Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përcolli sot urime për festën e Fitër Bajramit nga qyteti i Elbasanit.
Presidenti Begaj vizitoi xhaminë e “Ballies" në qendër të qytetit, e ndërtuar në vendin ku ndodhej xhamia shekullore, e cila u shemb nga regjimi i kohës në 1967-ën.
Ai u shpreh se në këtë ditë feste besimtarët myslimanë kanë arsye të gëzojnë, pasi përmbushën me kënaqësi agjërimin, me qëllimin e vetëm që të bëhen njerëz më të devotshëm e të denjë për veten dhe shoqërinë.
Një urim të veçantë Presidenti i Republikës u përcolli qytetarëve të Elbasanit për harmoninë mes njëri-tjetrit në respekt të besimeve të ndryshme.
'Jam këtu për të uruar të gjithë besimtarët myslimanë: gëzuar festën e Fiter Bajramit!
Pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit, ndaj të cilit besimtarët u përkushtuan, besoj se me lutjet tyre të pranuara, ata janë më afër Zotit. Besoj se do të jenë qytetarë të denjë jo vetëm për veten e tyre, por edhe për shoqërinë. Jam këtu në këtë xhami të mrekullueshme të qytetit të Elbasanit, të rindërtuar në të njëjtin vend ku në vitin 1608 Hasan Balliu e ndërtoi për herë të parë. Në vitin 1967 u shkatërrua, dhe falë Zotit, u rindërtua përsëri në të njëjtin vend.Jam në Elbasan, ku është një traditë e shkëlqyer, ku përveç objekteve të shumta të kulteve të ndërtuara, besimtarët jetojnë në harmoni, si në të gjithë Shqipërinë. Është një vlerë e madhe njerëzore, vlerë të cilën duhet ta ruajmë, ta promovojmë dhe ta trashëgojmë. Unë uroj çdo të mirë dhe begati për çdo shqiptar, për çdo besimtar.
Gëzuar, dhe një herë, Fitër Bajramin!', tha Begaj.
Lajmi kryesor:
Sot Fitër Bajrami, mijëra besimtarë myslimanë falin namazin në sheshin ‘Skënderbej’! Kreu i KMSH: Të rinjtë mos të braktisin vendin! Ndalni dhunën ndaj grave
G.K//ReportTv.al