Tiranë- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në festën tradicionale të Malësisë së Madhe, “Logu i Bjeshkës”, që daton nga shekulli i kaluar dhe është një manifestim i traditës.
“Mishërim i shpirtit të malësorit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar”, e cilësoi kreu i shtetit këtë festë ku ishte i pranishëm.
Eventi festiv u mbajt në Qafën e Predelecit në Kelmend. Presidenti shprehu falënderimin për mikëpritjen dhe vlerësimi që i bëhet trashëgimisë kulturore nga banporët e kësaj zone.
“Logu i Bjeshkëve është një nga ngjarjet më kuptimplota të jetës kulturore dhe shoqërore në trevat tona veriore. Ky manifestim tradicional prej dekadash bashkon komunitetin rreth vlerave të mikpritjes, bukurisë natyrore, kulturës popullore dhe krenarisë së gruas malësore”, tha Begaj mes të tjerash.
Gjithashtu ai theksoi faktin se në këto treva ka lindur Xhubleta, e cila mishëron mjeshtërinë artistike të brezave dhe misterin e kohëve të lashta.
“Xhubleta qëndron para nesh si një gjuhë pa fjalë, që flet për identitetin tonë, për forcën, për dashurinë ndaj traditës dhe të bukurës”, u shpreh ai.
Dhe promovimin e saj botërisht e quajti një pasuri kombëtare.
Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në ‘Logun e Bjeshkës’:
“Jam i nderuar që ndodhem sot këtu, në alpet shqiptare, në Qafën e Predelecit në Kelmend, në këtë festë që kaq bukur mishëron shpirtin e malësorit dhe krenarinë tonë kulturore si shqiptarë.
Ju falënderoj nga zemra për ftesën dhe mikpritjen, si dhe për mundësinë që më dhatë të ndaj me ju këto çaste gëzimi e përkushtimi ndaj trashëgimisë sonë.
Logu i Bjeshkëve është një nga ngjarjet më kuptimplota të jetës kulturore dhe shoqërore në trevat tona veriore.
Ky manifestim tradicional prej dekadash bashkon komunitetin rreth vlerave të mikpritjes, bukurisë natyrore, kulturës popullore dhe krenarisë së gruas malësore.
Logu i Bjeshkëve është një ritakim me historinë, me artin, me veshjet, vallet, këngën dhe natyrën. Ai na kujton fuqinë e rrënjëve, respektin për zakonet dhe përkushtimin për t’i ruajtur e përcjellë ato brez pas brezi.
Këtu, në alpet shqiptare, ku natyra ruan madhështinë e saj dhe ku zakonet flasin ende me zërin e brezave, Logu i Bjeshkëve nuk është vetëm ngjarje festive, por është një dëshmi e gjallë e pasurisë shpirtërore dhe etnografike të trevave veriore të Shqipërisë, një homazh për traditat e zonës, për bukuritë natyrore, për patriotizmin dhe identitetin tonë kombëtar. Ai përfaqëson jo vetëm festën e bukurisë, shpirtit dhe traditës malësore, por edhe një vlerë të çmuar për unitetin, kulturën dhe dinjitetin shqiptar.
Logu i Bjeshkëve është qilimi i kulturës shqiptare i shtruar mes gjelbërimit të këtyre grykave magjepsëse, i qëndisur me gojëdhënat e këtyre trojeve, i shoqëruar me tingujt e kthjellët të kësaj krahine dhe i ndërkombëtarizuar veçanërisht përmes Xhubletës, tashmë pasuri e kulturës botërore njerëzore.
Në këto treva ka lindur Xhubleta, e cila mishëron mjeshtërinë artistike të brezave dhe misterin e kohëve të lashta.
Xhubleta qëndron para nesh si një gjuhë pa fjalë, që flet për identitetin tonë, për forcën, për dashurinë ndaj traditës dhe të bukurës.
Logu i Bjeshkëve promovon botërisht këtë pasuri të shenjtë shqiptare dhe na kujton rëndësinë e mbrojtjes së saj.
Më shumë se një manifestim popullor, Logu është një agora shqiptare, një hapësirë ku komuniteti mblidhet për të festuar dhe për të forcuar lidhjet mes traditës dhe të sotmes.
Vajza e Bjeshkës, e veshur me kostum popullor, nuk përfaqëson thjesht bukurinë e jashtme, por dinjitetin, mençurinë dhe qëndresën e gruas shqiptare dhe banorëve të këtyre trevave.
Ky manifestim unik përçon për brezat e sotëm e të ardhshëm mesazhe të rëndësishme për ruajtjen e vlerave tradicionale, trashëgiminë tonë kulturore dhe bashkimin e komuniteteve rreth zakoneve të lashta dhe mikpritjes së Malësisë. Përmes veshjeve popullore, këngëve epike, valleve dhe simbolikës së “Vajzës së Bjeshkës”, Logu vazhdon të jetë një udhërrëfyes i gjallë i identitetit të palëkundur shqiptar në thellësi të alpeve.
Me rastin e Logut të Bjeshkëve, uroj që kjo festë e trashëgimisë sonë të çmuar kulturore të vazhdojë të mbledhë zemrat e malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve rreth vlerave të identitetit, krenarisë dhe bukurisë, sepse këtu në Malësi identiteti dhe traditat nuk janë muzeale. Ato janë pjesë e të përditshmes, ato jetohen, ruhen në sofra, në biseda, në ndërlidhjet me natyrën, në vargjet e kësaj zone, si ato të Gjergj Fishtës që na flasin përjetësisht.
Udhëtimi ynë drejt integrimit evropian na mëson t’i kthejmë këto thesare në asete të mbrojtura.
Le të punojmë e të sigurohemi që ne do t’ua lëmë, siç i trashëguam, këto thesare, këto peizazhe, bashkë me legjendat e tyre, brezave të ardhshëm, duke i promovuar e forcuar.
U uroj organizatorëve suksese të mëtejshme në ruajtjen dhe promovimin e këtij thesari kulturor të papërsëritshëm, si dhe të gjithë pjesëmarrësve, vendas e të ardhur nga Diaspora, një përvojë të paharrueshme në gjirin e natyrës dhe traditës shqiptare. Le të jetojë përherë fryma e mikpritjes, forcës dhe hijeshisë që Logu përcjell ndër breza.
Gëzuar Logun e Bjeshkëve!"
Gëzuar festën e shpirtit shqiptar!”.
Komente
