Presidenti Begaj zhvillon pritjen e parë zyrtare në presidencë me Bettel! Heq ‘pikturën e Metës’, vendos Ismail Qemalin

26 Gusht 2022, 16:30| Përditesimi: 27 Gusht 2022, 07:21

  • Share

Të parin zyrtar të huaj që mbërriti në zyrën e tij, Bajram Begaj e priti nga salla ceremoniale e Presidencës, tashmë të ndryshuar edhe në pamje.

Në sallën kryesore të ceremonive, piktura e Besëlidhjes së Lezhës e vendosur nga ish presidenti Ilir Meta, është zëvendësuar me pikturën e Ismail Qemalit, ditën e pavarësisë.

Kyeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel, Presidenti Bajram Begaj e falenderoi për mbështetjen në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në kushtet që sipas kreut të shtetit, zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor ka marrë një rëndësi edhe më të madhe gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit të armatosur rus në Ukrainë.

Në takimin me Bettel, Begaj u ndal tek situata në Kosovë, duke e vënë theksin te dialogu me Serbinë, si e vetmja rrugë drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.

Gjatë vizitës në Shqipëri, numri një i qeverisë së Luksemburgut, u prit edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Në shenjë vlerësimi për mbështetjen, Veliaj i dhuroi Celësin e qytetit.

Ora 15:21
Presidenti Begaj takon kryeministrin e Luksemburgut: Domethënëse mbështetja juaj për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE

 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim Kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.

Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve në këtë vit që shënon 100-vjetorin e njohjes së Shqipërisë nga Luksemburgu dhe 50-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Begaj shprehu mirënjohje për ndihmën e çmuar që Luksemburgu dha për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrimtar i nëntorit 2019 në Shqipëri.

Lidhur me procesin e integrimit evropian si dhe vëmendjen që shoqëria dhe institucionet shqiptare i kushtojnë atij, Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e pakursyer që Luksemburgu i ka dhënë Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor gjatë gjithë këtij procesi.

Presidenti tha se mbështetja domethënëse e Luksemburgut për procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ka marrë një rëndësi edhe më të madhe gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit të armatosur rus në Ukrainë.

Begaj e falënderoi Kryeministrin Bettel edhe për hapësirat dhe kushtet që Luksemburgu i ka krijuar komunitetit shqiptar që jeton e punon atje.

Kreu i Shtetit dhe Kryeministri Bettel vunë theksin te rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi si  vetmja rrugë drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.

Ata ndanë mendime mbi zhvillimet politike ndërkombëtare, me fokus pasojat dhe ndikimin e luftës në Ukrainë për rendin botëror dhe sigurinë e paqen në tërësi.

Ora 14:58
Veliaj pret kryeministrin e Luksemburgut dhe i dhuron ‘Çelësin e Qytetit’: Mirënjohës për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën drejt BE

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, të cilit në shenjë mirënjohjeje i dhuroi “Çelësin e Qytetit të Tiranës”. Veliaj falenderoi kryeministrin Bettel për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë dhe Tiranës në ditë të vështira, sidomos tani që vendi po ecën përpara për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Luksemburgu ka qenë një avokat i Shqipërisë, i kauzës dhe i ambicies sonë për të ecur përpara. Ne e çmojmë shumë kontributin dhe avokatinë tuaj, e çmojmë shumë të gjithë ndihmën që i keni dhënë Shqipërisë. Ky është një qytet mirënjohës, një qytet që ka shumë sfida, por gjithashtu një qytet shumë mirënjohës. Dua t’ju dhuroj “Çelësin e Qytetit” për të treguar që kjo është një derë e hapur, një shoqëri e hapur dhe një marrëdhënie e hapur që ne kemi mes nesh. Shpresoj që ky të jetë udhëtimi i parë, por jo i fundit dhe shpresoj shumë që kjo marrëdhënie speciale mes Luksemburgut, Tiranës dhe Shqipërisë, dy vende të vogla, por që siç kanë treguar mund të grushtojnë në pesha të mëdha, të vazhdojë e të rritet”, tha Veliaj.

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel vlerësoi punën e kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Dua t’ju falënderoj, sepse, siç ju thashë edhe më parë, të jesh kryebashkiak në detyrë, së bashku me gjithë kolegët tuaj është pozicioni i duhur ku mund të kuptosh njerëzit dhe problemet e tyre, por gjithashtu të përjetosh edhe kënaqësinë, pasi efiçenca politike është më e madhe. Dhe unë munda ta ndjej vërtetë, jo vetëm kur hyra në këtë zyrë, por munda të ndjej një qytet, ku, paçka se jam këtu prej pak orësh, unë ndjeva energji pozitive dhe në bisedat që patëm. Kjo është eksperienca ime e parë në Shqipëri, por jam i sigurt që nuk është e fundit, siç ju thashë edhe më parë, unë shpresoj që ne do të shihemi sërish”, tha ai.

Bettel ftoi kryetarin Veliaj për një vizitë në Luksemburg për të parë mundësinë edhe për bashkëpunime me kryebashkiakët atje.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dhdj: 26/08/2022 18:39

    Ky eshte ai tipi qe te shkarkon pas 20 vitesh?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Fiton Trump, mendoni se do ndryshojë politika amerikane ndaj Shqipërisë?