Presidenti Erdogan në Irak, separatistët kurdë temë qëndrore diskutimi

22 Prill, 21:55| Përditesimi: 22 Prill, 21:59

  • Share

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mbërriti në Irak të hënën për vizitën e tij të parë zyrtare në më shumë se një dekadë. Turqia kërkon bashkëpunim më të madh me Bagdadin në lidhje me luftën kundër një grupi militant kurd që ka një bazë në pjesën veriore të Irakut.

Midis dy vendeve ka edhe çështje të tjera të mëdha duke përfshirë çështjet e furnizimit me ujë dhe eksportet e naftës dhe gazit nga pjesa veriore e Irakut në Turqi, të cilat janë ndalur për më shumë se një vit.

Vizita e fundit e Presidentit Erdogan në Irak ishte në vitin 2011, kur ai ishte kryeministër i Turqisë.

Zëdhënësi i qeverisë irakiane Bassem al-Awadi, përmes një deklarate, ndër të tjera tha se vizita e zotit Erdogan do të jetë një "pikënisje e rëndësishme në marrëdhëniet irako-turke" dhe do të përfshijë nënshkrimin e një marrëveshjeje për një "qasje të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë" dhe një "marrëveshje strategjike mbi çështjen e furnizimit me ujë”.

Presidenti Erdogan ka thënë se vendi i tij planifikon të nisë një operacion të madh ushtarak kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Fjala është për një lëvizje separatiste kurde aktiviteti i të cilës është i ndaluar në Turqi. Presidenti Erdogan gjithashtu ka paralajmëruar operacione në Irak, gjatë verës, me synimin për të çrrënjosur "përgjithmonë" kërcënimin që paraqet lëvizja PKK.

Turqia ka kryer ofensiva të shumta tokësore kundër grupit në pjesën veriore të Irakut në të kaluarën, ndërsa avionët turq shpesh sulmojnë objektiva të dyshuara të PKK-së në rajon.

Ankaraja tani synon të krijojë një korridor sigurie nga 30 deri në 40 kilometra përgjatë kufirit të përbashkët me Irakun, u tha gazetarëve muajin e kaluar ministri turk i mbrojtjes Yasar Guler.

Grupi PKK lufton për një shtet autonom kurd në Turqinë juglindore dhe këto përpjekje deri më tani kanë marrë dhjetëra mijëra jetë gjatë viteve 1980. PKK është shpallur organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.

Bagdadi është ankuar në të kaluarën se operacionet turke kundër PKK-së shkelin sovranitetin e saj, por duket se po i afrohet qëndrimit të Ankarasë.

Në mars, pas një takimi midis ministrave të jashtëm të Irakut dhe Turqisë, Bagdadi njoftoi se Këshilli irakian i Sigurisë Kombëtare, kishte lëshuar një ndalim për PKK-në, megjithëse nuk e cilësoi atë si një organizatë terroriste.

Të dy vendet lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën thanë se grupi përfaqëson një "kërcënim të sigurisë si për Turqinë ashtu edhe për Irakun" dhe se prania e tij në territorin irakian ishte një "shkelje e Kushtetutës së Irakut".

Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani u tha gazetarëve gjatë një vizite në Uashington javën e kaluar se Iraku dhe Turqia kanë "interesa të dhe projekte të përbashkëta". Ai vuri në dukje se PKK-ja ka pasur prej kohësh një prani në Irakun e veriut, "por ne nuk do të lejojmë asnjë grup të armatosur në territorin irakian që ta përdorin Irakun si pikënisje për sulme".

Ankaraja ka argumentuar se prania e bazave të PKK-së përbën një kërcënim për ndërtimin e planifikuar të një rruge kryesore tregtare. Fjala është për Rrugën e Zhvillimit të Irakut, që do të lidhë portin e Grand Fawit në Basra, në pjesën jugore të Irakut me Turqinë dhe Evropën përmes një rrjeti hekurudhor dhe autostradave.

Bagdadi mund të veprojë ndaj PKK-së siç ka vepruar ndaj grupeve disidente kurde iraniane me bazë në Irakun verior.

Prania e disidentëve iranianë ishte bërë një pikë tensioni me Teheranin, i cili në mënyrë periodike ka kryer sulme ajrore mbi bazat e tyre në Irak. Verën e kaluar, Irani dhe Iraku arritën një marrëveshje për të çarmatosur grupet disidente dhe për të zhvendosur anëtarët e tyre nga bazat ushtarake në kampet e zhvendosjes.

Bisedimet midis Presidentit Erdogan dhe zyrtarëve irakianë pritet të përqëndrohen gjithashtu në bashkëpunimin energjetik si dhe rifillimin e dërgimit të naftës për në Turqi.

Një tubacion që shkon nga rajoni gjysmëautonom kurd për në Turqi është mbyllur nga marsi i vitit 2023, pasi një vendim i gjykatës së arbitrazhit urdhëroi Ankaranë t'i paguante Irakut 1.5 miliardë dollarë për eksportet e naftës që anashkaloi qeverinë qendrore irakiane. Ndarja e të ardhurave nga nafta dhe gazi ka qenë prej kohësh një çështje që ka nxitur tensione midis Bagdadit dhe autoriteteve kurde në Irbil.

Çështjet që kanë të bëjnë me furnizimin me ujë ka të ngjarë të jenë gjithashtu një çështje kyçe në diskutimet Turqi-Irak.

Lumenjtë Tigër dhe Eufrat, të cilët sigurojnë pjesën më të madhe të ujit të freskët të Irakut, e kanë origjinën në Turqi. Në vitet e fundit, zyrtarët irakianë janë ankuar se digat e instaluara nga Turqia po reduktojnë furnizimin me ujë të Irakut. Ekspertët kanë frikë se ndryshimi i mjedisit ka të ngjarë të përkeqësojë furnizimin edhe ashtu problematik të ujit në Irak, me pasoja potencialisht shkatërruese.

Mustafa Hassan, një banor i Bagdadit tha se ai shpreson që vizita e zotit Erdogan "të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve që lidhen me ujin, sepse Iraku po vuan nga një krizë e mungesës së ujit dhe kjo ndikon në bujqësi"./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?