bashkisë së Kukësit, ku aleanca Berisha-Meta, e pa rivalizuar nga PD e Bashës që nuk mori pjesë në zgjedhje, humbi thellë përballë kandidatit të PS-së.
E dhëna evidente e trishtueshme për subjektet e spektrit opozitar është se votat e tyre, edhe po të mblidheshin në një thes, janë sërish dukshëm larg PS-së dhe Ramës. PS nuk po paguan ende kosto elektorale as për konsumimin e gjatë dhe dështimet e shumta në qeverisje, as për për aferat korruptive të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë së saj, të dënuar, të akuzuar, në proces hetimi, apo në gjykim.
Kjo është një e dhënë paradoksale për politikën normale, që duhet të lexohet me përgjegjësi e realizëm. Si e dhënë sondazhi, ku qytetari nuk është nën presionin e bonuseve, parave apo kërcënimeve të ndryshme si në zgjedhjet reale.
Për stanjacionin dhe rënien e opozitës, më shumë se sa stabiliteti i elektoratit proqeveritar, flet numri shumë i madh i zgjedhësve që nuk votojnë asnjë subjekt dhe lider të tyre. Merret i mirëqenë fakti se këta zgjedhës i kanë larë duart me qeverinë, nuk e duan dhe pikë. Përndryshe do të shpreheshin pro saj me zë të lartë, sa të dëgjoheshin edhe nga patronazhistët dhe aktivistët e PS-së.
Ata nuk i bind opozita. Ndaj janë politikisht jetimë derisa të shohin shpresë.
Arsyeja pse nuk ka rrjedhje domethënëse drejt subjekteve opozitare nga blloku i madh i abstenuesve dhe pse dështimet dhe skandalet e qeverisë nuk përkthehen në mbështetje të shtuar për këto subjekte janë më shumë se një dhe dy . Është konsumimi i gjatë në pushtet i liderëve kryesorë të saj, Berishës, Metës, e tjerë, pa llogaritur satelitët e tyre. Edhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë tjetër, thjesht të provuarit gjatë në të gjitha postet dhe largimi me votë masive i Berishës nga pushteti në vitin 2013 e ka zbehur deri në pamundësi të qenët e tyre alternativë fituese e pushtetit.
Një arsye tjetër lidhet me perceptimin se ndryshe nga Rama, i cili ia “dorëzon” drejtësisë së re bashkëpunëtorët dhe zyrtarët e dyshuar e të akuzuar të qeverisë së tij- nga pamundësia për t’i bërë bllok kësaj drejtësie sipas meje, për parim, sipas mbështetësve të tij-, Berisha dhe Meta nuk japin shembullin e nxitjes së hetimeve për afera të dyshuara apo në proces hetimi që kanë lidhje me qeverisjen e tyre të mëparshme. Në të kundërtën, me retorikën dhe qëndrimet që mbajnë investohen për të kundërtën. Madje gjithë ngulmimi i tyre për të mbajtur llogoret politike që kanë zënë ka për qëllim kryesor të evitojë përballjen me drejtësinë. Ky është perceptimi.
Njerëzit duan që elita politike tridhjetë vjeçare të kalojë në skanerin e drejtësisë së re për të gjitha akuzat e ngritura dhe aferat e dyshuara. Kush mendon apo lufton të shmangë këtë lloj transparence ligjore nuk ka asnjë shans të rifitojë zgjedhje. Sepse shumica e njerëzve janë gjithmonë racionalë. Të manipuluarit nga irracionalizmi dhe formatimi mendor konspiracionist janë gjithmonë një pakicë mendjembyllurish ku ka edhe të marrë.
Një arsye e tretë, jo e treta në radhë, është përçarja e opozitës për arsyet e njohura, në bazë të së cilës qëndron sanksionimi i Berishës nga SHBA dhe lëvizja e tij për të marrë drejtimin e PD-së. Gjë që hoqi automatikisht në PD një vijë ndarëse të pakalueshme për orientimin. Kjo është një temë e trajtuar shpesh edhe prej meje, së cilës do t’i kthehesha sapo të ketë zhvillime që sugjerojnë daljen nga impasi i krijuar. Që nuk shihet të ketë.
Ajo çfarë dëshmon tjetër sondazhi i Zaloshnjës, që përkon në kohë me lëvizjen e Gazmend Bardhit dhe deputetëve rreth tij, është se bashkimet mekanike nuk kanë efekt elektoral. Veçanërisht në një vend ku deputetët janë zgjedhur masivisht me sistem proporcional dhe ku Parlamenti ka reputacionin e një arenë të rëndomtë llafollogjish e retorikash boshe.
Veçanërisht kur të bashkuarit e kanë zakon të thotë të fundit kur ndahen me atë që shkojnë t’i bashkohen, duke i kontribuar kësisoj degjenerimit të diskursit dhe sjelljes politike.
Me këtë nuk dua të them se Rithemelimi është në trend rënës për shkak të lëvizjes së Gazmend Bardhit më shokë, siç pohojnë, gabimisht sipas meje, disa kolegë të media, duke ngatërruar rastësinë me ligjësinë. Në analizën dhe prognozën time, Rithemelimi ketë fat do të kishte e do të ketë sa kohë që nuk ndryshon. Në këtë sistem që kemi deputetët lëvizin për vetë, për interesat a bindjet e tyre, por nuk lëvizin vota. Votat janë të subjekteve dhe u mbesin subjekteve politike. Në rastin konkret Rithemelimit, PD-së zyrtare. Dhe Abstenimit.
Në gjendjen dhe konfigurimin ku gjendet sot opozita shqiptare, mendoj se ideja më realiste për forcimin e saj mbetet institucionalizmi i opozitës plurale. Që nënkupton kalimin nga gjendja e luftës në atë të rivalitetit, rritjen në vetvete të secilës parti, krijimin , ndoshta, të një forumi koordinues për reforma dhe ligje me rëndësi të përbashkët dhe për çështje të maksimalizmit të votave nga çdo subjekt në funksion të një aleance elektorale. PD zyrtare e ka bërë ketë hap më parë me disa propozime zyrtare drejtuar Rithemelimit, por që janë refuzuar me kosto të madhe. Berisha i druhet me sa duket rritjes së PD-së zyrtare në formatin e opozitës plurale, siç e shpjegova me lart. Por nuk duhet t’i druhet.
Kush mendon realisht për fitoren e opozitës duhet të thotë “ ku ta gjejmë të rriten të tria opozitat, duke ia lënë drejtësisë e duke respektuar sekush drejtësinë për çështjen e logos. Në të vërtetë, PD zyrtare do të vijojë të rritet hap pas hapi edhe në kushtet e tanishme. Rritja e vogël e saj gjatë këtij muaji përkon me turin që po zhvillon Lulzim Basha në degët e kësaj partie si parathënie e një turi takimesh të hapura me publikun. Mund ta marrim me mend se rritja e PD-së do të futej në një ritëm tjetër sapo të rikonfimonte mbështetjen Perëndimore si para dy vjetësh.
Edi dhe PS mban gjithmone votat e tyre dhe mujat apo ditet e fundit mund t'i shtoj ato, sepse edhe ata qe nuk jane te vendosur shikojne qe pala tjeter nuk eshte gjekundi, ndaj edhe do fitoje perseri.
PërgjigjuKi ski inat o Perc Edi Rama eshte i paarritshem.
Përgjigju