Albin Kurti

Kosova & Rajoni

'Premtime për vende pune e mbështetje financiare', Kurti akuza ndaj Serbisë: Po ndërhyjnë në zgjedhjet lokale në Kosovë! BE të reagojë

7 Tetor, 13:21| Përditesimi: 7 Tetor, 13:35

  • Share

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të martën se po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare.

Kurti tha se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.

“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiç, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.

Kurti e tha këtë gjatë një mbledhjeje të Qeverisë në detyrë, ku kabineti i tij ndau nga 100 euro për studentët e vendit për fillimin e vitit të ri akademik.

Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet e Kosovës dhe ta sanksionojë Serbinë për këtë.

Vuçiç tha për televizionin Pink në Serbi në fundjavë se “ne do t’i hapim 400 vende të reja pune në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë dhe 400 familje”.

“Kjo është diçka shumë e madhe për Kosovën, dhe ne do ta bëjmë këtë brenda dhjetë ditëve të ardhshme, në mënyrë që njerëzit ta dinë se ne do të kujdesemi gjithmonë për të”, tha Vuçiç.

Kurti theksoi se ndërhyrjet në zgjedhjet e shteteve të tjera janë ndërhyrje në formë të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti”.

Serbia u akuzua edhe për ndërhyrje në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit, dhe misioni vëzhgues i BE-së tha asokohe se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Serbia u akuzua edhe nga Gjermania për ndërhyrje në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Kurti e kritikoi Bashkimin Evropian se nuk kishte bërë asgjë për ta ndëshkuar Serbinë për këtë.

Ndërkohë, në zgjedhjet lokale të fundjavës së ardhshme, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Serbisë, Lista Serbe, pritet ta rimarrë pushtetin në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - Mitrovica e Veriut, Leposaviçi, Zveçani dhe Zubin Potoku - udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi në nëntor të vitit 2022, të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si reagim ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për t’i hequr targat serbe të makinave.

Serbët, duke ndjekur udhëzimet e Listës Serbe, nuk morën pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna më 2023, si dhe bojkotuan edhe votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në prill të vitit 2024.

Por, Lista Serbe do të garojë sërish të dielën për ta kthyer pushtetin në veri në një kohë tensionesh për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të vendosur kontrollin atje.

Banorët serbë të komunave veriore të Kosovës janë të ndarë mes shpresës dhe skepticizmit për zgjedhjet e 12 tetorit, pasi disa e presin rikthimin e serbëve në krye të komunave si “liri”, ndërsa të tjerët nuk presin ndryshime të mëdha.

Serbia, e cila vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës duke e cilësuar atë pjesë të veten, ka ndarë të ardhura nga buxheti shtetëror për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.

Kjo përfshin paga, pensione, shtesa për fëmijë dhe ndihma të tjera financiare./REL

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?