Kultura

Premiera e ‘Traviata-s’ çel sezonin artistik në TKOB, sopranoja Eva Golemi: Do luaj sërish ‘Violetën’, roli im i dashur

27 Shtator, 17:43| Përditesimi: 27 Shtator, 18:07

  • Share

“La Traviata” e autorit Giuseppe Verdi është shfaqja që çeli sezonin e ri në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Shfaqja operistike erdhi si një produksion me regji të Hugo de Ana e do të vijojë të ngjitet edhe për tre netë të tjera në skenë.

Ajo është Violeta, gruaja që sfidoi normat e kohës dhe guxoi të jetojë dashurinë e saj deri në fund. Bëhet fjalë për personazhin aq shumë të njohur të operës “Traviata” të Giusepe Verdit, e që mbrëmjen e së premtes i është dhënë jetë nën interpretimin e sopranos Eva Golemi.

“Violetën e luaj më tepër se 70 herë dhe është një nga rolet e mija më të dashura. Por ky produksion në fakt është shumë i veçantë për mua sepse është i regjisorit të madh Hugo De Ana”, tha sopranoja Eva Golemi.

Shfaqja shënoi çeljen e sezonit të ri për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit ndërsa erdhi sipas vizionit të regjisorit me famë botërore, Hugo de Ana.

Nën vizionin e tij artistik, historia e Violetës merr jetë përmes një skenografie monumentale dhe një gjuhe vizuale që tejkalon kohët, duke e sjellë këtë kryevepër deri në ditët tona.

Krahas Eva Golemit, e cila e ka interpretuar rolin e Violetës mbi 70 herë në skenat më prestigjioze, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ky personazh do të vijë i interpretuar mbrëmjen e kësaj të shtune, më 27 shtator, nga sopranoja Zuzana Markova, një nga zërat më të kërkuar të repertorit belkanto dhe më 28 shtator nga sopranoja Nina Muho.

“Gjej rastin të kujtoj që ky rol për herë të parë, në 3 vjetor të 1956 që është vendosur në TKOB është performuar nga Marie Kraja dhe ndihem e lumtur që sot në produksionin e 9-të këtij teatri do të performoj në këtë rol”, u shpreh sopranoja Nina Muno.

Ky produksion, i sjellë nga Teatri i Zagrebit do të jetë pjesë e një shfaqjeje të jashtëzakonshme për publikun shqiptar, duke e vendosur Teatrin tonë të Operas në të njëjtin nivel me teatrot prestigjiozë që kanë pasur privilegjin të bashkëpunojnë me mjeshtrin Hugo de Ana.

“Traviata” do të vijojë të shfaqet edhe më 27, 28 e 29 shtator në orën 20:00. Sezoni i TKOB-it do të vijojë me një seri koncertesh simfonikë, ku mund të përmendim atë me violinistin Giuseppe Gibboni apo koncerti i Beethovenit me violinistin Jonian Kadesha. Ndërsa sa i përket shfaqjeve të baletit, sezoni hapet me edicionin e 4-t të “International Dance Festival”, ku spikasin një homazh për muzikën e Ennio Morricone dhe rikthimi i magjisë së “Arrëthyesit”.

K.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?