Prej 4 vitesh Klodist Xhulaj, nga fshati Peshtan në Fier, qëndron i paralizuar në shtrat pa asnjë mundësi shërimi. Teksa vilte ullinj humbi kontrollin dhe ra nga lartësia duke pësuar dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Për shkak të aksidentit, jeta e 34 - vjeçarit mori një kthesë tjetër mes vuajtjeve dhe sakrificave.
“Jetesa është është shumë e vështirë, marr 200 mijë lekë kemp. Jam detyruar të marr një shtëpi me qira në Fier që të jem afër spitalit. Paguaj 150 mijë lekë për qiranë”, shprehet Klodist Xhulaj.
Për të qenë pranë spitalit prej 2 vitesh familja Xhulaj është detyruar të marrë një banesë me qira në qytetin e Fierit. Aplikuan për banesë sociale në bashkinë e Fierit por nuk plotësojnë kriterin e paraqitjes në dokumentacion të certifikatës së pronësisë së banesës në Peshtan, pasi është në fazë legalizimi. 34-vjecari kërkon nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës të përshpejtojë procesin e legalizimit.
“Kam bërë një aplikim për certifikatë pronësie për pronësisë së banesës në Peshtan. I bëj thirrje që Agjencia Shtetërore e Kadastrës të përshpejtojë procesin sa më shpejt”, shton ai.
Barra për të mbajtur familjen ka rënë mbi shpatullat e Brikenës, bashkëshortes së Klodistit e cila u përball me fatkeqësinë e papritur vetëm pas një viti martesë kur sapo kishte sjellë në jetë djalin e tyre të vetëm.
“Këtu ambulanca nuk vinte. I kërkoj bashkisë një banesë sociale. Paguaj 150 mijë lekë qira”, thotë bashkëshortja.
Apeli për një banesë sociale vjen edhe nga nëna e 34- vjecarit, Zoja Xhulaj e cila thotë se shpërngulja nga Peshtani në Fier është jetike për djalin e saj të paralizuar.
“Kërkojmë një banesë në Fier. Aq lek sa marrim nuk na dalin për ilaçe apo bebelina”, thotë nëna e 34 vjeçarit
Edhe pse jeta në shtrat, është tepër e vështirë për Klodistin, sërish i gëzohet faktit që është gjallë dhe mund të shohë djalin e vogël teksa rritet para syve të tij.
Komente
