Mbi këtë kalë lëkundës i është bashkuar edhe Ilir Metaj. Të dy njëri pas tjetrit, si dy bizele në një bishtajë. Një kalë lëkundës që vazhdon të lëvizë e të zbavit me idenë se po ecën, por që këmbët i qëndrojnën në vend.
Janë të shumtë ata që e rrethojnë Sali Berishën, të cilët nuk arrijnë dot të bëjnë dallimin midis lëvizjes dhe të bërit progres. Partitë politike kanë nevojë për liderë që sjellin progres, që avancojnë kauzën e komunitetit të cilit i shërbejnë. Me goditjen fatale nga administrata amerikane Sali Berisha u “çertifikua” si shkatërrues i demokracisë dhe strumbullar korrupsioni familjar.
Fjalët “non grata”, nofka me të cilën prej 1.5 vjet e thërrasin në publik, e poshtëruan zyrtarisht. Për atë s’ka më ndjekje të lavdisë pas vdekjes. Ndryshe nga diktatori komunist që vdiq në shtratin e shtëpisë, Sali Berisha u çnderua e vdiq politikisht në të gjallë të tij.
E vërteta poshtëruese ju tha faqe gjithë botës. Për atë person që lavdia është gjithëçka, të jetosh i çnderuar do të thotë të vdesësh çdo ditë. As njëqind vjet nuk mund të riparojnë humbjen tragjike të nderit historikisht. Prej ditës së parë në krye të PD-së, cilindo kundërshtar politik apo çdo njeri që i vë përballë ligjin, vazhdon t’a konsideroj dhe e lufton atë si “të qënë në gjak me të”, sipas mendësisë së gjakmarrjes të përpara 200 vjetësh, Kanunit të Lekë Dukagjinit, të këtij fosili antropologjik të shoqërisë shqiptare. Në pritje që të lindëte shteti i të drejtave njerëzore, me Sali Berishën në Shqipëri u ringjall Kanuni që na tërhoqi në thellësitë e errëta të së kaluarës.
Ujrat e turbullta të së kaluarës filluan të rrjedhin e të na qelbin në kohën e sotme. Këtë “njeri të lexuar” shumë herë e kemi parë të kaloj në ekstazë kur shpjegon në TV ndodhira kriminale të tre dekadave të fundit, me alibira gjarpëruese për kontaktet e kriminelëve mes tyre, pusitë, vrasjet, bisedat e supozuara dhe vrasjet e bëra për llogari të politikanëve kundërshtarë, grabitjet e bankave, ruan në kujtesë dhe të përmend me shumë zell emrat e antarëve të bandave kriminale, grackat dhe paratë për vrasjet e porositura, e kemi parë si shpifës dhe përgojues i mardhnieve burrë-grua të kundërshtarve politikë, shprehja e tij e zakonshme: do e shohësh çdo të bëjmë, etj, si një arkiv sekret monstruoz i kronikës ogurzezë shqiptare.
Gjaksor pasionant që sa më i aftë për të shkaktuar dhimbje te njerzit, aq më thellë e më i zhytur është në iluzione dhe frikë. “Njeri i lexuar”, barbar teutonik i papajtueshëm me kulturën qytetare, që në historinë moderne të shtetit shqiptar ngjan i ardhur nga thellësitë e Mesjetës. Më vijnë në mend fjalët e Theodor Adorno: “Të shkruash poezi pas Aushvicit është barbari”. Të flasësh për drejtësi, demokraci, arsim dhe të drejta të njeriut, pasi ke hedhur në erë shtetin dhe themelet e arsimit, pasi ke ndezur gjakderdhjen e 1997-ës, atë të 1998ës, vrasjet e 21 Janarit e të tjera, a nuk është Barbari mesjetare?. Në këto ngjarje psikologjia e barbarisë e kapërcen imagjinatën e çdo sensi human. Një “njeri i lexuar” latohet, gdhëndet nga leximet, veçanërisht kur thotë kam lexuar Dostojevskin. Në rastin Sali Berisha ka ndodhur e kundërta. Të lë përshtypjen se nuk zotëron as minimumin e urtësisë popullore të banorëve të malësisë. Si “i lexuar” nuk ka nxënë asgjë nga Dostojevski në lidhje me njohjen e vetes.
