Presidenti Begaj në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Mjekësisë

Politikë

Presidenti Begaj me studentët e Mjekësisë: Mos u largoni nga Shqipëria, vendi ka nevojë për ju

30 Shtator, 13:16| Përditesimi: 30 Shtator, 13:18

  • Share

Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës.

Kreu i Shtetit i përgëzoi studentët për misionin fisnik që kanë zgjedhur, atë të shpëtimit të jetëve, duke i ftuar të qëndrojnë në Shqipëri për shkak të nevojës që vendi ynë ka për ta.

“Sot keni përpara një horizont të gjerë mundësish, me shtigje të hapura si brenda vendit, edhe jashtë tij. Por unë ju ftoj me gjithë zemër: zgjidhni Shqipërinë. Vendi ynë ka nevojë për ju. Pranojeni këtë si mision dhe sfidë, si dhe ndërtoni këtu jetën tuaj profesionale, pranë njerëzve tuaj. Ndihmoni të forcojmë së bashku një sistem shëndetësor edhe më të mirë, edhe më modern, duke garantuar një të ardhme më të shëndetshme për qytetarët tanë”, deklaroi Presidenti i Republikës duke ju drejtuar të sapodiplomuarve në mjekësi, të cilët i vlerësoi si e ardhmja e kujdesit shëndetësor në vend.

Të njëjtën thirrje Presidenti Begaj drejtoi edhe ndaj mjekëve profesionistë, të cilëve u shprehu falenderim të veçantë që e kryejnë misionin e tyre me pasion e përkushtim ndërsa përballen me sfidën e ripërtëritjes së një stafi cilësor mjekësor.

“Të gjithë profesionistëve të mjekësisë dua t’ju them se ju jeni shtylla kryesore e sistemit shëndetësor, që me përkushtim dhe sakrifica mbani gjallë besimin e qytetarëve te mjekësia. Ne mund të ndërtojmë spitale të reja dhe të blejmë aparatura moderne, por pa mjekë të mirë, pa dijen dhe përkushtimin tuaj, sistemi shëndetësor nuk ka jetë. Prandaj, investimi më i madh që mund të bëjmë është te ju, te formimi, te kërkimi shkencor dhe te mbështetja e vazhdueshme e profesionit tuaj fisnik. Ne ju kemi detyrim standardet evropiane të sistemit shëndetësor. Ne kemi detyrim t’ju krijojmë kushtet të qëndroni në Shqipëri, të trajtoheni me dinjitet, duke ju dhënë mundësinë edhe të eksperiencave jashtë vendit, gjithashtu”, deklaroi kreu i shtetit gjatë fjalës së tij.

Kreu i Shtetit këshilloi gjithashtu mjekët e rinj që të përballen me dinjitet përballë vështirësive dhe sfidave, duke u shprehur se “asgjë nuk është më shpërblyese se të dish që ke ndihmuar dikë të jetojë e të shërohet.

“Ky është çmimi i fisnikërisë së profesionit”, vlerësoi Presidenti Begaj, i cili i inkurajoi të sapodiplomuarit që të mos reshtin së mësuari për të qenë të denjë në këtë profesion, sidomos sot në epokën e digjitalizimit dhe të inteligjencës artificiale: “Mjeku duhet të mbetet gjithmonë student. Vetëm etja për dije do t’ju mbajë të denjë për misionin tuaj”.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shqiptari: 30/09/2025 15:05

    Po pse, kërko mjekë nga Bangladeshi se shqiptarët janë dembelë.

    Përgjigju
  • beni: 30/09/2025 13:19

    RRIT RROGAT QE TE MOS IKIN...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?