Bajram Begaj me homologun hungarez Tamás Sulyok

Politikë

Presidenti Begaj vizitë në Hungari, takohet me homologun Sulyok: Mora mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

16 Shtator, 13:55| Përditesimi: 16 Shtator, 13:57

  • Share

Presidenti Bajram Begaj, nisi sot një vizitë zyrtare në Hungari, ku u prit nga homologu i tij Tamas Sulyok.

Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe bazuar në një miqësi historike, finalizimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, situata e sigurisë në rajon dhe në Evropë ishin në fokus të kësaj vizite.

Presidentët Begaj dhe Sulyok zhvilluan fillimisht takimin ‘kokë më kokë’ dhe më pas bashkë me delegacionet përkatëse.

Kreu i shtetit mori mbështetjen e plotë dhe të hapur të Hungarisë për finalizimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, rrugëtim të cilin e ka hapur Hungaria.

Presidenti Begaj i përcolli homologut të tij mirënjohje, duke u shprehur se Shqipëria nuk do ta harrojë këtë përkrahje të Hungarisë, e cila ka qenë e vendosur për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE.

“Shpreha mirënjohje në takimin tonë ndaj Presidentit dhe Hungarisë mike për mbështetjen e fortë, të palëkundur dhe të pakushtëzuar që Hungaria jep për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ndihma teknike dhe ekspertiza e ofruar nga Hungaria për institucionet shqiptare ka kontribuar në forcimin e administratës publike dhe në zbatimin e reformave të rëndësishme”.

Në këtë aspekt, Presidentët Begaj dhe Sulyok theksuan rëndësinë e anëtarësimit në BE bazuar në meritë, dhe Shqipëria, sipas Presidentit hungarez, e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Gjatë bisedës u konstatua gjithashtu intensifikimi i ndjeshëm i dialogut politik, që është një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve Shqipëri-Hungari, ndërsa u shpreh bindja e përbashkët se kjo frymë do të vijojë duke dhënë rezultate të prekshme në të gjitha fushat e bashkëpunimit.

Begaj vlerësoi edhe ecurinë pozitive të marrëdhënieve Shqipëri-Hungari dhe bashkëpunimin gjithnjë në rritje mes dy vendeve në këtë vit të 103-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Shpreh bindjen se me këtë frymë miqësie të kësaj vizite të sotme dhe bashkëpunimi ynë, në të ardhmen më i thelluar, do të shtojë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Hungarisë, në të mirë të qytetarëve tanë, në dobi të stabilitetit e prosperitetit të rajonit dhe Evropës”.

Begaj theksoi gjithashtu se Shqipëria ofron mundësi të favorshme për investitorë të rinj hungarezë.

Kreu i Shtetit shprehu vullnetin për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe në sektorë të tjerë me rëndësi për qytetarët e dy vendeve.

Për sa i përket çështjeve të sigurisë, u shpreh angazhimi i përbashkët Shqipëri-Hungari si dy vende në NATO, për mbrojtjen kolektive dhe sigurinë Euroatlantike.

Sa i përket rajonit, Presidenti Begaj rikonfirmoi qëndrimin e tij mbi rëndësinë që ka KFOR për sigurinë, duke nënvizuar se Kosova dhe shqiptarët që jetojnë aty janë një prioritet i Shqipërisë.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?