Emmanuel Macron dhe Aleksander Vuçiç

Presidenti francez Macron letër Vuçiç: Mbështes vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së

16 Shkurt 2021, 08:45| Përditesimi: 16 Shkurt 2021, 08:48

  • Share

Presidenti i Francës Emmanuel Macron, përmes një letre të dërguar homologut të tij serb, Aleksander Vuçiç ka shprehur se ai mbështet vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Macron dërgoi letrën me rastin e Ditës së shtetit serb, ku edhe i ka përcjellë urime të përzemërta nga ana e tij dhe e shtetit francez.

“Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Serbisë, unë ju përcjell urime të përzemërta në emër të Francës dhe në emrin tim personal.”

Në letrën e tij, ai i ka vënë theksin edhe marrëdhënies Kosovë-Serbi, ku tha se do mbetet i vendosur në lidhje me përpjekjet për dialogun mes 2 vendeve, me ndërmjetësimin e BE-së, që synon marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare.

“Ndërsa diskutuam në Paris, unë mbetem i vendosur të mbështes përpjekjet në lidhje me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me mbështetjen e ndërmjetësimit evropian, që synon arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që do të kontribuojë në stabilitetin e të gjithë rajonit.”, shkruhet në letër.

Negociatat e mbështetura nga BE-ja çuan në Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013 për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në bazë të marrëveshjes ishte premtimi se asnjëra nga palët nuk do të pengonte tjetrën në procesin e anëtarësimit në BE.

Përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve vazhduan edhe më tej me shtysën e ndërkombëtarëve dhe më 4 shtator të vitit të 2020 nga 2 palët u firmos marrëveshja e Uashingtonit, e ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe ish-presidenti Donald Trump. Në thelb kjo marrëveshje kishte normalizimin e ekonomik, ndërkohë aktualisht dialogu Kosovë-Serbi është pezulluar për shkak edhe të zhvillimeve politike në Kosovë.

Më 14 shkurt, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet presidenciale të parakohshme ku partia fituese ka qenë Vetëvendosja, ndërkombëtarët shpresojnë se pas formimit të qeverisë së re përpjekjet për dialogun do të vazhdojnë.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?