Pyes: a ka pasur ndonjëherë ky njeri bisedë me veten, a e ka bërë pyetjen më të pritëshme që të vjen instiktivisht kur lexon Dostojevskin: po unë, kush jam?.Si lexues i letërsisë ruse, sikurse thotë, do kish nxënë diçka nga “ Mjeshtri dhe Margarita” i shkrimtarit me profesion mjek pediatër Mikhail Bulgakov. Me këtë roman do kish ndalur pak çaste për të arsyetuar mbi natyrën e dyfishtë të njeriut, për djallin brenda tij, për ferrin e Dantes dhe ndëshkimin e mëkatarëve.
Gjithëçka te ai konfirmon se dija nuk është garanci e sjelljes së mirë politike, ama injoranca me siguri është një garanci potenciale e sjelljes së keqe. Mjek ishte edhe Karaxhiçi. Mjek është edhe Presidenti sirian, emrin e të cilit nuk e përmend as kur flas me veten. Psikanalistët na thonë: Kur jemi të rritur dhe pësojmë mosrealizime e dështime, janë kujtimet e fëmijërisë ato që thërriten në skenë. Përvojat e hershme të fëmijërisë nga lindja deri në moshën 8-vjeçare ndikojnë në zhvillimin e arkitekturës së trurit, i cili siguron themelin për të gjithë mësimin, sjelljen dhe shëndetin e ardhshëm. Majmuni shikon, majmuni bën. Ky është modeli i sjelljes në fëmijërinë e hershme.
Sali Berisha i rritur jeton në Tiranë, ndërsa i dështuar e i çnderuar ka sjell të gjalla në skenën politike shqiptare kujtimet e fëmijërisë së hershme. Kujtime – informacione instiktive dhe intuitive që flenë në bodrumin e errët të subkoshiencës, aty ku ruhet i gjithë materiali që nuk banon në katin e mësipërm, në vetëdijen e njeriut. Janë ato që përcaktojnë se si njeriu vepron në situata të caktuara në mënyrë automatike dhe që janë të krahasueshme me informacionin e programuar për fluturimin e një avioni në autopilot. Subkoshienca autopilot ekzekuton vazhdimisht programe për të kontrolluar sesi ecim, ulemi, marrim frymë, si ndiejmë urinë, etj,.
Ne nuk duhet të mendojmë për këto gjëra, ato vetvetiu ndodhin vetëm sepse informacioni për t'i kryer ato veprime është i ruajtur në nënvetëdije. Drejtuesve të automjeteve u ndodh shpesh që bëjnë një pjese rruge dhe kur mbërrijnë diku çuditërisht nuk mbajnë mend asgjë nga rruga e përshkuar. Kjo nënkupton që informacioni i arkivuar si autopilot ka bërë punën e tij, pavarësisht se ku ka “qënë” mendja e ndërgjegjshme. Subkoshienca si program autopilot karakterizohet nga shpejtësia instiktive vepruese, mëndja e ndërgjegjshme është më e ngadaltë dhe e drejtuar për saktësi. Tek ky dallim e ka marrë kuptimim ajo që quhet gjuha e trupit që, te Sali Berisha mishëron një model mësimi të hapur.
