Premiera në Korçë/ 'Vassa Zheleznova’ vepra e Gorkit vendoset për herë të parë në skenën shqiptare nga regjisori Enke Fezollari!

11 Qershor, 15:49| Përditesimi: 11 Qershor, 16:03

  • Share

Vassa Zhelesnova, vepra e njohur e shkrimtarit rus, Maksim Gorki është vënë për herë të parë në skenën shqiptare nga regjisori i sukseshem i teatrove greke, Enke Fezollari. Drama klasike u luajt në skenën e teatrit “Anton Zako Cajupi” të Korçës, nga një kasë e mirë aktorësh si Zamira Kita, Guri Koco, Rita Gjeka, Urim Aliaj.

Pas shfaqjes, regjisori shqiptar që jeton në Greqi, Enke Fezollari u shpreh se vepra e shkruar një shekull më parë shpreh mesazhe që janë aktuale për shoqërinë.

“Është e rëndësishme që rinia të kthehet në teatër. Është e rëndësishme që të rilexojmë dhe të shohim në teater veprat e autorëve të mëdhenj”, tha ai.

Aktorja shkodrane Rita Gjeka që ngjitet për herë të parë në skenën e teatrit të Korçës tha se i eshtë dashur punë për tu përshtatur me një rol të gjinisë së kundërt.

“Është kënaqësi të luaj në këtë teater me tradita, edhe pse roli ishte i vështirë”, tha ajo.

Drejtuesja e teatrit të Korçës dhe një prej aktoreve në këtë shfaqje, Zamira Kita foli për rolin e vështirë të Vassës, një rol ky me ngarkesë të lartë të materialit dhe emocioneve gjithashtu.

“Po zbuloj pak nga fabula; Vassa sigurisht nuk do të marrë gjithçka për vete, duket sikur sakrifon edhe fëmijët për pasurinë, por në fakt është e kundërta!”, u shpreh Kita.

Loja fantastike e aktorëve dhe puna e regjisorit Enke Fezollari u duartrokit nga publiku që mbushi sallën e teatrit në Korçë. Për ata që nuk e panë premierën, “Vassa Zheleznova” shfaqet sërish të martën dhe të mërkurën në mbrëmje.

R.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?