Shqipëria ka marrë për herë të dytë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila do të mbahet gjatë muajt shtator dhe për këtë moment të rëndësishëm ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka uruar vendin tonë.
Gjermania i ka uruar suksese Shqipërisë në fillimin e presidencës së dytë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ambasada gjermane në Tiranë përmes një postimi ën rrjetet sociale thekson se, Shqipëria merr këtë muaj një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë botërore.
“Falënderojmë Shqipërinë për angazhimin e përkushtuar dhe të përgjegjshëm ndaj vlerave të Kombeve të Bashkuara dhe kontributin e saj në ruajtjen e paqes, zgjidhjes së konflikteve dhe mbrojtjes së drejtave të njeriut në nivel global. Kjo është më e rëndësishme se kurrë në kohën e luftës së agresionit rus ndaj Ukrainës”, ka shkruar ambasada e Gjermanisë në Tiranë.
Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023. Shqipëria ka marrë edhe më parë Presidencën në KS-OKB në periudhën 1 qershor - 30 qershor 2022.