Fatos Nano prej 9 ditësh në spital, burime për Report Tv: Mjekët i bënë ndërhyrje kirurgjikale për t'i lehtësuar frymëmarrjen

1 Shtator 2023, 11:06| Përditesimi: 1 Shtator 2023, 12:53

  • Share

Ish-kryeministri Fatos Nano, vazhdon trajtimin në spital në ditën e 9 të shtrimit si pasojë e problemeve me frymëmarrjen. Ish-kryeministri socialist, vazhdon të jetë i intubuar pasi atij i është rikthyer një problem kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike që ngushton dhe dëmton rrugët ajrore të mushkërive. Burime nga spitali për Report Tv bëjnë me dije se mjekët i kanë bërë një ndërhyrje kirurgjikale në trake duke i vendosur një tub plastik, që po e ndihmon në furnizimin me oksigjen.

Të enjten e 24 gushtit 2023, Nano u shoqërua me ambulancë nga shtëpia e tij për në spital pasi kishte pasur probleme me frymëmarrjen. Ish kryeministri ka pasur probleme me shëndetin edhe dy vjet më parë. Teksa lideri historik i PS-së po kalon ditë të vështira në spital, ai u nderua nga Kryeministri Edi Rama me medaljen e mirënjohjes publike. Në reagimin e tij në rrjete sociale për shëndetin e Nanos, kryeministri Rama shkroi se lutjet dhe mirënjohja e tij por dhe e të gjithë socialistëve shkojnë për të për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme.

Nano u bë një prej personazhëve më të rëndësishëm të Shqipërisë pluraliste. Ai ka qenë katër herë kryeministër i vendit, i dyti në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar pas Mehmet Shehut. Më konkretisht, në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit 1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën. Nano ka qenë kryetar i PS-së për 13 vjet. Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar “institucionin” e dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.

Ora 12:44
Berisha e futi në burg, por tani i uron Nanos ‘me zemër’ shërim të shpejtë! Si përdori 'ushtarët' e tij nga Blerim Çela tek Alush Dragoshi për ta çuar pas hekurave

Sali Berisha, dikur ish-rival politik i Fatos Nanos i ka uruar shërim të shpejtë me zemër ish-kryeministrit socialist. Nga selia blu që ka uzurpuar, ish-kreu i PD-së, i cili dikur burgosi ish-liderin historik të PS-së, e uroi që ta kalojë shpejt këtë situatë jo të lehtë, ndërsa shtoi se edhe këtë fatkeqësi po e përdor Rama për qëllimet e veta.

'Me gjithë sinqeritetin dhe me gjithë zemër, i uroj Fatos Nanos, shërim të shpejtë dhe të plotë. Ta kalojë këtë situatë jo të lehtë dhe të rikthehet në familjen e tij. Nuk dua të shkoj më tej, se po të shkoj më tej, do të dënoja me ashpërsinë më të madhe fasadën e Jagos, se nëse kishte një Jago, Edi Rama ishte Jago i Fatos Nanos, të themi të vërtetën. Nuk ka moment fatkeqësie që Edi Rama të mos e përdorë për qëllime të veta.'- tha Berisha.

Por pavarësisht se sot i uron shërim me zemër, në nisje të karrierës së tij politike, në vitin 1993, Berisha për ta hequr qafe si rival politik, vendosi ta fuste Fatos Nanon në burg. Fillimisht, sapo mori pushtetin, Berisha tentoi ta izolonte Fatos Nanon, duke e goditur me polici dhe SHIK, duke i ndaluar mitingjet, të drejtën e fjalës në Kuvend dhe pjesëmarrjen në delegacione parlamentare.

Në fillim të vitit 1993, nisi zbatimin e skenarit për ta futur në burg. Ish-kryeministri Fatos Nano u arrestua më 30 korrik 1993.  Më 3 prill 1994, Fatos Nano u dënua me 12 vite burg. Fatos Nano la qelinë në vitin 1997, pas një amnistie. Më vonë, Nano rrëzoi të gjitha vendimin dhe procesin si të paligjshëm dhe politik, u konsiderua si i burgosur politik dhe mori dëmshpërblim për vitet e burgut.

