Është e njohur shprehja sarkastike për zgjedhjet që thotë: “Po të ndryshonin ndonjë, gjë do t’i kishin ndaluar”.
Ka parasysh zgjedhjet farsë si në Rusi dhe në regjime të tjera me fasadë demokratike, por autokratike në thelb ku zgjedhjet mbahen nën kontroll nga një njeri apo një elitë e pandryshueshme në pushtet dhe në opozitë.
E spërkatur me humor të zi, shprehja në fjalë e përfshin vendin tonë. Këtu nuk kemi parasysh vetëm pluralizmin e simuluar, ku dy partitë kryesore PS dhe PD konkurrojnë si të ndryshme dhe qeverisin njëlloj, i mjaftueshëm në fakt për t’ua hequr zgjedhjeve magjinë e ndryshimit.
Prej gjashtëmbëdhjetë vitesh jemi në sistemin e emërimit të deputetëve me lista të mbyllura, sistem i cili njohu një “reformim” pervers të pashembullt në botë për zgjedhjet e 11 majit të këtij viti, ku listat e hapura në bishtin e tyre punojnë për listat e mbyllura në kreun e tyre.
Meqë jemi te gjetjet origjinale ala-shqiptare duhen t’i njohim një meritë kryeministrit Edi Rama. Veç sistemit deledash të patricëve dhe plebejve në bashkautorësi me Sali Berishën, ai ka shpikur përzgjedhjen e deputetëve me aplikim, ngjashëm me aplikimin për vende të zakonshme pune. Duke injoruar specifikat e bërjes karrierë si një angazhim partiak dhe publik i shkallëshkallshëm dhe i matshëm për çdo të ri e të re. Për rrjedhim, duke investuar keqkuptime të mëdha për mënyrën si bëhet karrierë në politikë.
Në të vërtetë Rama ka pasur një problem të madh: si t’i paraprijë mbrojtjes së deputetëve dhe zyrtarëve të partisë së tij nga hetimet e SPAK, ku me probabilitet të lartë dora e hetimit penal nuk po del pa gjetur abuzime e vjedhje kudo ku futet.
Për këtë arsye, përveç ndoca deputetë të karrierës që nuk janë bërë pis me afera korrutive, atij i janë dashur sa më shumë deputetë “të virgjër”. Duket e justifikuar në rrethanat e revanshit pa kthim të antikorrupsionit. Por mendoj se një risk nuk luftohet me ekstravaganca pa lidhje me mënyrën si bëhet karrierë në politikë, ku dallojnë dy elementë bazë: Angazhimi sistematik për partiakët. Veprat e shquara dhe kontributi i madh publik për intelektualët pa parti.
Emërimi i deputetëve me aplikim është një markë politike që u shtohet dy të mëparshmëve të Edi Ramës në kuptimin e origjinalitetit: promovimit të krimit në pushtet dhe Regjistrit të zgjedhësve si një element strategjik i rrethimit të tyre. Pavarësisht se nuk janë asesi të së njëjtës kategori. Ky i emërimeve me aplikim nuk krahasohet me dëmet që i kanë sjellë demokracisë dy të tjerët.
Politikanët mbesin në histori për mirë kryesisht për veprat shtetndërtuese demokratike dhe për investime të mëdha të panjollosura nga korrupsioni apo sjellja tiranike. Rama as e ka menduar ndonjëherë një reformë kushtetuese që lejon garën dhe u jep fuqi zgjedhësve. Duket i lumtur të shkruajë e të vulosë vetë. Duke llogaritur Berishën si asetin kryesor që pengon konvertimin e bëmave të qeverisjes së tij në humbje të pushtetit. Edhe pas dymbëdhjetë vitesh!
Në zgjedhjet e 11 majit Berisha shkon për të kaluar në kudhrën e votimeve berishizmin. Jo vetëm atë të njëherë e një kohe. Berishizmin e ri të një lideri të sanksionuar nga SHBA e Britania e Madhe dhe në proces gjyqësor për akuzat e ngritura nga SPAK. Berishizmi i ri nënkupton pranimin e verbër të narrativës së tij për këto ngjarje.
Ndërsa pret të flasë gjykata për akuzën e SPAK, publiku jo berishist e merr të mirëqenë vendimin amerikan dhe britanik kundër tij dhe nuk ka instrumente ta shohë ndyshe. Veç po të tërhiqen Uashingtoni dhe Londra.
Berishistët kanë qenë shumicë në PD, por pakicë në Shqipëri. PD ka fituar vetëm në diversitet, e hapur ndaj korenteve dhe stileve brenda saj. Lista e koracimit, aspak e papritur, madje e logjikshme, lexon objektivin numër një të Berishës për të mbajtur radhët në opozitë. Pastaj ç’të jetë shkruar. Ka plot demokratë dhe njerëz pa parti, madje edhe socialistë të cilët urojnë që Berishës t’i hiqet non grata amerikane. Hapja e rrugës së zënë për të do të hiqte vijën ndarëse parimore që vuri sanksionimi i tij nga aleati strategjik.
E gjithë kjo është pritje. Kurse të sfiduarit e realiteteve të reja të kohës sonë është një realitet i trishtë me listën e zgjedhjeve të humbura. Si për t’u zënë zgjedhësve kokën me derë: ose na votoni ne, ose vritni veten. Ne për vete nuk humbim gjë!
Kësisoj, shto këtu faktin se partitë e vogla opozitare nuk arritën të bashkohen nën një sigël, zgjedhjet e 11 majit paralajmërojnë të mos ndryshojnë asgjë.
Komente