Xhestikulacionet instiktive të nxitura nga zgjimi momental i demonëve në bodrumin e subkoshiencës nuk administrohen dot nga mëndja e ndërgjegjshme. Vuan dukshëm nga pamundësia për të zotëruar emocionet, “mbytet prej tyre”dhe hidhet në “revolucion” permanent. Kur them që Sali Berisha sjell në skenë fëmijërinë e hershme kam parasysh që me fondamentin biologjik të trashëguar nga prindërit fëmija e “mpiks” karakterin dhe formëson personalitetin kushtëzuar nga pritja që i bëhet në familje pas lindjes, në varësi nga dashuria, respekti, mirëkuptimi dhe ngrohtësia prindërore, të cilat i jepen si përjetime në vitet e para të rritjes. Këta fëmijë do të zhvillojnë natyrshëm karakteristika sjelljeje të ndryshme nga ata që përjetojnë neglizhencë, përbuzje, dhunë ose abuzim dhe fatkeqësia e tyre vazhdon kur nuk e kanë dikë që mund t'i drejtohen për mirësi dhe dashuri. Jeta si politikan e Sali Berishës dëshmon qartë se gjatë fëmijërisë së hershme bodrumi i nënvetëdijes së tij është mbushur me ngjarje të Kanunit, ndodhira vrasjesh, pusira, episode përbuzjesh, dhune, kurthe, informacione të shumta ogurzeza të kushtëzuara nga rrethanat gjeografiko-shoqërore, që impononin raporte pasigurie mbijetese, frikë permanente me hiper vigjëlencë në pritje të të papriturave që mund të sillte dita e nesërme. Akoma më keq kur ndoshta nuk e ka pasur dikë që mund t'i drejtohej për mirësi dhe dashuri.
Duhet të mbajmë parasysh se jo gjithçka e varrosur në subkoshiencën e tij është negative, por pjesa dërrmuese është mjaft ogurzezë. Nuk ka konfirmim të pohimit të përhapur se ka njerëz që lindin të këqinj. Nuk ka konfirmim të pohimit se nëse lind në qytet je më i mirë sesa ai që lind në fshat, në fushë, buzëdetit apo majë malit të izoluar, në familje të pasur apo të varfër, etj.. Jeta në vitet e diktaturës na ka dhënë një konfirmim shumë domethënës me familjet që jetuan në ambjentet mizerje të internimit në Tepelenë, në Savër apo Kurbnesh e diku tjetër. Koha dëshmoi se edhe pse në mjerim të plotë, me privacione ushqimore e kondita jetese antinjerëzore ato familje u dhanë fëmijve dashuri, respekt, mirëkuptim, mirësi, ngrohtësi dhe u gëzuan me pasardhës, njëlloj me familjet e tjera që jetonin nëpër qytete e fshatra.
Po të lexosh librin “Injoranca-padituria ose si e prodhojmë të keqen” e kupton qartë se Injoranca-Padituria, d.m.th lehtësia e marrjes së përgjegjësisë për sjelljen e fëmijës në jetë dhe jo mungesa e dëshirës prindërore për mbarërritje është shkaku që prodhojmë të keqen te fëmijët tanë. Me vetëdije ose pavetëdije prindi shfrytëzon dominimin fizik dhe mendor mbi fëmijën dhe lehtësisht përdor mbi të traumën e poshtërimit fizik, goditjen me pëllëmbë, rrahjen me mjete të ndryshme, përbuzjen, etj. duke nxitur nevojën për hakmarrje si ndëshkim që vazhdon brenda fëmijës. Fëmijët që mësojnë metodat e poshtërimit dhe të kërcënimit nga prindërit e tyre, mos u çudisni kur do t’i zbatojnë ato në shkollë. Duke u mësuar foshnjave dhunën fizike dhe pandjeshmërinë emocionale njerëzit vazhdimisht prodhojnë të Keqen në botë. Si prind në çdo ditë të jetës sonë ne depozitojmë në bankën e informacioneve të fëmijëve tanë mbresa të çfardollojshme. Janë këto informacione që ofrojnë dhe orientojnë drejtë ose shtrembër busullën e veprimeve tona si të rritur.
Një i rritur që ka përjetuar neglizhencë ose abuzim në foshnjëri do të priste sjellje të ngjashme nga të tjerët që i kujtojnë prindin neglizhues ose abuziv nga e kaluara e tij. Për Sali Berishën çdo gjë është një transaksion në të cilin luhet me tronditjen shpirtërore, frikën, dhe fajësimin e tjetrit.
