Takimi Begaj-Erdogan në Presidencë
Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim homologun turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili po zhvillon një vizitë shtetërore në Shqipëri ditën e sotme (10 Tetor).
Presidenca ka zbardhur edhe tematikat e takimit, nga ai kokë më kokë, tek delegacionet përkatëse. Mes të tjerash biseda është fokusuar në “marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve”.
“Mik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, e konsideroi Begaj presidentin Erdogan.
“Jam shumë i përkushtuar që të fuqizojmë bashkëpunimin tonë vëllazëror, një bashkëpunim që mbetet prioriteti ynë, një bashkëpunim që u dëshmua me solidaritetin e popujve tanë përgjatë situatave të shkaktuara nga tërmetet”, njofton presidenca, duke theksuar se “ky bashkëpunim do të një njohë rritje të mëtejshme me këtë vizitë dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve përkatëse”.
Kreu i shtetit vuri në dukje edhe vullnetin e palës sonë për të vijuar e forcuar bashkëpunimin më tej.
Sipas tij:
“Mbajtja e Takimit të Dytë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, është mundësi e mirë për të diskutuar në mënyrë më të thellë dhe më konkrete bashkëpunimin dypalësh në fusha, si: siguria, mbrojtja, energjia e rinovueshme, ekonomia dhe tregtia, infrastruktura, turizmi, mjedisi dhe çështje të tjera thelbësore”.
U vlerësua bashkëpunimi në mbështetjen e integrimit drejt NATO-s të Shqipërisë dhe atë të misioneve ushtarake, apo edukimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
“Shqipëria mbetet e angazhuar për të shkëmbyer pikëpamje dhe opinione mbi çështjet e sigurisë, të cilat lidhen dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rajonin tonë dhe në Lindjen e Mesme”, tha Begaj.
Teksa e falënderoi edhe për ndihmën ndaj Kosovës, presidenti bisedoi me Erdogan edhe për forcimin e marrëdhënieve në fushat ekonomike.
“Turqia është ndër partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë. Investimet turke e bëjnë Turqinë partnerin e katërt më të madh tregtar të Shqipërisë. Mirëpresim kompanitë turke për të investuar në Shqipëri në sektorë të ndryshëm, si: infrastrukturë, turizëm, energji, teknologji, bujqësi, si dhe në industrinë e prodhimit dhe të përpunimit”, theksoi Begaj.
Lajmi kryesor:
Vizita e Erdogan në Shqipëri/ Me Ramën zotohen të thellojnë bashkëpunimin! Dega e Universitetit teknik të Stambollit hapet në Tiranë! Pas inaugurimit të xhamisë së Namazgjasë niset drejt Beogradit
A.Q/ReportTv.al