Preferohet importi i shtrenjtë nga Rusia e Ukraina, gruri vendas mbetet stok! 'Konkurrenca' pa hetim për sjelljen e kompanive: Blejnë jashtë për cilësi

14 Gusht, 15:33| Përditesimi: 14 Gusht, 15:40

  • Share

Prodhojmë mijëra tonë grurë në vit, por konsumojmë miell rus, ukrainas apo serb, edhe pse me çmim më të lartë se drithi i prodhuar nga fermerët vendas. Të nxitur edhe nga qeveria pas nisjes së luftës në Ukrainë që vendosi të subvencionojë mbjelljen e grurit, fermerët shtuan sipërfaqet e mbjella me grurë nga 54.7 mijë hektarë në 2021-shin, në 57.6 hektarë në vitin e shkuar. Prodhimi i grurit vjet arriti në 233.5 mijë tonë, shifër rekord e dekadës së fundit, por ende larg prodhimit të para viteve 2000. Por mundi i fermerëve nuk u shpërblye.

Qindra tonë mbetën stok nëpër magazina e në bodrume fermerësh, sepse grumbulluesit ose refuzonin tua blinin prej cilësisë, ose kërkonin tua merrnin me çmim që nuk justifikonte kostot e prodhimit. Çmim që sipas fermerëve ishte më i lirë se në 2022-shin, ku një kilogramë shkonte 30 lekë.

“Na ka mbetur pa shitur se me 22 lekë është pa leverdi”, ka thënë për Report TV fermeri nga Maliqi. 

“Fabrikat e marrin sot me 20 lekë, ndaj ne e duam Qeverinë si rregullator, sepse abuzojnë me mundin tonë”, thoshte fermeri nga Rrogozhina.

Por çfarë po ndodh me tregtimin e grurit? Sipas të dhënave të INSTAT, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë importuar 143 mijë tonë drithëra, me vlerë 4.7 miliardë lekë ose 33.2 lekë një kilogramë. Ndërsa vjet u importua në këtë periudhë 109 mijë tonë, me vlerë 4.5 miliardë lekë, mesatarisht 39-40 lekë një kg.

Pra shumë herë më shtrenjtë se çmimi me të cilin grumbulluesit e kanë blerë tek fermerët vendas. Importet më të mëdha po bëhen nga Rusia dhe Ukraina, pasi nga janari deri në qershor është blerë nga Rusia 32.4 mijë tonë drithëra, me çmim mesatar 26 lekë/kg. Sasia e importeve është rritur në raport me vitin e kaluar ndërsa importet nga Ukraina janë ulur me 1.865 tonë. Sipas përllogaritjeve një kilogramë grurë i importuar nga Ukraina ka kushtuar mesatarisht 29 lekë, pra shumë herë më i shtrenjtë se prodhimi vendas, por më i lirë se vitin e kaluar.

Për shkak të shqetësimit të fermerëve se gruri po mbetej stok, ndërkohë që grumbulluesit u kanë shtrenjtuar edhe lëndët e para Autoriteti i konkurrencës vjet nisi monitorimin e tregut të prodhimit, grumbullimit dhe shitjes së grurit vendas", si pasojë e protestave. Por nuk u hap hetim për këto kompani pasi konkurrenca vlerësoi se çmimet u rritën prej luftës në Ukrainë.

Ndërkohë në një përgjigje zyrtare për Report TV, vetë Autoriteti i Konkurrencës thotë se importuesit nuk po blejnë jashtë për çmim më të ulët por për cilësi më të lartë.

“Ndërmarrjet i janë rikthyer importit të grurit për shkak të cilësisë më të lartë të grurit rus dhe ukrainas. Si pasojë, gruri vendas për shkak të cilësisë dhe për shkak të mbiprodhimit, ngeli stok”, thotë Autoriteti i Konkurrencës.

Pikëpyetja që ngrihet është se pse duhet të jetë kaq e madhe nevoja për import kur sipas 'Konkurrencës' ka mbiprodhim, ndërkohë që pikërisht në seancën plenare të 26 korrikut, ishte deputeti socialist Erion Braçe kërkoi hetim për këto kompani pasi janë ato që ua shesin farat fermerëve dhe lëndët e para dhe më pas nuk ua blejnë prodhimin. Madje sipas tij duhet të bëhen analiza nga AKU për grurin e importuar nga Rusia.

Mirëpo përtej dëmit të madh financiar që po ju bëhet fermerëve vendas, duke mos u blerë prodhimin, nga ana tjetër konsumatorët vijojnë ta blejnë shtrenjtë bukën, që prej krizës së 2021. Edhe pse të gjitha shifrat tregojnë se çmimi i grurit ka rënë si në import edhe në tregun vendas, çmimi nëpër furrat e bukës nuk ka ndryshuar.

 

IMPORTI I DRITHËRAVE NGA RUSIA NË SASI
                  Janar-Qershor 2023         Janar-Qershor 2024
 Sasia                22,813 tonë                      32,464 tonë
 Vlera            834,6 mln lekë                 847,1 mln lekë     
 Çmimi/kg      36.5 Lekë/Kg                    26 Lekë/Kg
 
IMPORTI I DRITHËRAVE NGA UKRAINA NË SASI
                   Janar-Qershor 2023         Janar-Qershor 2024
 Sasia                20,823 tonë                      18,957 tonë
 Vlera              701 mln lekë                 551,4 mln lekë     
 Çmimi/kg      33.6 Lekë/Kg                    29 Lekë/Kg
 

Prodhimi i grurit në Shqipëri 5 vitet e fundit

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?