Kronikë

Prej 5 vitesh i lirë prej amnistisë, një vendim i Gjykatës së Lartë e kthen në burg, ‘Odisea’ e Febjus Dautit! Avokati: Ndjekim rrugët ligjore

25 Tetor 2022, 11:36| Përditesimi: 25 Tetor 2022, 16:35

  • Share

Dy ditë më parë Febjus (Dritan) Duati, 38-vjeç është arrestuar nga policia e Durrësit pasi sipas institucioneve është dënuar nga gjykata e Durrësit me 4 vite e 4 muaj burg për trafik të lëndëve plasëse dhe i mbetet të vuajë burg.

Por në fakt historia e tij duket se është më e komplikuar. Febjus Dauti është arrestuar më vitin 2015 me akuzën e prodhimit të lëndëve plasës. Ai është dënuar nga Gjykata e shkallës së parë vitin 2015 me 4 vite e 4 muaj burg, ndërkohë që Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur uljen e dënimit në 3 vite burg.

Duke qenë se në vijim të vendimit të Apelit i kishte mbetur më pak se 2 vite burg në vitit 2017 (ashtu siç parashikonte Amnistia) Dauti ka përfituar nga amnistia fiskale e miratuar në Kuvend dhe është lënë si qytetar i lirë. Nga 2017 e deri tani ka qenë një qytetar i lirë.

Por një vendim i Gjykatës së Lartë e cila ka prishur vendimin e Apelit dhe ka rikthyer në fuqi vendimin e shkallës së parë i ka komplikuar gjërat. Sipas institucioneve me këtë situatë të re Febjus Dautit i mbetet edhe një kohë për të vuajtur dënimin. Gjykata e Shkallës së Parë Durrës pretendon që ai ka ende dhe 1 vit burgim të pa përfunduar. Avokati i Dautit, Serjan Mazrreku, ka folur për gazetarin e Report Tv Aldo Mustafa dhe ka thënë se sigurisht që do të ndiqet çdo rrugë ligjore.

“Ndaj klientit tim Dauti është kryer arrestimi kur është kthyer nga Mal i Zi ku punon. Klienti im ka kryer të gjithë dënimin e tij, ka përfituar nga amnistia dhe është lënë e lirë. Edhe nëse do ishte dënuar me 4 vite e 4 muaj me përfitimin e amnistisë. Këshjtu rrëzohet aministia.  Ne do të ndjekim të gjithë hapat ligjore”, tha avokati.

Duhet thënë se Dauti ishte pjesë e një grupi kriminal me 4 persona në total, përfshirë Dashnor Dumanin, vëllain e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit. Në janar të 2015-ën, Dritan Dauti që ndërroi emrin në Febjus u arrestua nga policia me Dashnor Dumanin dhe 2 bashkëpunëtorë të tyre Asllan Plaku e Bledar Plakun. Për të gjithë është shfaqur ky problem.  Burime jo zyrtare dhe ende të pakonfirmuara nga policia thonë se në kërkim si pjesë e këtij grupi dhe ndoshta me të njëjtën skemë si Febjus Dauti, është edhe vëllai i Nuredin Dumanit, ndërsa 2 anëtarët e tjerë të grupit, Asllan dhe Bledar Plaku, janë rivënë në pranga gjatë tetorit të këtij viti.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?