Premiera botërore e simfonisë nr.5 “Skënderbeu” e kompozuar nga Aleksandër Peçi u ngjit në skenën e Universitetit të Arteve nga orkestra e RTSH nën dirigjimin e Eno Koços dhe interpretimin e sopranos Gesu Zefi.
Simfonia nr.5 “Skënderbeu” është përzgjedhur, si vepër fituese nga konkursi i realizuar nga RTSH për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Kjo vepër e rëndësishme e muzikës klasike shqiptare, në fushën e kompozicionit, erdhi në skenë në dhjetë kohë.
Prantagoria, kalërimi, liria, liturgjikal, martesa, besëlidhja, Himn Monumental janë vetëm disa nga dhjetë kohët, që kompozitori i njohur shqiptar Alekandër Peçi ka krijuar për të evidentuar këtë ngjarje të rëndësishme historike të vendit tonë.
Kalërimi i instrumenteve, bën që të dialogojnë me njëri-tjetrin plot ritëm, ndërsa vringëllimat e shpatave në perkusion, të mbështeten tek fuqia luftarake e trompave. Martesa, sipas kompozitorit Peçi, përcjell adrenalinën e një dasme shqiptare me krushq kalorës, që shalojnë mbi një ritmikë të pikëzuar. Ndërsa, besëlidhja vjen në simbolikë të 7 princave përfaqësues të 7 Principatave.
Kohën e tetë largo mortore, për soprano dramatike dhe orkestër Peçi e ka kompozuar, duke u mbështetur në prozën poetike “Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti.
Për kohën e dhjetë, “Himn Monumental” - soprano dramatike dhe orkestër është mbështetur mbi vargjet e poetëve të shek. XV (Faerno Gabriele 1501 -1561, Amadis Jamin (1540-1593).) e deri tek Childe Harold e Lord Byron
Vepra “Skënderbeu” konsolidon edhe më shumë platformën kompozicionale të Aleksandër Peçit, Polygravite Ç2 composition dhe rrymën ku ai bën pjesë, që prej viteve ’70 deri në ditën e sotme, kabaizimi.