Subkoshienca mund të krahasohet me një majmun “të egër” që të duhet t'a edukosh. Si “i egër” i palodhur endet e shkalafitet nëpër pyll gjithë ditën. Mund të të sjellë në bankën e informacionit pjesë të rastësishme, të dëmshme ose në rastin si “i edukuar” mund të jetë gjithë ditën i zënë me ato detyra të ngarkuara nën “efektin e edukatës”duke të sjellë informacionin e nevojshëm për të pasur sukses në një drejtim të caktuar. Në mes të këtyre dy mundësive ajo që të mbetet të bësh është që “t'i japësh një qëllim” këtij majmuni të egër. Ashtu si mendja e ndërgjegjshme mund të konsiderohet si kopshtari që mbjell fara, nënvetëdija mund të mendohet si kopshti, ose toka pjellore, në të cilën farat mbijnë dhe rriten. Nuk ka dyshim se informacionet e fëmijërisë së hershme të Sali Berishës ishin toka pjellore ideale ku u mboll fara e ideologjisë komuniste për të dhënë produktin, diktatorin bolshevik.
Kombinimi i fëmijërisë së hershme me ideologjinë komuniste e modeluan Sali Berishën mjeshtër të terrorit, një komunist të paepur, të pa ndryshueshëm për tu përshtatur për epokën demokratike. Nëse do e filloj nga e para atë për të cilën ai është i destinuar ose i “programuar mendërisht” do të bëj përsëri sikurse bëri të njëjtën gjë, konflikt dhe terror. Tani me benzinën në njërën dorë dhe në tjetrën shkrepsen, u kërkon viktimave të tij në PD që t’a bëjnë nuse për herë të tretë.
Pesë shekuj më parë “Mësuesi i së keqes” Nicolo Machiavelli shkruante: “Një njeri me personalitet të formuar sipas një ideologjie dhe i mësuar të veprojë në të vetmen mënyrë, nuk ndryshon kurrë; ai duhet të shkatërrohet kur kohët në ndryshim nuk janë më në harmoni me mënyrat e tij”. Kush mund t’a mendonte se 24 vjet pas goditjes së dyerve të kryeministrisë me arkivolin ku prehej kufoma e Azem Hajdarit ai do të përsëriste goditjen e dyerve të PD së, kësaj radhe me varre e sëpata duke u ngjitur edhe me shkallë, si në mesjetë!!.
Pyes, a zgjedh Sali Berisha të dëmtoj me qëllim të tjerët apo nuk është në gjendje të kontrollojnë veten? Për fat të keq Sali Berisha karakterizohet nga çrregullime antisociale të personalitetit. Gjëndje që përfshin dy sëmundje, të cilat nuk janë sinonime: Sociopatinë dhe Psikopatinë. Psikopat lind, sociopat bëhesh. Sali Berisha ka manifestuar një nga tiparet më të spikatura të sociopatit, Narcisismin, sipas Narcisus që në mitologjinë greke ra në dashuri me imazhin e tij.
Një narcisist si Sali Berisha emocionalisht në nevojë është tmerrësisht egoist, emocionalisht jo inteligjent dhe pafundësisht gjenerator manipulimesh. Emocionet e njeriut mpleksen dhe lëvizin më shpejt se intelekti ose logjika e tij. Doktori vuan nga inteligjenca emocionale e ulët gjë që i disekuilibron aftësinë për të perceptuar, për të vlerësuar, për të shprehur dhe kontrolluar emocionet në situata të vështira. Për pasojë, edhe pse përpiqet, nuk ndërton dot raporte të drejta lidershipi. Studjuesit besojnë se inteligjenca intelektuale-mendonjëse, përbën vetëm 20% të suksesit të njeriut në jetë. Kurse inteligjenca emocionale është përgjegjëse për produktivitet pozitiv ose dështime në masën 80%. Shëmbulli Trump: në katërmbëdhjetë muajt e parë si President, iu larguan me dorëheqje gjithësej 36 bashkëpunëtorë, ministra dhe këshilltarë të afërt të tij në qeveri.
Paqëndrueshmëria egërshane emocionale është para hyrja e tij në beteja të egra, ndarjeje të mundëshme ku s'ka nuanca mirëkuptuese, njëlloj sikur të ndash kategoritë e njerzve për rreth në dy kova, kovën e mirë dhe kovën plotësisht të keqe. Kjo ka bërë që Sali Berisha qysh në fillimet e tij në politikë t’i shohë kundërshtarët politikë thjeshtë si armiq të ngujuar në llogore, pa asnjë mundësi bashkëpunimi, kompromisi dhe mirëkuptimi. Të mos harrohet se të gjithë njerëzit mizorë e përshkruajnë veten si figura të sinqeritetit. Meqenëse thellë narcisisti Sali Berisha e ndjen veten të pa të metë, është e pashmangshme që kur futet në konflikt me botën, do ta perceptojnë konfliktin si fajin e botës.”
