Nuk kaloi pa debate në Kuvend, ligji për “Prefektin”.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se ky ligj synon t’i japë rol më aktiv prefektit në koordinimin mes pushtetit vendor e qeverisë.
“E rëndësishme është që prefekti të kthehet në koordinator dhe historia e kryebashkiakut që merr në telefon hajde se ka rënë zjarr në filan fshat.’- tha Balla.
Por opozita e sheh krejt ndryshe. Deputetet demokrate Dhurata Çupi e Jorida Tabaku thanë se përmes këtij ligji, qeveris synon të kontrollojë edhe pushtetin vendor.
‘Duke qenë se kjo çështjet prek bashkitë, përcaktimi duhet bërë në ligjin për qeverisjen vendore, i cili kërkon shumicë të cilësuar. Nuk mundet që prefekti, pra qeveria, të detyrojë pushtetin lokal të krijojë dhe të ngrejë organizma, komitete, grupe pune. Kjo tregon mentalitetin e rrezikshëm tuajin për të kontrolluar çdo pushtet, edhe kur pushtetin lokal e qeverisni ju në masë absolute.’- tha Çupi.
“Dështoi 2014, duhet të reformojmë gjithë pushtetin vendor jo vetëm prefektin.”- tha Tabaku.
Kundërpërgjigjen, Balla e pati edhe me një parashikim:
“Kemi reflektuar kërkesat e kryebashkiakëve të opozitës, edhe pse s’do ju ngelë asnjë kryebashkiak në 2027.”- u shpreh Balla.
Këtë pikë të rendit të ditës, deputetja socialiste Blerina Gjylameti e shfrytëzoi për të hedhur dritë mbi votimin e djeshëm të Asamblesë Parlamentare për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista e vendeve nën monitorim, duke akuzuar Lulzim Bashën se nuk votoi.
Ndryshimet në ligjin për prefektin synojnë një rritje të rolit të tij dhe qartësim të kompetencave, sidomos për çështjet që lidhen me sigurinë publike dhe koordinimin për emergjencat civile.