Të shtunën në 16:00 Superliga shqiptare e futbollit luan raundin e 36-të dhe të fundit për fazën e rregullt, ku do mësohen të plota edhe katër skuadrat që do luajnë në "Final 4" dhe do garojnë për trofeun e këtij sezoni.
Tirana ka një transfertë delikate, pasi luan me Egnatian që ka siguruar vendin e parë. Për mediet foli trajneri i bardhebluve, Erbim Fagu. 36-vjeçari e vendosi theksin edhe te dueli Vllaznia - Skënderbeu, me korçarët që si Tirana, Teuta dhe Dinamo janë në garë për vendin e katërt, pasi tre vendet e para janë siguruar edhe matematikisht.
"Tani kemi pak më pak shpresa, pasi nuk është çdo gjë në dorën tonë, por ne do të bëjmë maksimumin për të marrë tri pikët në ndeshjen tonë. Jemi munduar të krijojmë volum loje, por presioni dhe trysnia ka qenë shumë i madh dhe kjo ka qenë arsyeja pse nuk kemi qenë konkretë para portës. Ne kemi lojtarë me eksperiencë, por kur një sezon s'ka shkuar si duhet, të gjithë futen në presion.
Vllaznia - Skënderbeu ? Ne presim që të jetë një ndeshje e luftuar dhe shpresojmë të luhet një ndeshje e drejtë, pasi nuk jemi vetëm ne në garë, por edhe Teuta me Dinamon. Në kampionat s'ka pasur aleanca, të gjithë kanë luajtur për objektivat e veta, gjithsecila prej skuadrave të japë maksimumin.
Problematikat - Nuk kemi mungesa, jemi të plotë, por do ta shohim edhe sot para stërvitjes. Kemi pasur ndeshje që mund t'i zgjidhnim më mirë, me Skënderbeun, Laçin dhe në derbi, duhet të ishim më të saktë dhe të pjekur në ato ndeshje, shpresojmë që nesër të marrim tri pikët.
Kundërshtari - Logjikisht Egnatia është e fokusuar në Kupë, por nuk mendoj se do të hyjnë në fushë për të na toleruar, e presim agresive, ka treguar gjatë kampionatit këtë. Situatat gjatë kampionatit janë të ndryshme, nesër është ndeshja e fundit.
E ardhmja e Fagut? Nuk kam folur, presim të mbarojë kjo ndeshje, më pas do të ulemi dhe do të bisedojmë për të ardhmen”, tha trajneri 36-vjeçar i Tiranës.
Me 47 pikë, Tirana mban vendin e pestë, një më pak se Skënderbeu. Duket se gara për vendin e katërt do jetë me "fotofinish", për të mësuar skuadrën e fundit që do jetë pjesë e "Final 4".