Në fshatin Borje të Kukësit, banorët dhe familjarët prej 10 ditësh janë në pritje të një lajm të mirë për gjetjen e 27-vjeçarit Meledin Adili i raportuar i zhdukur që nga mbrëmja e 4 shtatorit të këtij viti. Edhe disa rroba të gjetura në bjeshkët e Maqedonisë së Veriut, ku janë shtrirë kërkimet, sipas Nehbi Sjecës, Kryetar i Federatës së Kalerimit të Kosovës, nuk i përkisnin Meledinit.
“Kemi gjetur disa shenja. Nje jakne(xhup),një torbë(çantë).I kemi derguar tek banoret me lajmëru nëse janë të Meledinit.Por si duket nuk ishin te tij pasi edhe banorët thane se nuk janë të tijat.Ne do te vazhdojmë kërkimet sat të jetë e mundur”, tha Sjeca.
Ndërkohë shoku i Meledinit, që vazhdimisht shkonin bashkë për të mbledhur boronica tregon detaje nga zhdukja e tij dhe kërkimet që janë bërë nga fshatarët e zonës që nga dita kur u raportua i zhdukur.
“Atë ditë nuk kam qenë. Kam qëndruar në shtëpi. Ne shkonim bashkë gjithmonë dhe kur ktheheshim bënim një ditë pushim. Ai ka shkuar dhe është ndarë nga shokët dhe ka humbur në bjeshkë. Në mbrëmje na thirrën në telefon dhe mësuam se nuk është kthyer Meledini. Të gjithë si fshatarë jemi mbledhur me furgona e makina të vogla. Kemi shkuar në Brod (Dragash). Jemi ndarë grupe-grupe. Asgjë nuk kemi gjetur. Më pas ka nisur shi, mjegull dhe jemi kthyer rreth orës 2 e 30 minuta të natës tek furgoni në Brod e më pas për fshat”, tha shoku i tij.
Ndërsa Fetah Dalaci i afërm i familjes Adili, thotë se i gjithë fshati dhe policitë e dy vendeve prej 10 ditësh janë në kërkim të Meladinit, teksa kërkon që përpjekjet e policisë të thellohen edhe në verifikimin e tabulatave të telefonit.
"Policia ka qenë. Edhe ajo e Kosovës dhe Shqipërisë, Forcat e Ushtrisë së Kosovës, Vullnetarë, Alpinistë, Ekipi i Skive të Kosovë ka qenë. Edhe policia jonë ka qenë me qen kufiri e dron. Asnjë shenjë e asnjë gjurmë. I gjitha fshati që ditën e parë kemi kërkuar deri në orën 2:30 të natës. Asnjë shenjë as një sinjal. Është komunikuar me zonën e Maqedonisë së Veriut. Me stanet, postat e policisë dhe asnjë shenjë. Është kontrolluar edhe zona e Restelicës tek “Guri I Zi” por jo me volum të madh. Është kontrolluar në krahun e Tetovës e zonave të tjera malore të Maqedonisë së Veriut. Në bjeshkë ka patur humbje të personave ka patur dhe maksimumi për tre ditë janë gjetur. O gjindet njeriu o gjindet kufoma.
Por si rasti ynë nuk ka bërë vaki. Mos gjetja e asnjë shenje na mban me shpresë që të jetë gjalllë.Ka patur shumë gjera me vete,bidonin,plasmasin dhe kreherën për mbledhjen e boronicave.Si do që të ishte diçka do të kishte ngelur.Ka patur raste kur kane humbur 10 euro dhe janë gjetur mbas 4 ditësh, kur është bërë kërkimi.Është gjetur 10 euro dhe nuk është gjetur njeriu. Ne nuk kemi anjë shpjegim. Varianti jonë për jetesë është bjeshka. Ne s'kemi punë tjetër. Fshati është pa punë. Edhe një bereqet që e bëjmë nuk ka lekë. Nëse ka shtet të verifikohet telefoni. Ai ka telefonin me vete. Nëse ka një sistem që mund të gjindet me GPS ose policia të planifikojë diçka. Ka pasur telefonata. Nga vijnë këto telefonata, si vijnë. Ndoshta policia vepron. Pistat e saj ne nuk i dimë. Ne dimë pistën tonë e cila është të kërkojmë bjeshkët. Thirrja jonë është që shteti të vë pak dorë. Punën e argatit e vullnetare e bëjmë ne”, tha Dalaci.
Për gjetjen e tij, përveç Policisë se Kosovës dhe Kukësit, janë angazhuar edhe FSK-ja dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, por deri me tani pa rezultate.
"Dihet që pjesa e bjeshkëve të Sharrit është terren shumë i thyeshëm dhe i pa përshtatshëm. Vetëm mjetet e dedikuara për terrene malore kanë mundësi me hy. Por ka edhe vende ku ata nuk mund të hyjnë. Përmes këtyre mjeteve unë filmoj dhe shoh ndonjë shenjë që mund të jetë të djalit që po kërkojmë”.
Policia e Rajonit të Prizrenit ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për gjetjen e 27-vjeçarit të raportuar të zhdukur që nga 4 shtatori. Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se personi i zhdukur është Meledin Adili, nga fshati Borje i Shqipërisë.Për herë të fundit thuhet se është parë nga shokët e tij të punës, në vendin e quajtur Zhilibeg, që gjendet në afërsi të fshatit Brod të Komunës së Dragashit, ku kishte dalë për të mbledhur boronica.
“Personi i raportuar si zhdukur deri më sot nuk është gjetur, andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse e shohin personin e njëjtë apo di diçka për vendndodhjen e tij të raportojnë Policinë Rajonale në Prizren , apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë apo Shqipëri”, thuhet në njoftim.
Kërkimet për të humburin Meledin Adili janë duke vazhduar. Në kërkim janë përfshirë policia dhe ushtria e Kosovës, njësitet speciale të Policisë së Kosovës, banorë të Borjes, vullnetarë nga Restelica, Brodi, Globoçica, Krusheva, Zlipotok dhe vendbanimet tjera malore te Dragashit.
"Policia e Kukësit është në kërkim të zonës me dronë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me policinë e Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut” thuhet në njoftimin e Policisë së Prizrenit.