Prej më shumë se 5 dekadash, makina qepëse është pjesë e pandashme e jetës së tij. Irfan Frasheri e filloi punën kur ishte 15 vjeç, për shkak se rridhte nga familje e persekutuar, nuk iu dha mundësia për t’u arsimuar.
“Sapo kam përfunduar klasën e 8-të, kam nis punën, në vitin 1969. Meqenëse ne ishim familje e persekutuar, s’më çuan në shkollë dhe iu përkushtova zanatit”, shprehet Ifran Frashëri.
Prej vitit 1969 punon rrobaqepës në qytetin e Lezhës.
“Fillimet kanë qenë të vështira, bëra dhe kursin 9-mujor, por unë iu përkushtova këtij zanati. E kam pas edhe pasion rrobaqepsinë ndaj e vazhdova pa u ndalur. Zanati nuk të bën rehat por me jetu jeton. Gjilpëra sa ka vrimën, ka nafakën”, thotë ai, duke e ilustruar me një shprehje popullore.
70-vjeçari është i vetmi që qep kostume për burra në Lezhë. Me këtë zanat ka rritur dhe shkolluar 3 fëmijët, të cilët kanë ndjekur ëndrrat e tyre. Asnjëri nuk është bërë rrobaqepës, madje siç tregon Irfani, pakkush ndër të rinjtë dëshiron të ndjekë degët profesionale.
Ky profesion ka lodhje dhe vështiresitë e veta, por 70-vjeçari e konsideron punë artistike, ndërsa makina e qepjes që përdor është prodhuar plot 85 vite më parë.
“Makina ka shumë vite, por unë s’mund të punoj me makina elektrike, e kam më kollaj me makinë mekanike se jam mësuar shumë vite me këtë makinë. Sa të kem mundësi do të punoj. Është punë e bukur kjo, por të rinjtë, sidomos djemtë kanë marrë rrugën për jashtë. Lezha do ketë mungesa të jashtëzakonshme, sot për sot unë jam rrobaqepësi i fundit për burra në Lezhë”, vijon më tej ai.
Sot, rrobaqepësi më i vjetër në Lezhë Irfan Frashëri thotë se nuk do t’i ndahet profesionit, duke sfiduar moshën e pensionit.
E vleresoj kete zoteri te nderuar per punen qe ben.Rrobaqepsia per burra eshte shume e veshtire dhe kete pata rast t'a vleresoj kur pashe qe nuk behet fjala thjesht per te qepur nje kostum,apo nje kemishe e pantallona.Te kostumet e burrave qe jane me vija,ose kuadrate nje e qepur e shkelqyer eshte kur ne vendet ku takohen pjese te ndryshme,p.sh.menga me supin,gjoksin,ose shpinen,vijat,ose kuadratet e ketyre pjeseve te ndryshme perputhen ne menyre te tille qe duhet te duken si vazhdim,si e njejta cope.Shume e veshtire per mendimin tim,prandaj ky zoteri dhe kolege te tij duhen vleresuar shume.Fustane mund te qepe kushdo,po kostumet e burrave ,jo cdo njeri eshte i afte t'i qepe sic duhet ne perfeksion.
Përgjigju