LIVERPOOL - Armando Broja, sulmuesi i Kombëtares luajti 25 minuta në barazimin që Everton mori 1-1 kundër Arsenalit në "Goodison" të shtunën. 23-vjeçari më 9 janar vuajti një dëmtim që e mbajti jashtë për dhjetë ndeshje në Premier League dhe pas minutave me Kombëtaren ka fituar besimin e David Moyes te Everton.
Për "Evertontv" Broja tha se ka shumë për të dhënë dhe më e mira ende nuk ka ardhur. Djaloshi tregon se nuk ndjen më dhimbje dhe futet me besim në fushë.
“Ndihem shumë më mirë tani. Jam i lumtur që mund të futem në fushë dhe të luaj pa dhimbje. Kjo është çdo gjë që doja, të mos kisha dhimbje, të shijoj futbollin, të luaj përballë tifozëve dhe të provoj të bëj më të mirën për skuadrën. Jam 100% i sigurt që ka shumë më tepër që mund të vijë prej meje. Më e mira nuk ka ardhur akoma. Mund të bëj shumë më tepër.
Do të ketë momente kur golat të vijnë dhe do të luaj shumë më mirë, e sigurt. Siç e thashë, gjëja më e rëndësishme për mua është që u ktheva sërish, të luaj pa dhimbje dhe të lë pas çdo dëmtim që kam pasur në të kaluarën dhe të shoh përpara.
Çfarëdo të jesh, çfarëdo lojtari, është gjithmonë e rëndësishme kur të kesh një mundësi t’i tregosh trajnerit, tifozëve, klubit dhe të gjithëve çfarë mund të bësh. Kjo është pjesë e të qenit një futbollist. Çdo herë që shkel në fushë, duhet të japësh çdo gjë, nuk ka rëndësi kush je, çfarë niveli luan, është gjithmonë për të bërë më të mirën për veten dhe klubin. Dua të futem në fushë dhe të jap gjithçka mundem.
Pritshmëritë - Siç thashë, më e mira do vijë. E di çfarë mund të bëj. E di kapacitetin tim dhe mund të shty duke filluar nga aty. Gjithmonë mundohen dhe mendoj se ka qenë gjithmonë në natyrën e Evertonit. Mund ta shikosh dhe sot po ashtu. Nuk ndalojmë.
Ne vazhdojmë deri në vërshëllimën përfundimtare. Duam të ngjitemi sa më lart në tabelë. Kemi akoma shtatë ndeshje të mbetura dhe e dimë se do të ndeshemi më disa skuadra të mëdha sërish, por do të japim gjithçka dhe të sigurohemi që të ngjitemi sa më lart të jetë e mundur”, u shpreh 23-vjeçari.
Broja luan te Everton i huazuar nga Chelsea deri në fundin e sezonit dhe shpreson që të bind drejtuesit e klubit nga Liverpool që ta blejnë në verë.
Komente
