Me pjesëmarrjen e saj në Forumin Evropian të Alpbach në Austri, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u përqendrua në hapat që vendi i saj po ndjek për një mundësi të ardhmeje në Bashkimin Evropian.
Për këtë, Osmani, ka zhvilluar gjithashtu një intervistë për median TVP World në Albtach.
Por, sa afër dhe sa larg është Kosova në bashkimin e saj me unionin evropian?
Për Osmanin, dëshira është 100%. Nga ana tjetër, ajo shprehet se Kosova po bën më të mirën e saj, madje cilëson se ky shtet ka dhënë përparimet më pozitive në Ballkanin Perëndimor, por pengesë mbeten ato vende të cilat ende nuk e njohin pavarësinë e saj.
“Në termat e shpirtrave tanë, në termat e dëshirave të politikave tona, por dhe në termat e njerëzve tanë, jemi 97%, apo dhe 100%. Kjo sepse jemi një shtet linear me Bashkimin Evropian. 97% e njerëzve tanë janë pro Bashkimit Evropian, janë pro NATO-s. Në termat e reformave, jemi shteti i Ballkanit Perëndimor që po bën më të mirën. Ndaj, kur vjen puna në vlera jemi më të mirët. Por, kur vjen puna në politika, procedura, jemi ende goxha larg pasi siç e dini janë ende 5 shtete në Bashkimin Evropian që nuk kanë njohur Kosovën”, tha Osmani.
Si Rusia luan rol në disinformimin ndaj Kosovës për bashkimin e mundshëm të saj në unionin evropian?
Presidentja Osmani tha se qëllimi i ndërhyrjes të forcave të tilla si Rusia, Kina apo Irani, që i cilësoi dhe si “trekëndëshi i së keqës”, është që të ç’rregullojë gjendjen e stabilitetit në kontinentin tonë, në vlerat e BE-së dhe të NATO-s.
“Shpesh herë them se kur shohim linja të fuqive të tilla si Rusia, Kina, Irani, ky trekëndsh i së keqës, përpiqen të influencojnë në Ballkanin Perëndimor, nuk e bëjnë për bamirësi, por sepse kanë interesa strategjike të shtrijnë fuqinë e tyre në një pjesë shumë të rëndësishme të kontinentit evropian. Ata besojnë se duke ç’stabilizuar ballkanasit perëndimor, duan të ç’stabilizojnë të gjithë sistemin e vlerave që unioni evropian dhe NATO janë”, u shpreh ajo.
Si po ndikohet Kosova nga aktualiteti i Serbisë, në një vend në të cilin po zhvillohen protesta masive dhe të njëpasnjëshme? Sipas Osmanit, ndikimi nuk do të jetë vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin.
“Mendoj se ajo që po ndodh në Kosovë tani do të ndikojë në të gjithë rajonin, jo vetëm Kosovën. E di, kur ke një shtet që drejtohet nga një autokrat, nuk ka besueshmëri në të drejtat humane, në vlerat e ligjit, në vlerat e shoqërisë dhe të lirisë së fjalës. Dukshëm, kjo ka një ndikim negativ gjithandej. Vuçiç ka përdorur propagandën si instrumentin kryesor për dekada”, shtoi më tej Osmani.
Presidentja shprehet se protestat janë një zë për të treguar se Serbia dëshiron çlirim nga propaganda, e se kanë nevojë për qeverisje në bazë të ligjeve.
“Kuptoj se studentët e të tjerët, po protestojnë për ligje, kundër korrupsionit, e mendoj se kjo është një vlerë shumë e rëndësishme për çdo shoqëri”, vijoi më tej ajo.
Më e rëndësishme, mos konstituimi i Kuvendit të Kosovës që po merr “kohën e saj”, duke u tejzgjatur pavarësisht vendimit të Kushtetueses. Presidentja Osmani, u shpreh se e gjithë kjo situatë vjen për shkak të mungesës së besimit që ekziston midis partive politike. Por kjo, ndikon gjithashtu dhe në hapat e Kosovës për të vijuar më tej me rrugën e saj të anëtarësimit në unionin evropian.
“Aktualisht, është një mungesë e një dakordësie politike të partive politike. Kjo sepse partitë politike nuk duan që të punojnë me njëra tjetrën. Ka mungesë të besimit, e kjo është për të ardhur keq sepse Kosova është duke humbur shumë. Sa më shumë kohë kalon pa pasur një Parlament, më shumë po humbasim nga projekti i Bashkimit Evropian. Më shumë mundësi jemi duke humbur me administratorët e BE-së. Si presidente e vendit, bëj shumë, e shumë nga këto dakordësi që bëj duhet të kalojnë nga Parlamenti, qoftë për radifikim apo implementim. Kosovës do i duhet të ketë një qeveri funksionale”, tha Osmani.
Kujtojmë se Levizja Vetëvendosje, duke propozuar një ditë më parë (24 gusht 2025), emrin eArbërie Nagavcin për kryeparlamentare, nuk arriti në konsensus pasi ministrja në detyrë e arsimit u rrëzua me 55 vota pro, 47 kundër dhe 4 abstenime. As Dimal Berisha nuk arriti të merrte votat e nevojshme, pasi 57 votuan pro, 25 kundër dhe 24 abstenime.
Seanca e radhës konstituive, do të mbahet ditën e nesërme, më 26 gusht, në orën 11:00.
Komente