*Më poshtë Shqiptarja.com sjell një shkrim të plotë se si përdori Berisha ushtarët e tij nga Blerim Çela tek Alush Dragoshi për të burgosur Fatos Nanon

Lëvizje e para

Në 14 prill 1993, grupi parlamentar i PD-së, nën kontrollin e Berishës, thërrasin për interpelancë kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Blerim Çela, për të dhënë sqarime mbi një çështje të publikuar në media “për veprime abuzive dhe spekulime nga ana e shoqërive “Levante Co” dhe “Iliria Hollding” lidhur me sjelljen e ndihmave të qeverisë italiane për Shqipërinë”.

Në 27 prill 1993 Blerim Çela paraqitet në Parlament. Sipas Blerim Çelës, në nëntor 1990, Farudin Hoxha, në emër të Komitetit të Bashkëpunimit Ekonomik, lidh një marrëveshje me Ajdin Sejdinë, i paraqitur si president i firmës “Iliria Hollding”, për ushtrim aktiviteti në Shqipëri. “Farudin Hoxha i krijoi kushtet Ajdin Sejdisë për të sjellë në Shqipëri Xhuzepe Perniolën, presidentin e firmës italiane “Levante Co”, firmë italo-jugosllave, që u mor me livrimin dhe grabitjen e ndihmave italiane të akorduara për emergjencën”.

Akuzat për Nanon

Fatos Nano akuzohej se kishte autorizuar Ajdin Sejdinë të përgatiste bisedimet me kompani të ndryshme për përpunimin e naftës. “Veç sa më sipër, Fatos Nano, me cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ministrave, dhe Shkëlqim Cani, si zëvendëskryeministër, kanë kryer shkelje të tjera për të favorizuar firmën “Iliria Hollding””. Nano, me gjithë sinjalizimet që ka marrë për personalitetin e Ajdin Sejdisë, nuk ka marrë asnjë masë për sqarimin e tij, po përkundrazi, ka vazhduar ta mbështesë”, thotë Blerim Çela.

Sa i takon ndihmave, Blerim Çela tha se “Listat e mallrave sipas fondeve të akorduara nga qeveria italiane detyrimisht duhet të specifikoheshin nga Komisioni i Planit të Shtetit, Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Ministria e Tregtisë së Brendshme, të ngarkuara me këtë detyrë, që e njihnin dhe përgjigjeshin ligjërisht për plotësimin e nevojave të popullit me mallra ushqimore, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shtetit. Ish-presidenti Ramiz Alia dhe ish-kryeministri Fatos Nano, jashtë funksioneve të tyre dhe duke shkelur ligjet e kompetencat e organizmave të ngarkuara për tregtinë e jashtme, caktuan dhe diktuan firmën nga e cila do të bliheshin mallrat. Pushtetarët, me dashje, kanë pranuar çmime tepër të larta, të diktuara nga firma shitëse, mbi ato të tregut, si shtegu dhe burimi për të krijuar fitime spekulative...”.

Qëndrimi i Nanos

Fatos Nano deklaronte në Kuvend, se “Që në fillim dua të deklaroj përpara Parlamentit Shqiptar dhe përmes tij gjithë popullit,me përgjegjësi të plotë personale, civile, qytetare dhe politike, se pseudoakuzat dhe shpifjet e paraqitura nga materialin e Blerim Çelës e kompani nuk janë gjë tjetër vetëm se një montazh i inskenuar politiko-elektoral, me synime të mbrapshta dhe të ulëta për të likuiduar dhe kufizuar lirinë politike, madje dhe fizike të Partisë Socialiste, të Kryetarit të saj dhe opozitën e vërtetë në Shqipërinë e sotme. Prandaj, bëj thirrje që autorët e këtij skenari t’i bëjnë llogaritë saktë. Kjo çorbë e gatuar në kuzhinë antishqiptare dhe të lobeve të lidhura me to dhe që përdorin si mashë Blerim Çelën dhe njerëzit që qërohen nga kjo sallë, si ushtarë “Shvejk”, nuk mund të bjerë veçse erë të qelbur por që, për fat të keq, nuk e ka gëlltitur vetëm z. Blerim Çela. Me paturpësi dhe deficiensë politike dhe profesionale, Blerimi dhe ekipi i tij, lëshuan bombën tymuese të korrupsionit të Fatos Nano dhe të qeverisë të tij”.

