Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas tensioneve dhe incidenteve të ndodhura gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Serbisë, duke i cilësuar si “skena të papara që nga vendosja e sistemit shumëpartiak”. Ai theksoi se do të kërkojë përgjegjësi penale për të gjithë ata që janë përgjegjës për dhunën e ndodhur.
"Po presim që të shohim çfarë do të thotë prokuroria, por nuk do të ndalemi derisa ata që e shkaktuan këtë situatë të japin llogari," deklaroi Vuçiç në një intervistë për TV Pink.
Ai bëri të ditur se deputetja Sonja Iliç, e cila është në muajin e tetë të shtatzënisë, është në gjendje të mirë bashkë me foshnjën e saj, ndërsa deputetja tjetër, Jasmina Obradoviç, e cila pësoi një sulm në tru, është në gjendje stabile.
Vuçiç akuzoi opozitën për futjen e mjeteve shpërthyese në Kuvend, duke theksuar se ato ishin “bomba tymuese të bëra nga kartoni dhe plastika”, të cilat, sipas tij, u futën në ambientet e Kuvendit në mënyrë të fshehtë. Ai përmendi gjithashtu se deputeti Milosh Jovanoviç ka spërkatur me sprej lotsjellës deputeten Jasmina Karanac.
Presidenti serb falënderoi deputetët e partisë së tij, disa ministra dhe kryetaren e Kuvendit, Ana Bërnabiç, për “qëndrimin e tyre të ndershëm dhe të guximshëm” gjatë seancës.
Sipas Vuçiçit, opozita po radikalizon protestat për shkak të rënies së mbështetjes popullore, pasi qytetarët nuk duan dhunë. Ai vlerësoi se përfaqësuesit e opozitës janë të nervozuar dhe për këtë arsye po përdorin veprime ekstreme.
Komente
