Prej 3 javësh në Durrës, Shkodër e Korçë mungon metadoni! Përdoruesit e drogës për Report Tv: Kemi dhimbje të tmerrshme, po na lënë të vdesim

28 Shkurt, 15:02| Përditesimi: 28 Shkurt, 19:42

  • Share

Prej rreth tre javësh, në qendrat e rehabilitimit të përdoruesve të drogës në Durrës, Shkodër dhe Korçë nuk ka metadon. Report Tv ka konfirmuar informacionin përmes burimeve zyrtare, ndërsa në këto kushte përdoruesit e heroinës rrezikojnë t’i kthehen lëndës narkotike.

Metadoni është themelor në luftën e tyre kundër varësisë ndaj drogës, edhe për shkak të  problemeve me shëndetin dhe dhimbjeve të mëdha të trupit që përjetojnë në mungesë të ilaçit.

Report Tv intervistoi një përdorues metadoni prej 15 vitesh në Shkodër, i cili tha se gjendja e tij është mjaft e rëndë. I dëshpëruar, ai bën thirrje që të merren masat menjëherë.

“Jemi 45 të regjistruar. Të gjithë jemi të sëmurë. Vuajmë të tërë. Këta thonë deri me 15. Deri me 15 ne mbarojmë. Ne jemi shtresa e fundit. Jemi të sëmurë, por vuajmë të tërë. Duhet me ble drogë. Lekë me ble drogë nuk është. Kam 30 vite që merrem me këtë punë. Tani nuk e pi më. E kam për hall. Kam 15 vite që marr ilaç. Tash 15 muaj  3-4 herë na kanë lenë. Deri me 15 çfarë thonë këta. Ne nuk jemi të zot me nejt 2-3 ditë. Jemi njerëz edhe ne. Na konsideroni si njerëz. Na kanë lenë me vdek. Po na bëjnë me na dërguar në burg”, tha një përdorues.

Burimet kanë konfirmuar se për një javë, edhe Tirana në rast që nuk do të ketë furnizim do të  mbetet pa metadon. Në kryeqytet, janë rreth 250 persona, së bashku me të burgosurit që marrin metadon me qëllim lënien e heroinës.

Në të gjithë vendin, janë rreth 900 persona që marrin metadon, dhe përgjegjëse për shpërndarjen e ilaçit është Ministria e Shëndetësisë. Sipas informacioneve nga qendrat e shpërndarjes, të vetmen përgjigje që  ata kanë  marrë  nga shteti është  se ilaçi është porositur, por se kur do të mbërrijë për të ju shpërndarë, ende nuk ka informacion.

Metadoni shpërndahet me anë  të  një  grafiku në qendra në Tiranë, Berat, Sarandë, Fier, Shkodër, Durrës, Korçë  dhe Vlorë. Ilaçi jepet vetëm në qendrat shpërndarëse.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?