Shfaqet sërish Blerim Çela

Deputetët e PD sjellin sërish Blerim Çelën në Kuvend në 30 qershor 1993, për të shtjelluar më tej akuzat ndaj Nanos. “Më jepni kompetenca të tjera, t’i ushtrojë kompetencat. Kaq sa më keni dhënë, po i bëj. Prandaj, të mos kërkohet ajo që nuk bëhet. Më kapin njerëzit: fute Fatos Nanon në burg! Nuk e fut Fatos Nanon Kontrolli i Shtetit në burg, Kontrolli i Shtetit e ka denoncuar, hetuesia ta futë në burg tani, në qoftë se vërtetohen ato që thotë kontrolli i shtetit. Por të gjitha janë të dokumentuara katërçipërisht”, thotë ndër të tjera Çela.

Në lojë futet kryeprokurori Alush Dragoshi

Pas Blerim Çelës, në lojë futet kryeprokurori i atëhershëm Alush Dragoshi, një besnik që Berisha e përdorte si kamxhik jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe ndaj figurave të PD-së, të cilët për t’i mbajtur në rresht, u hapte herë pas here dosje penale. Me shkresën nr. 1117, datë 26.07.1993, Alush Dragoshi i kërkon Kuvendit që t’i heqë imunitetin deputetit Fatos Nano, me argumentin se “mbi bazën e materialit kallëzues të dërguar nga Shërbimi i Kontrollit të Shtetit në datën 06.05.1993, Prokuroria e Rrethit Tiranë ka filluar çështjen penale për krimin e shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 106 i Kodit Penal”.

Në kërkesën e tij, Alush Dragoshi thotë se “Si nga materiali kallëzues dhe hetimet e zhvilluara del se nga livrimi i ndihmave të dhëna për vendin tonë nga qeveria italiane për periudhën që ka qenë në detyrën e Kryeministrit Fatos Nano, është shkaktuar një dëm i rëndësishëm ekonomik në shumën 8 miliardë e 433 milionë e 064 mijë e 836 lekë. Në ardhjen e kësaj pasoje, krahas përgjegjësisë që kanë edhe personat e tjerë, del se ka përgjegjësi penale edhe deputeti Fatos Nano, i cili, me veprimet e mosveprimet e kundërligjshme, ka shpërdoruar detyrën, duke kryer veprën penale të parashikuar nga neni 106 i Kodit Penal, si dhe ka falsifikuar dokumente zyrtare, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal”.

Kuvendi mblidhet menjëherë

Po atë ditë, pra në 26 korrik 1993, Kuvendi i kontrolluar nga Sali Berisha mblidhet për të diskutuar për kërkesën e kryeprokurorit Alush Dragoshi për t’i hequr imunitetin Nanos. Deputeti Arben Imami kërkon kohë pasi Komisioni i Mandateve sapo ishte njohur me materialin. Kuvendi u mblodh sërish të nesërmen, me datë 27 korrik 1993. Në këtë seancë, deputeti socialist Namik Dokle mban një qëndrim të fortë.

Dokle shprehet se “Në datën 26 korrik, pas një fushate të paskrupullt politike kundër Partisë së opozitës dhe liderit të saj Fatos Nano, të organizuara nga një klan revanshist partiako-qeveritar i PD-së, pas një presioni antiligjor dhe antidemokratik mbi drejtësinë, u arrit që të formulohej kërkesa për heqjen e imunitetit të deputeti Fatos Nano. Makinacioni politik duket qartë edhe në veprimtarinë e ngutshme të komisionit, pa i dhënë aspak kohë atij që të procedojë sipas rregullores së Kuvendit Popullor.

Pas Idajet Beqirit, ky është rasti i dytë që një kryetar partie përndiqet me mjetet politiko-policore dhe gjyqësore të një shteti me karakteristika të hapura totalitariste dhe neodiktatoriale, ndërkohë që shtypi zyrtar i PD-së ka nisur të formulojë kërcënimet për kundërshtarë të tjerë politikë..... Presidenti Berisha, në krye të PD-së blu, dirigjon dhe vëzhgon se si po shkatërrohet shteti i së drejtës dhe demokracia, duke marrë përgëzimet dhe shpërblimet e tallave të fshehta, të cilave u shërben me besnikëri...”.