Kjo sjellje e provuar çdo ditë në jetën e tij politike. Realiteti që ai përjeton e shtyn që të shohë te tjetri rrezikun e të papriturës, veçanërisht kur ata janë jashtë fushës së tij direkte të shikimit Gjë që shtrembëron shumë pikëpamjen e tij për situatat ndërpersonale. Si narcisist Sali Berisha është një manipulator tepër diabolik, një kampion i gënjeshtrës dhe truproja besnik i saj. Si kampion i gënjeshtrës, paturpësia e tij mund të merret si njësi matëse që mund të quhet - sali. P.sh. po të duash të dish vlerën e së vërtetës te gazetari Adi Krasta pa frikë thua 14-15 sali, ose te Lul Basha thua pa hezitim 16-18 sali, etj.
Kurse te Ilir Meta pazari shkon pa frikë 25 sali. Narcisisti Sali e urren të vërtetën sepse e di që e vërteta lëviz një peshë të atillë që asnjë gënjeshtër e tij nuk e imiton dot. E vërteta është si operacioni. Dhëmb por shëron. Sali Berisha nuk është asnjëherë rregulli, gjithmonë përjashtimi prej rregullit. Ashtu siç beson se është superior ndaj të gjithëve që mban përrreth i pëlqen gjithashtu të mendoj se është mbi ligjet dhe diktatet që vlejnë për njerëzit “e zakonshëm”. Kështu që rregullisht gjen mënyra imponuese për t'i bërë njerëzit që të thyejnë ligjet në interes të Shefit. Ai e sheh veten si të jashtëzakonshëm, prej të cilit “kullon hijeshi”, besim, entusiazëm, që fiton zemrat dhe mëndjet e njerëzve, por që, kur ndihet i kërcënuar nga dikush që po “e tejkalon” në një mënyrë ose në një tjetër, shpërthen në fyerje, kërcënime me rrezik jete deri në vrasje. Në 30 vjet rastet me figurë dhe zë i kemi të shumta.
Nuk mund të mos bëhet pyetja: pse Sali Berisha u etiketua si karizmatik nga shumica e njerëzve ose më mirë nga turma? Pse për pakicën nuk ishte i tillë? Pse shumica e gjermanëve, e italianëve, e rusëve i perceptuan Hitlerin, Musolinin, Stalinin si idhuj karizmatik? Si është e mundur që njerzit e thjeshtë gënjehen lehtësisht nga fjalët e tyre, “mbyten nga emocionet” e subkoshiencës dhe logjika drejtohet nga emocionet, ndërkohë që produkti i tyre, i cili flet ulërishëm, është një diktaturë gjaksore? Pse një person me nivel intelekti mesatar kur gjëndet pjesë e një grupi politik afrohet dhe krijon një marrëdhënie të “ngrohtë fillimisht” me drejtuesin narcisist, qoftë ky shtetar “karizmatik”?. Mendoj se përpara një lideri “karizmatik” turma e militantëve dëshmon se nuk janë bërë individë të lirë për të gjykuar ftohët me mendjen e tyre, bëjnë atë që bëjnë të tjerët, ndikohen tej mase emocionalisht dhe besojnë verbërisht gjithëçka që ai u thotë. Mëndje shkurtër ata harrojnë se vepra ose produkti flet me zë më të lartë sesa fjalët. Të gjithë karizmatikët e historisë kanë pasur një fund fatal.
