Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë të Bashkimit Evropian, Nënpresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.
Në fokus të këtij takimi ishte procesi i zgjerimit evropian në rajonin e Ballkanit, ecuria e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në BE, politika e jashtme e Shqipërisë dhe roli i saj në rajon.
Presidenti i shprehu Përfaqësueses së Lartë Evropiane mirënjohje për angazhimin e palëkundur dhe vëmendjen e veçantë që i ka kushtuar integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u vlerësua si mjeti më efektiv gjeopolitik, thelbësor për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetin në rajon.
Presidenti Begaj rikonfirmoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol proaktiv në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke vepruar si një faktor stabilizues. Kreu i Shtetit i shprehu përfaqësueses Kallas falënderim për Planin e Rritjes dhe mbështetjen financiare që Bashkimi Evropian ka dhënë ndaj Shqipërisë dhe rajonit.
Begaj konfirmoi se Shqipëria është e përkushtuar në ruajtjen e vlerave thelbësore të BE-së: respektimin e të drejtave themelore.
Presidenti Begaj, gjatë bisedës me zonjën Kallas, shprehu synimin e vendit për hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda këtij viti dhe mbylljen e pjesës teknike të negociatave, duke përfunduar kapitujt deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në 2030-ën.
“Angazhimi i Shqipërisë ndaj objektivit strategjik për integrimin në BE mbetet një prioritet kyç”, - nënvizoi Kreu i Shtetit.
Për sa i përket ecurisë në reformat që mundësojnë anëtarësimin e vendit në BE, Presidenti Begaj garantoi zonjën Kallas se Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj programit të transformimit dhe reformave që synojnë përmirësimin e sistemit politik, forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe krijimin e kushteve të favorshme për mirëqenien e qytetarëve.
Gjithashtu, Presidenti Begaj theksoi faktin se populli shqiptar e ka mbështetur vazhdimisht integrimin në BE gjatë tre dekadave të fundit dhe entuziazmi për anëtarësim mbetet më i larti në rajon.
Krahas reformave të brendshme, Shqipëria ka qenë dhe mbetet në një linjë me qëndrimet e BE-së.
Në vazhdimësi të rolit në lehtësimin e dialogut brenda sferës evropiane të sigurisë, Presidenti bëri të ditur se Shqipëria do të mbetet plotësisht e lidhur me BE-në, duke marrë pjesë aktive në misionet e CSDP-së, (Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes), dhe duke bashkëpunuar në forumet ndërkombëtare.
Komente