Kuvendi i kontrolluar nga Berisha i heq imunitetin Nanos

Në emër të komisionit të mandateve foli Arben Imami, i cili u shpreh kundra heqjes së imunitetit të Nanos, duke hedhur poshtë akuzat si të pambështetura në prova. Megjithatë, shumica e deputetëve votuan për t’i hequr imunitetin Fatos Nanos. Me këtë vendim, Kuvendi i hapi rrugë arrestimit. Data ishte 27 korrik 1993.

Nano arrestohet pas tre ditës

Në 30 korrik 1993, tre ditë pas vendimit të Parlamentit për t’i hequr imunitetin, prokuroria arreston Fatos Nanon. Më 2 gusht 1993 grupi parlamentar i PS-së, duke e konsideruar si burgosje politike arrestimin e Nanos, nisi nënshkrimin e një peticioni në të gjithë vendin për lirimin e Nanos. Peticionin ua dërgoi përfaqësive diplomatike në Shqipëri. Ndërsa më gusht 1993, Fatos Nano shkroi një letër nga burgu, ku e shpallte veten të burgosur politik.

Nano dënohet me 12 vjet

Berisha kërkonte me çdo kusht të mbante Nanon në burg. Pasi deputetët e PD-së, kreu i KLSH Blerim Çela dhe Alush Dragoshi e kishin bërë punën e tyre, tashmë radha ishte e gjyqtarëve.  Më 3 prill 1994, Fatos Nano u dënuar me 12 vite burg. Apeli nuk e rrëzoi vendimin, por vetëm uli dënimin nga 12 në 11 vjet. Në vitin 1995, Nano kërkoi lirim të parakohshëm në Gjykatën e Kasacionit. Kërkesa e tij u rrëzua nga gjyqtarja Vitore Tusha, sot kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Fatos Nano la qelinë në vitin 1997, pas një amnistie. Më vonë, Nano rrëzoi të gjitha vendimin dhe procesin si të paligjshëm dhe politik, u konsiderua si i burgosur politik dhe mori dëmshpërblim për vitet e burgut.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 02/09/2023 03:03

    Sa here do te perseritej kjo histori gjate 32 vjeteve?! Persekutimi i Nanos mund te kishte ngjyra politike,por korrupsioni ishte fakt.Nuk mund te thuash se Berisha,Nano ishin me te mire nga njeri-tjetri,per te mos folur per Sejdine.Erdhi nje kohe qe populli deshironte me gjithe shpirt largimin e te dy kokave te PD e PS,por ne fund vetem Nano u largua dhe jo me shume deshire,kurse Berisha se hoqi kurre kemben nga hapesira e pragut dhe nuk e lejon deren e PD te mbyllet perfundimisht pas tij,perkundrazi,kerkon te rihyje me force.S.d.q keto kujtime per Nanon u zgjaten si shume ne mediat kombetare dhe nga qe eshte gjalle akoma,po me ngjajne gjithemone e me shume me eulogjite respektive te Dr.Adhamudhit e zonjezes Lulushe te /Pas vdekjes/ te Cajupit!

    Përgjigju
  • Njeri: 01/09/2023 14:23

    Fatos Nanos te shkuara.Sali krimineli qe spo te merr perendia akoma per gjithe te keqiat qe ke bere. Shyqyr o zot qe skisha fatin te perplasesha ne dyert e gjykatave seeeee hajde gjykatese hajde

    Përgjigju
  • Shkodra: 01/09/2023 13:34

    Saliu te vret naten e te qan ditën si ky moster ka shum ne shqiperi

    Përgjigju
  • Mirditori: 01/09/2023 11:47

    Të shkuara!Jetën ta jep dhetamerë tjetërkush, por ne duhet të kujdesemi.Të heq dorë dhe të mos jetë i varur nga duhani,alkoli(i tepruar).Jetë sa t'ja ketë shkruar ai lartë dhe sa ti ketë bërë izmetin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?