Presidenti Biden synon të zbusë tensionet në Lindjen e Mesme

6 Gusht, 16:19| Përditesimi: 6 Gusht, 19:08

  • Share

Presidenti Joe Biden u takua me ekipin e tij të sigurisë kombëtare të hënën dhe foli me mbretin e Jordanisë për të zbutur tensionet në rritje në Lindjen e Mesme. Përpjekjet për të zbutur tensionet janë shtuar pas vrasjes së një komandanti të lartë të Hezbollahut nga një sulm ajror izraelit dhe vrasjes së udhëheqësit të Hamasit në Teheran, me gjasë nga Izraeli. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell, Kryeministri Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se Izraeli do të bëjë që Teherani të paguaj “çmim të rëndë”, nëse Irani, ose grupet që mbështetën prej tij në rajon e sulmojnë Izraelin.

Tensionet janë në rritje në Lindje të Mesme ndërsa Izraeli përballet me kërcënime nga Irani. Ndërkaq, forcat izraelite po vazhdojnë operacionin ushtarak kundër Hamasit në Gazë.

Në Uashington, Presidenti Biden po bën përpjekje të qetësojë situatën pas atentateve ndaj dy figurave të rëndësishme anti-izraelite në rajon.

Shtëpia e Bardhë, gjatë fundjavës tha se mbetet e përkushtuar ndaj përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim që do të lironte pengjet. Këto përpjekje ende nuk kanë treguar ndonjë rezultat, por Shtëpia e Bardhë thekson tek gatishmërinë për t’u përgjigjur ndërsa ka shtuar praninë ushtarake në rajon.

“Ne besojmë që një marrëveshje për armëpushim është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës. Një tjetër gjë që e kemi bërë prej sulmit të 7 tetorit është se jemi siguruar që Izraeli jo vetëm të ketë ato që i duhen për të mbrojtur vetën, por edhe të mos lejojmë përshkallëzimin e konfliktit”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Analistët thonë se jemi në një periudhë të tensionuar.

“Një nga arsyet pse kjo situatë është e frikshme është pasi nuk e kemi të qartë se çfarë mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara kur jemi kaq afër një shpërthimi si tani”, thotë Natasha Hall nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Analisti Mathew Levitt nga Instituti i Uashingtonit për Politika të Lindjes së Afërt thotë se pavarësisht tensioneve në rajon, ai beson që palët nuk janë të interesuara të përfshihen në një luftë në shkallë të gjerë. Megjithatë, ai thotë se askush nuk e di saktë se cila do të jetë përgjigja e Iranit ndaj vrasjes së udhëheqësit të Hamasit në Teheran, me gjasë nga Izraeli.

“Kushdo që thotë se e di saktësisht se si do të duket përgjigja iraniane, ju gënjen. Një gjë që do të ndodhë është se Irani do të përgjigjet. Nuk ka dyshim për këtë”, thotë zoti Levitt.

Mbështetësit e komunitetit amerikano-mysliman, që janë kritik ndaj mbështetjes së Presidentit Biden për Izraelin, thonë se Uashingtoni duhet të mbajë qëndrim të fortë ndaj luftës së Izraelit në Gazë.

“Shtetet e Bashkuara kanë mundësi të ndryshme diplomatike dhe politike që të mbajnë Izraelin përgjegjës. Kjo mund të bëhet duket mos dërguar ndihma, armë, municion, mbështetje politike apo të sanksionojë më tej kolonët e të djathtës së skajshme të Izraelit që janë përfshirë në veprime të dhunshme”, thotë Robert McCaw nga Këshilli i Marrëdhënieve Amerikano-Islamike.

Kryeministri Benjamin Netanyahu thotë se Izraeli është ‘i vendosur’ të përballet me Iranin dhe grupet e tij ‘në çdo front’.

“Cilido që vret qytetarët tanë apo i bën dëm vendit tonë do të paguajë një çmim të rëndë”, thotë zoti Netanyahu.

Ministri i jashtëm jordanez së fundmi realizoi një vizitë të rrallë në Teheran. Presidenti Biden të hënën zhvilloi një bisedë telefonike me Mbretin Abdullah të Jordanisë rreth zbutjes së tensioneve në rajon. Analistja Natasha Hall thotë se mundësitë më të mira për të zbutur tensionet është që diplomacia amerikane të punojë me Iranin përmes ndërmjetësve rajonal si Katari apo Jordania.

“Bisedoni me Iranin, bëni përpjekje që të trajtoni shqetësimet e tyre. Të mbahet edhe një kanal i hapur komunikimi gjatë kësaj periudhe të frikshme. Unë mendoj se kjo është më se e nevojshme tani pasi zyrtarët amerikanë nuk flasin drejtpërdrejtë me zyrtarët e lartë iranian”, thotë zonja Hall.

Analisti Mathew Levitt nga Instituti i Uashingtonit për Politika të Lindjes së Afërt thotë se kundërshtarët e kanë gabim nëse mendojnë se ndërsa Shtetet e Bashkuara janë në një cikël zgjedhor, ato nuk janë plotësisht të përqëndruara tek konflikti në Lindjen e Mesme.

"Ky është qëndrim i gabuar. Zhvillimet e ditëve të fundit, duke përfshirë lëvizjet e pranisë ushtarake amerikane në rajon dhe deklaratat e përbashkëta me evropianët trtegojnë se kjo situatë nuk është diçka e cila do të na zërë në befasi”, thotë Mathew Levitt nga Instituti i Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.

Ndërsa të dhënat e pakonfirmuara nga Rripi i Gazës thonë se numri i viktimave ka arritur në 40 mijë të vdekur dhe Libani dhe Irani janë në gjendje gatishmërie, bota po pret të shohë se çfarë mund të ndodhë.

Duke dal nga kisha të dielën, Presidenti Biden u pyet nëse mendon që Irani nuk do të kryejë sulm ndaj Izraelit.

“Shpresoj. Nuk e di”, tha Presidenti Biden. VOA

Xh.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?