Begaj dhe Senatorët amerikanë

Presidenti Begaj pret senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters: 2 vendet tona, aleate të ngushta në sfidat globale

23 Maj 2023, 13:19| Përditesimi: 23 Maj 2023, 13:21

  • Share

Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët po vizitojnë Shqipërinë në kuadër të një turi vizitash në të gjithë rajonin, janë pritur sot në Tiranë nga Presidenti i Republikës,  Bajram Begaj. Ata shoqëroheshin në këtë takim nga Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, zonja Yuri Kim.

Në komunikimin me dy ligjvënësit amerikanë, Begaj përshëndeti vizitën e dy senatorëve amerikanë dhe vlerësoi vëmendjen dhe interesin në rritje të Kongresit amerikan për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vizitat e shumta kohët e fundit, jo vetëm nga zyrtarë të administratës amerikane të ngarkuar me Ballkanin Perëndimor, por edhe të përfaqësuesve të dy dhomave të Kongresit, janë shprehja më e mirë e kësaj vëmendje në rritje. 

Kreu i Shtetit, përshëndeti bashkëpunimin shumë të mirë që dy vendet kanë pasur, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kanë ndërmarrë iniciativa të përbashkëta për të dënuar agresionin e paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukraninë, përmes rezolutave të ndryshme.

 Në këtë kuadër, Presidenti Begaj, u ndal edhe tek sfidat e reja me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe rritjen e aktivitetit kërcënues nga aktorë të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike në rajon. Gjithashtu ai ka shprehur mirënjohjen edhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që agjencitë e specializuara amerikane po japin për përballimin e sulmeve kibernetike, që kanë si synim kryesor dëmtimin e infrastrukturës dixhitale të shtetit shqiptar.

 Ndërsa, duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj, nënvizoi nevojën e përkthimit të dakordësimit publik të Ohrit mes palëve në një marrëveshje të detyrueshme ligjore e të njohur ndërkombëtarisht. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke do të kishte një ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e rajonit të Ballkanie Perëndimor, nënvizoi Presidenti Begaj.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?