Shqiptarët në komunizëm u dhunuan në masë prej Enver Hoxhës dhe një pjesë e madhe e tyre e adhuruan dhunuesin e tyre të pamëshirshëm. Nisi rrugëtimin demokracia dhe çuditërisht disa intelektual rreth Sali Berishës, të egzaltuar filluan të shprehnin adhurim për karizmën e tij. Njëlloj si më parë të dhunuar nga Enver Hoxhëai, diktatori “karizmatik” Sali Berisha u soll sikur konkuronte për t’a kaluar Enverin në egërsinë e dhunimit. Përse? Grupi i mocionistëve të parë në PD, pasi u abuzuan nga Berisha, u larguan, por me rikthimin pranë tij dëshmuan se njerzit kanë atë “lider karizmatik” që sjellja e tyre e meriton. Valët e të abuzuarve nga Berisha këto tre dekada, duke filluar nga arkeologët e deri te profesionistët me profesionin më të ri në Shqipëri, sociologë e psikologë, të larguar nga dhunuesi “karizmatik” Berisha por të rikthyer përsëri te dhunuesi, treguan që ishin individ me karakter të deformuar, që vuanin poshtërimin e markës narcisiste të liderit Berisha. Trauma e poshtërimit e bën njeriun të varur psikologjikisht nga abuzuesi ose dhunuesi i tij. Kjo shpjegon pse për të dhunuarin përpjekja që të zhbllokojë veten, për të ndërprerë kontaktin me narcisistin bëhet jashtëzakonisht e vështirë.
Dhunuesi rregullisht e vendos viktimën e tij në situatë që të provoj se është i denjë ose besnik, të zgjedhi midis tij dhe dikujt tjetër dhe gjithmonë viktima ndihet i detyruar të zgjedhë atë. Narcisisti di se si të shtypë butonat e viktimës për t’a bërë atë që të ndihet i vlefshëm ose fajtor. Militantit të abuzuar i duket që brenda një kohe të shkurtër ëndrrat e tija më të guximshme po bëhen realitet, mendimet e tij kanë rëndësi për Abuzuesin dhe ndihet si personi më i rëndësishëm në botë për atë. Këta tipa janë lehtësisht të dallueshëm në oborret e partive. Narcisisti vuan nga pa aftësia e ndërtimit të mardhënieve me të tjerët, pa aftësia për të formuar një imazh të integruar, realist dhe relativisht të qëndrueshëm për veten dhe njerëzit e tjerë. Berisha narcisist është i preokupuar me fantazitë e suksesit, madhështisë, apo të pushtetit të pakufizuar. Ai ndihet si një kovë me një vrimë në fund, sado që të përpiqeni t’a mbushni, asnjëherë nuk është mjaftueshëm. Fraza: unë kurrë nuk ndihem sikur jam mjaftueshëm, është mantra e personit me sjellje narcisiste. Thënë ndryshe gjahu i Sali Berishës janë njerëzit që kanë humbje të ndjenjës së vetvetes dhe të vetëvlerësimit. Njeriu rritet në moshë detyrimisht, por maturimi mendonjës është opcional.
Poshtërimi prej narcisistit është një helm i vështirë për t'u larguar sepse përdoret për prodhimin e poshtërimit të ri që nxit përhapjen e dhunës, dinakërisë hakmarrëse perverse që si gjarpëri në qoshe pret rastin të të kafshoj. Kur një person toksik si Sali Berisha nuk mund t'ju kontrollojë më, ai do të përpiqet të kontrollojë se si ju shohin të tjerët.Ka nga ata që bëjnë sikur i largohen Sali Berishës i cili tashmë jeton në kokën e tyre. E kemi parë kur trauma e poshtërimit prej tij ka mundur të kalojë edhe te brezi pasardhës. Në rastin e abuzimit narcisist, kjo do të thotë se njerëzit më vonë në linjën familjare mund të përfundojnë duke u përfshirë në marrëdhënie me abuzuesit, ose të mund të bëhen vetë abuzues. Njohim disa të rinj e të reja që prezantohen në jetën publike e politike si djali apo vajza e këtij apo atij njeriu të afërt me Sali Berishën “karizmatik”. Njerzit kanë përherë më pak drojtje të fyejnë atë që sillet mirë me ta sesa dikë që u kall atyre tmerrin, e këtë na e thotë “mjeshtri i së keqes” Machiavelli.
