Shqipëria përfundoi presidencën njëvjecare të Nismës së Evropës Qendrore, (CEI).
Në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të CEI, të mbajtur në Tiranë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nëvizoi se Shqipëria në presidencat e saj gjatë vitit 2024: Nisma CEI, BSEC apo SEECP ka bërë përpjekjet më të mira për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal, rritjen ekonomike, dialogun parlamentar dhe lehtësimin e procesit të integrimit në BE.
“Presidenca të tilla jo vetëm reflektojnë lidershipin e Shqipërisë, por dhe besimin tonë të palëkundur në fuqinë e bashkëpunimit, për të trajtuar sfidat e përbashkëta dhe mundësitë e reja. Ne do të vazhdojmë të mbështesim sovranitetin dhe integritetin terriorial të Ukrainës dhe aspiratat evropiane të saj. Njëherësh, një nga prioritetet tona gjatë presidencës së CEI ka qenë integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha ministri Hasani.
Gjatë ministerialit, u diskutua dhe u shkëmbyen mendime mbi adresimin e sfidave aktuale të nismës.
Sekretari i Përgjithshëm i CEI, Roberto Antonione, vlerësoi presidencën shqiptare në këto kohë sfiduese.
Kryetari i dimensionit parlamentar të CEI, Etjen Xhafaj tha se Asambleja Parlamentare e Nismës së Evropës Qendrore, përmes dokumentave të miratuara ka treguar se qëllimet e përbashkëta, në avancimin e bashkëpunimit në funksion të procesit të anëtarësimit në BE, janë baza kryesore në shumë nivele e sektorë, për të sjellë më shumë siguri, zhvillim dhe mirëqenie për të gjitha vendet anëtare.
Në përfundimit të Ministerialit të CEI në Tiranë, vendet anëtare miratuan deklaratën e përbashkët. Pas Shqipërisë, presidenca e CEI për vitin 2025 i kaloi Serbisë.