Alain Berset e Bajram Begaj në presidencë

Politikë

Presidenti Begaj pret delegacionin e Këshillit Europian: Kosova në KiE, s'do lejonte përsëritjen e dhunës ndëretnike

21 Shkurt, 13:40| Përditesimi: 21 Shkurt, 12:51

  • Share

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot një delegacion të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i tij, Alain Berset.

Presidenti Begaj nënvizoi rolin dhe kontributin që Shqipëria ka dhënë në 30 vjetët e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës. Njëkohësisht, ai shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin që Shqipëria ka patur dhe ka me KiE në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Shqipëria, - tha Presidenti i Republikës, mbetet plotësisht e angazhuar për të vazhduar të bashkëpunojë dhe kontribuojë në kuadër të Këshillit të Evropës dhe institucioneve të tjera të lidhura me të.

Kreu i Shtetit nënvizoi se Kosova është një realitet i pakthyeshëm dhe, si e tillë, ajo duhet të jetë plotësisht e integruar në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës.

“Gjeografia është shumëçka. Kosova është gjeografikisht në Evropë. Populli i Kosovës meriton të jetë i integruar në organizatat evropiane. Ne duhet të ndërtojmë ura dhe jo mure, duhet t’i ndërtojmë ato sot në paqe. Kështu nuk do të lejojmë përsëritjen e historive jo shumë të largëta të konfliktit dhe dhunës ndëretnike që kanë ndodhur në Ballkanin Perëndimor”, - theksoi Presidenti i Republikës.

“Vetëm kështu siguria demokratike do të funksionojë më mirë dhe Evropa do të jetë më e sigurt”, - nënvizoi Presidenti i Republikës.

Një nga temat e bisedës midis Presidentit Begaj dhe Alian Berset ishte dhe takimi i  Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Tiranë më 16 maj 2025.

Ora 13:50
Hasani pret Berset: Kosova meriton anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Foto: Igli Hasani dhe Alain Berset

 Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, Igli Hasani priti sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.

Hasani theksoi se kjo është një vizitë veçanërisht simbolike pasi viti 2025 përkon edhe me 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.

Gjatë takimit u vlerësua progresi i Shqipërisë në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe roli aktiv në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja e saj për Ukrainën.

Gjithashtu Hasani i nënvizoi Bersetit se anëtarësimi mëse i merituar i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Shqipëria qëndron e palëkundur në mbështetjen ndaj saj, duke e parë si një pikë kyçe për stabilitetin rajonal dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, theksoi Hasani në një postim në rrjetet sociale.

Ora 13:28
Kryetarja e Kuvendit, Spiropali pret Sekretarin e KiE-së, Alain Berset: Mbështetje për Shqipërinë në sundimin e ligjit!

TIRANË - Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Alain Berset, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Në takim ishin të pranishëm anëtarët e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, deputetet Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Albana Vokshi, si edhe Ambasadori i Shqipërisë në KiE, Dastid Koreshi.

Kryetarja Spiropali dhe Sekretari i Përgjithshëm Berset, diskutuan mbi bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë me këtë organizatë të madhe europiane gjatë 30 vjetëve të anëtarësimit dhe kontributit të vendit tonë në Këshillin e Europës si edhe   kontributin aktiv të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare.

Diskutuan gjithashtu për mbështetjen e KiE dhe arritjet e  Shqipërisë në sundimin e ligjit, respektimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut, fuqizimin e institucioneve dhe vlerave demokratike; avancimin e reformave drejt anëtarësimit në BE; bashkëpunimin në organizatat shumëpalëshe ndërkombëtare dhe mbështetjen e vendosur për Ukrainën.

Kryetarja Spiropali i transmetoi Sekretarit të Përgjithshën Berset kërkesën e Shqipërisë që Kosova, kjo demokraci e re dhe vibrante, meriton të pranohet sa më parë në KiE, si një faktor për bashkëpunimin, sigurinë dhe paqen në rajon.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?