Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, do të udhëtojë të enjten drejt Vatikanit për një takim zyrtar me Papën Leo, i cili kohët e fundit ka intensifikuar thirrjet e tij për përfundimin e luftës në Gaza.
Vizita 1-ditore po zhvillohet me ftesë të vetë Papës, njoftoi zyra e Presidentit Herzog të martën.
Gjatë qëndrimit në Vatikan, Presidenti izraelit pritet të takohet gjithashtu me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, si dhe të vizitojë Arkivat dhe Bibliotekën e Vatikanit.
Sipas njoftimit zyrtar, temat kryesore të takimeve do të jenë përpjekjet për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza, lufta kundër antisemitizmit global, si dhe mbrojtja e komuniteteve të krishtera në Lindjen e Mesme.
Gjithashtu, do të diskutohen edhe çështje të tjera me karakter politik.
Papa Leo, i pari Papë me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, javën e kaluar bëri një thirrje të fuqishme për t’i dhënë fund konfliktit pothuajse 2-vjeçar midis Izraelit dhe Hamasit.
Ai kërkoi një armëpushim të përhershëm, lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe sigurimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Komente