Narcisisti shkatërron jetën e tjetrit, ia gërryen vetëvlerësimin dhe e bën atë me një fshehtësi të tillë që të ndiheni se jeni ju ai që po e zhgënjeni." Lidhja e traumës poshtëruese ndodh kur një abuzues i jep viktimës shpërblime dhe ndëshkime të vazhdueshme, zhvillohet një kushtëzim psikologjik, i mbijetuari futet në grackën e mardhënies së shërbimit–marrjes së favoreve e shpërblimeve, gjithnjë shpreson për shpërblimin e ardhëshëm dhe një lehtësim nga vuajtja.
Individët që ndizen emocionalisht nga prania e udhëheqsit të jashtëzakonshëm vuajnë nga mungesa e identitetit të “Unit”, ngushëllohen dhe kënaqen kur merren në konsideratë prej tij, nuk mund të ndalen së “dashuruari” narcisistin. I dhunuari ose e dhunuara vetofrohet kaq shëmtuar sa nuk e ka për gjë që të shprehet “ O Skënderbeu ynë”. Këta përbëjnë taborët e atyre që e quanin Enver Hoxhën dje dhe Sali Berishën sot “udhëheqës karizmatikë”.Definicionin i Solzhenicinit është shumë domethënës: “Qëniet njerëzore lindin me kapacitete të ndryshme. Nëse janë të lirë, nuk janë të barabartë. Dhe nëse janë të barabartë, nuk janë të lirë.” Pas “Non Grata”Sali Berisha narcisist ka nevojë për dashurinë, vëmendjen dhe admirimin e të tjerëve për të mbijetuar, sepse ai nuk mund të prodhojë mjaftueshëm respekt të shëndetshëm për veten për të qenë në paqe. Ai jeton në një realitet tjetër, “të vetin”, ndryshe nga njerzit e tjerë. Nëse ka nuhatur se keni vetëbesim të ulët, narcisisti Berisha mund të duket sikur po ju vjenë si shpëtues. Berisha narcisist është shpejt në gjendje të identifikojë të tjerët përreth tij që do ia lehtësojnë atij si narcisist mundësinë që të jetë dominues në marrëdhëniet mes tyre. Të dhunuar e të pa identitet ata e shohin narcisistin që do të jetë tepër i përshtatshëm për nevojat e tyre. Ata do e lejojnë që të ketë kontrollin e plotë mbi ta duke u tërhequr dhe ngjitur më shumë pas tij.Minel
Mund të tingëllojë kundërintuitive, fatkeqësisht e vërtetë se shpesh në raporte burrë-grua, bashkëshortja me vetëbesim të ulët, mund të tërhiqet nga partneri sharman që ia konfirmon vetëvlerësimin e saj të ulët duke e poshtëruar. Fatkeqësisht e dhunuara e pranon dashurinë që, edhe pse poshtëruese, mendon se e meriton. Narcisisti Sali Berisha si njeri toksik disa herë ka gjetur alibira e mënyra për të transmetuar te të pakënaqurit me të, ndjenjën se atij ata i kanë borxh diçka. Ndërprerja e kësaj mardhënieje ndihet si largimi nga droga. Në mungesë të mundësive të tjera Sali Berishës nuk i ka mbetur gjë tjetër veç të presë rastin e rikthimit të lavdisë si në rastin e princit Italian në shek. 15 të. Këtë princ italian të Rilindjes, prifti e pyeti në shtratin e vdekjes nëse kishte ndonjë gjë për të cilën të pendohej. “Po”, tha princi, “ka një gjë. Në një rast pata një vizitë nga Perandori dhe Papa njëkohësisht. I çova në majë të kullës sime për të parë pamjen dhe neglizhova mundësinë për t'i hedhur të dy poshtë, gjë që do të më jepte famë të pavdekshme».
Të gjithë duan diçka. Shumica do të gjejnë mënyra për të marrë atë që duan, por ajo që i ndan individët është se deri sa larg ata janë të gatshëm të shkojnë për të marrë atë që duan. Përfundimi poshtërues i narcisistit tonë “karizmatik” në krye të shtetit në jetën e tij politike përshkoi të njëjtën trajektore poshtëruese si e të gjithë narcisistëve “karizmatik” në pushtet në vendet e tjera të botës.