Elisa Spiropali dhe Bajram Begaj

Politikë

80-vjetori i OKB, Begaj dhe Spiropali nisen drejt Nju Jorkut për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme

21 Shtator, 13:37| Përditesimi: 21 Shtator, 14:01

  • Share

Presidenti Bajram Begaj dhe ministrja e Jashtme Elisa Spiroali do të marrin pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që do të zhvillohet në Nju Jork në datat 22 - 27 shtator 2025.

Gjatë kësaj jave, Kreu i Shtetit do të mbajë fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme, ku do të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë mbi çështjet kryesore, përfshirë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, multilateralizmin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut. Axhenda e Presidentit Begaj përfshin, gjithashtu, pjesëmarrjen në disa aktivitete të rëndësishme shumëpalëshe.

Kreu i Shtetit do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologë të tij dhe përfaqësues të lartë të OKB-së. Pjesë e axhendës së Presidentit Begaj do të jenë edhe takimet me përfaqësues të Diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vizita në shkollat ku fëmijët e Diasporës mësojnë gjuhën amtare.

Ndërkohë, ministrja Spiropali do të jetë e pranishme në hapjen e debatit të përgjithshëm në Asamblenë e OKB me mesazhin "Më mirë së bashku: 80 vite dhe më shumë për paqe, zhvillim dhe të drejtat e njeriut". Me ftesë të Presidentes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Znj. Annalena Baerbock, Spiropali do të marrë pjesë në takimin vjetor të Platformës për Gratë Lidere të Asamblesë së OKB.

Spiropali do të përfaqësojë Shqipërinë në disa takime të rëndësishme shumëpalëshe e bilaterale, ku në qendër të diskutimeve janë çështjet e sigurisë ndërkombëtare, zhvillimit të qëndrueshëm dhe të drejtave të njeriut. Duke u mbështetur në rolin e saj aktiv në organizmat e OKB-së, Shqipëria do vijojë të avokojë për diplomaci shumëpalëshe gjithëpërfshirëse, si e vetmja rrugë drejt zgjidhjeve të qëndrueshme për sfidat globale.

SI.E./Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?