Prej 1 korrikut rritet paga minimale, përfitojnë 390 mijë punonjës! 49% e të punësuarve s'do paguajnë tatim mbi pagën

14 Janar 2022, 21:30| Përditesimi: 14 Janar 2022, 21:39

  • Share

Më shumë se 1/3 e të punësuarve në vend, vlerësohen me pagë minimale. Sipas të dhënave të INSTAT deri në fund të shtatorit ishin të punësuar mbi 1.1 milionë shqiptarë, prej të cilëve 33.3% kishin pagë deri në minimale. Kjo kategori e përbërë nga rreth 390 mijë të punësuar, prej 1 korrikut të këtij viti do të paguhet më shumë.

Ministria e Financave ka nisur diskutimet me bizneset për të rritur pagën minimale me 2 mijë lekë, dhe nga 30 që është aktualisht pritet të shkojë në 32 mijë lekë. Në konferencën e fundit ministrja Delina Ibrahimaj tha se arsyeja e rritjes me 2 mijë lekë këtë vit është që të mos shtohen kostot për punëdhënësit.

Jo vetëm paga minimale, por edhe rritjet e pagave për sektorët e tjerë si për bluzat e bardha, arsimtarët, apo ushtarakët do të nisun nga korriku i këtij viti.

Po ashtu prej kësaj date hyn në fuqi edhe vendimi për të ndryshuar taksën progresive. Nëse deri më tani nuk paguajnë tatim mbi pagën ata që marrin deri në 30 mijë lekë, prej 1 korrikut nuk do paguajnë tatim ata që marrin deri në 40 mijë lekë.

Me këtë lëvizje rritet numri i qytetarëve që nuk do të paguajnë tatim, pasi 49.4% e të punësuarve marrin rroga deri në 40 mijë lekë. Janë rreth 16.1% e numrit total të të punësuarve në vend që kanë paga 30-40 mijë lekë dhe që përfitojnë nga ky ndryshim ligjor.

Ndërsa ata që paguhen deri në 50 mijë lekë nuk do e kenë tatimin 13%, por 6.5%, dhe nga kjo ulje e tatimit pritet të përfitojnë 58 mijë qytetar.

Kurse ata që marrin nga mbi 50 mijë lekë deri në 200 mijë lekë do të tatohen me 13%, ndërsa pjesa tjetër mbi 200 mijë lekë do të kenë tatimin 23%.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?