Partia Demokratike është parti që e barazon veten me një parti konservatore, pra të djathtë. Megjithatë, tek premtimet ekonomike, rrogat, pensionet, minimumi jetik dhe shumëfishimi i subvencioneve për bujkun, paraqitet më e majtë se vetë të majtët në pushtet sot.
Pavarësisht ndryshimit të qëndrimit në qasje, kjo, në fund të fundit, nuk ka asgjë të keqe. Pas dymbëdhjetë viteve në opozitë, Partia Demokratike të vetmen forcë e ka tek premtimet.
Ato duhet të jenë sa më pranë interesave dhe shpresave të qytetarëve dhe në fakt të tilla i ka. Premton dyfishimin e pensionit minimal brenda 100 ditëve të para, premton në katër vjet rrogën mesatare në shkallë vendi në 1 mijë e dyqind euro, çmimin e energjisë të ulur me 18 përqind për qytetarët (nga 8.5 lekë në 7 lekë për kilovat-orë) menjëherë. Si dhe po menjëherë uljen e çmimit të energjisë elektrike me 2.4 herë për bizneset (nga 14 lekë në 6 lekë), uljen me 40 përqind të çmimit të naftës, e me rradhë.
Minimumi Jetik Zyrtar i PD-së: mision i (pa)mundur?
Mirëpo problemi madhor qëndron tek realizueshmëria e këtyre premtimeve të forta. Tek pyetja: a janë këto 28 premtime të zbatueshme në praktikë, apo vetëm një listë dëshirash?
Po shikojmë më kryesoren prej tyre, vendosjen e Minimumit Jetik Zyrtar.
Vetëm për premtimin kryesor të demokratëve, minimumin jetik zyrtar, do të duhen më shumë se gjysëm miliardë euro në vit dhe mbi 2.4 miliardë euro në katër vjet, për arsye se pensionistët shtohen në Skemën e Pensioneve me 15-17 mijë vetë çdo vit.
Ky premtim dhe të 27 premtimet e tjera lumë, mund të zbatohen, vetëm nëse borxhi publik i vendit do të rritet shumë fort. Kjo, ngaqë Partia Demokratike premton taksë të sheshtë të ulët 10 përqind dhe nga taksat nuk nxjerr dot para. Parate nga lufta që premton kundër korrupsionit duan kohë të vijnë.
Dhe ngaqë i duhen 11 miliardë euro në katër vjet, po ta ketë seriozisht që të mbajë premtimet që po jep në fushate, i bie gati te dyfishojë borxhin publik të vendit, për t’i gjetur fondet e premtimeve!
Çfarë premtojnë socialistët?
Partia që po plotëson 12 vjet në qeverisje tek ne, u kërkon qytetarëve një mandat të katërt, për t’i çuar në Bashkimin Evropian. Forca politike që realizoi katër takime të nivelit më të lartë(samite) të Bashkimit Evropian në Tiranë në tre vitet e fundit, u premton shqiptarëve një pagë mesatare për të gjithë një mijë euro në muaj, në fund të mandatit të katërt në maj 2028.
Më 1 janar të vitit të ardhshëm, socialistët do të ngrenë me 20 përqind pagën minimale, duke e çuar në 500 mijë lekë të vjetra në muaj dhe duke ndihmuar punëdhënësit me taksa zero për 100 mijë lekëshin e shtesës së pagës minimale.
Mësuesit në shkollat publike do ta shikojnë pagën e tyre mesatare të rritur me 30 përqind, në 1250 euro në muaj, nga 950 euro në muaj që kanë sot. Mjekëve paga e tyre e sotme mesatare prej 1350 euro në muaj do t’u shtohet nën socialistët me 70 përqind, për të shkuar në 2 mijë euro në muaj në vitin 2030.
Oferta më e madhe ekonomike nga socialistët ata për katër vitet e ardhshme në pushtet, është paqja fiskale. Në qershor të këtij viti, socialistët do të bisedojnë me biznesin për ndryshimin e taksës mbi tatimin për fitimin. Ajo do të jetë sa është tani, 15 përqind, vetëm për një fitim 4 përqind.
Pra, të barabartë me parashikimin e rritjes ekonomike për vitin 2026. Për shembull, nëse biznesi realizon një fitim 10 përqind mbi xhiron e tij vjetore(tek ne mesatarja e fitimit është 10-12 përqind), ai do të paguaje për 60 përqind të fitimit të tij vetëm një të tretën e kësaj takse, pra 5 përqind.
Kështu socialistët besojnë se mund të ndreqet gradualisht plaga më e madhe e sistemit tonë të mbledhjes së taksave, mosdeklarimi korrekt i fitimit nga shumica e bizneseve. Kështu do të marrin fund edhe kontrollet fizike nga tatimorët në dyert e dhjetra mijëra bizneseve, një pjesë e mirë e të cilëve më zarf blerës nën dorë.
Me biznesin e vogël, socialistët kanë rezervuar 3 miliardë euro kredi të buta ose programe mbështetjeje në katër vjet, përmes linjës 250 milionë euro të kredisë së butë të hapur nga Banka e Shqipërisë për çdo vit, parave nga Banka e Zhvillimit dhe 1 miliardë eurove për sipërmarrjet inovative në teknologjinë e informacionit dhe në inteligjencën artificiale, nën programin “Shqipëria e zgjuar(Smart Albania, në anglisht)”.
Kujt rrezikon t’i griset thesi i premtimeve?
Në këtë mënyrë, partia në fuqi shpreson të krijojë 100 mijë vende të reja pune të mirëpaguara. Socialistët nuk premtojnë gjëra të pamundura për pensionistët, si pensioni minimal 200 euro që 100 ditët e para të mandatit të ri.
Këtë e premton opozita, që nuk ka gjë tjetër të ofrojë, veç premtimeve, për t’u besuar. Mirëpo ekonomia është arti i të mundurës dhe të premtosh minimumin jetik prej 200 mijë lekësh në muaj për të gjithë ata në nevojë dhe pensionistët me pensione të ulta, një premtim fisnik vërtet, por që kushton 530 milionë euro çdo vit, të premtosh gjashtëfishimin e subvencioneve për fermerët, me faturë shtese 250 milionë euro në vit, së bashku me kartën e konsumatorit që do t’i marrë Buxhetit 60 milionë euro në vit, me uljen e çmimit të naftës dhe energjisë elektrike, që do t’i hajnë po Buxhetit të të gjithëve edhe 400 milionë euro të tjera, i bie t’ia hash Buxhetit të Shtetit të gjithë mishin.
Duke i lënë vetëm kockat. Prandaj dhe duhet të bëjmë kujdes dhe të shikojme se cila parti nuk e ka hapur thesin e premtimeve aq shumë, sa t’i griset
Komente
